Ndërlidhjet

Ndëshkohen kompanitë: Komuna e Lipjanit shkëput kontratat


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Komuna e Lipjanit ka ndërprerë kontratat për katër kompani përfituese nga koncesionimi i pronës së paluajtshme shoqërore.

Që nga viti 2006, kjo komunë ka dhënë 37 hektarë tokë më koncesion, e që gjysma nuk kanë filluar zbatimin e projekteve të paraqitura në kontratë. Madje disa parcelave u është ndërruar pronari pa informimin e zyrtarëve të prokurimit.

Vetëm pas hulumtimit të Radios Evropa e Lirë, zyrtarë të kësaj komune kanë kuptuar dhe stopuar punimet.

Kjo ka ndodhur në muajin mars të këtij viti. Por, tashmë zyrtarë të kësaj komune njoftojnë se kanë ndërprerë kontratat për katër operatorë.

Ragip Zejnullahu, shef i zyrës së prokurimit në komunën e Lipjanit, i cili nuk ka qenë në dijeni për parregullsitë e ndodhura në komunë, tregon operatorët të cilëve iu është ndërprerë kontrata.


Projekti është stopuar, pasi është konstatuar ajo që ka qenë më herët, projekti është ndërpretë dhe më kërkesën time. Prona që ka qenë në emër të ‘Rezonancës’ ka kaluar në emër të administratës komunale në Lipjan”.

Edhe operatorët tjerë, të cilët nuk i kanë filluar punët, edhe atyre ia kemi marrë, dhe ato parcela i kemi kthyer në pronësi të administratës komunale. Fjala është për ‘Standard Benz’, ‘Sadovina’, ‘Punëtori’ dhe ‘B-Engineering’”, bën të ditur Zejnullahu.

Këtë e konfirmon edhe kryetari i Komunës se Lipjanit, Shukri Buja.

Të gjitha firmat që nuk kanë plotësuar kontrata pas kontrollit të menaxherëve të projekteve, iu është bërë njoftimi që do të iu shkëputet kontrata”, shprehet Buja.

Ndryshe, një parcelë prej, siç thuhet në kontratë, ½ e 3.81 hektarë toke në Konjuh të Lipjanit, me numrin kadastral P-71409036-00164 - 4, në tenderin e shpallur në vitin 2009, përfitues të saj kanë qenë dy kompani, “Punëtori” dhe "B- Engineering"

Parcela gjendet në magjistralen Prishtinë- Ferizaj.

Këto kompani tashmë janë të shuara, dhe ka qenë e pamundur të kontaktohet me pronarët e tyre.

Ndërkaq, si shfrytëzues i sipërfaqes prej rreth 4 hektarësh tokë, në fletën poseduese, të cilën e kishte parë Radio Evropa e Lirë, në prezencën e tre punonjësve të zyrës për kadastër, figuronte emri i Universitetit të Shkencave Mjekësore “Rezonanca”.

Këtë për Radion Evropa e Lirë, e pati pranuar edhe pronari i "Rezonancës", Ramadan Idrizaj, duke thënë se ka blerë aksionet e kompanisë “Punëtori” dhe “B-Engineering”, meqë këta të fundit nuk kanë pasur kapital për realizimin e projektit.

Ndërsa, Ramadan Idrizaj, pronar i Rezonancës, shkurt pranon se u është shkëputur kontrata.

E kanë marrë pronën, e di. Na kanë njoftuar edhe është mbyllur ajo punë”, thotë Idrizaj.

Ky veprim siç duket e pati nervozuar shefin e prokurimit, për të cilin ai as që kishte njohuri se është ndërruar pronari.

Edhe Zejnullahu, thotë se edhe kjo parcelë është kthyer në pronësi të komunës.

Punët e terrenit janë të tjerëve. Por, sa i përket punës sime, unë kam bërë kërkesë, operatori në fjalë që ka qenë më herët, më sa më kujtohet është ‘B-Engineering’, nuk i ka përfunduar punët dhe ka marrë një hap të paligjshëm që ka shndërruar pronën në mënyrë jo ligjore”.

“Kam bërë kërkesë që ajo pronë të kthehet në emër të komunës dhe është kthyer. Do të thotë, mua kaq më intereson”, shprehet Zejnullahu.

Subjekti tjetër përfitues në vitin 2006 ka qenë N.T.P “Standard Benz”.


Ky subjekt është shpërblyer më 1.5 hektarë tokë për ndërtimin e një qendre tregtare dhe veprimtari shërbyese e tipit McDonald.

Ndërkaq,në njoftimin për shkëputje të kontratës të zyrës së prokurimit, nënshkruar nga drejtori i saj, Ragip Zejnullahu, thuhet se në bazë të kontratës subjekti në fjalë ka qenë i obliguar që t’i përmbahet planit të dinamikës për realizimin e projektit.

Mirëpo, nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për zbatimin e kontratës së nënshkruar, dhe në njoftim thuhet se “ne si autoritet kontraktues në interpretim të nenit 9 të kontratës, e kemi njoftuar se jemi të detyruar ta shkëpusim këtë kontratë dhe nga momenti që e pranoni këtë njoftim, konsiderojmë se kontrata është shkëputur”, citohet në njoftim.

Por, Fahri Retkoceri, pronar i “Standard Benz”, pohon se zyrtarisht nuk ka marrë ndonjë njoftim.

“Disa i kanë njoftuar, unë nuk kam një njoftim të tillë. Unë kam bërë një kërkesë për vazhdimin e asaj kontrate dhe i kam treguar arsyet e vazhdimit. Tash jam gati për zbatimin e projektit dhe lënda ime është në rishqyrtim”.

Po thonë se është ndërprerë kontrata gojarisht, më shkrim nuk më ka ardhur asgjë, por më kanë thënë se i dërgojnë edhe me shkrim. Kam investuar 30 mijë euro, vetëm për leje të ndërtimi dhe ndërrimin e kulturës se tokës”.

Në anën tjetër, edhe pse në njoftimin e komunës thuhet se kontrata është shkëputur me ndërmarrjet N.T.P “Kalaja” dhe SH.P.K “Toni”. Këta të fundit pohojnë se kontratën e kanë shkëputur me vetëdëshirë.

Fejzullah Lushtaku, përfaqësues i kësaj kompanie, thotë se në mungesë të mjeteve materiale, ka vendosur të tërhiqet nga parcela prej 1 hektarësh, kontratë kjo e nënshkruar më komunën e Lipjanit.

Pas një njoftimi nga Kuvendi Komunal i Lipjanit, se ose duhet të investoj, ose duhet të paguaj taksat komunale, nuk kam pasur mundësi të investoj, më vetëdëshirë jam tërhequr nga parcela 1. 1 hektar”.

As nuk e kam tjetërsuar, as nuk e kam shitë, as nuk ia kam dhënë familjarëve, por jam tërhequr për shkak të kushteve ekonomike”, tregon Lushtaku.

Komuna e Lipjanit në vitin 2006 ka dhënë me koncesion 20 hektarë tokë, për 99 vjet shfrytëzim, ndërkaq në vitin 2009 ka dhënë edhe 17 hektarë tokë tjetër më koncesion.

Sipas ligjit për procedurën e dhënies me koncesion, autoritetet kontraktuese mund të shkëpusin apo marrin përsipër projektin, nëse koncesionari nuk i përmbushë detyrimet kryesore që ka në kuadër të kontratës së koncesionit, dhe nuk vazhdon me përmbushjen e detyrimeve brenda një afati të arsyeshëm pasi që të ketë marrë vërejtjen nga autoriteti kontraktues për ta bërë këtë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG