Ndërlidhjet

Kosova dhe Gjibraltari, kontekste të ndryshme në UEFA


Ilustrim
Ilustrim
Arsyet politike vazhdojnë të jenë barrierat kryesore që e pengojnë mundësinë që ekipet e futbollit të Kosovës të luajnë ndeshje ndërkombëtare, vlerësojnë përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe njohësit e zhvillimeve sportive në vend.

Ata kanë shfaqur pakënaqësinë që Federata Evropiane e Futbollit (UEFA), ende nuk ka shfaqur pajtimin që të zbatohet vendimi i Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), i cili është marrë në muajin maj të sivjetmë, që ekipet kosovare të futbollit të kenë mundësi që të zhvillojnë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Pakënaqësitë e tilla janë shfaqur aq më tepër pasi që UEFA ka rënë dakord të pranojë Gjibraltarin përkohësisht pas një vendimi nga Gjykata e Arbitrazhit për Sport.

Vendimi i UEFA-s për Gjibraltarin, një territor britanik në cepin jugor të Spanjës, ka ndodhur pak ditë pasi Federata Botërore e Futbollit (FIFA), me kërkesën e UEFA-s, ka shtyrë shqyrtimin e, siç është thënë, modaliteteve për zbatimin e vendimit për të lejuar ose jo Kosovën që të luajë ndeshje miqësore.

Por, megjithatë, kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, thotë se kërkesa e Gjibraltarit dhe kërkesa e Kosovës për lejimin e takimeve ndërkombëtare kanë ndodhur në kontekste të ndryshme kohore dhe ligjore.

Ai thotë se kërkesa e Gjibraltarit, për dallim nga Kosova, ka qenë bërë shumë vite më parë, kur në statutin e UEFA-s nuk ka qenë kriter i pranimit të qenit anëtar i Kombeve të Bashkuara.

Nuk kemi mundur ne të ndjekim rrugën e Gjibraltarit, kur në statut të UEFA-s është kriter që të jesh anëtar i Kombeve të Bashkuara. Gjibraltari, kur ka aplikuar, nuk qenë ky kusht. Ata, juridikisht, kanë të drejtë, sepse e kanë bërë aplikimin kur në statut të UEFA-s nuk ka qenë kriter anëtarësimi në Kombet e Bashkuara”, shprehet Vokrri.

Me gjithë pakënaqësitë që Vokri i shfaqë ndaj drejtuesve të Federatës Evropiane të Futbollit, ai thotë se është optimist që kreu i Federatës Botërore të Futbollit, Sep Blater, do ta mbajë fjalën se vendimi, që skuadrat kosovare të luajnë ndeshje miqësore ndërkombëtare, nuk do të kthehet prapa.

Unë mendoj se ai (Blater) duhet ta mbajë fjalën, sepse nuk është krim të luash futboll. UEFA ka abstenuar kur na është lejuar zhvillimi i ndeshjeve miqësore. Do të thotë, pse ata po abstenojnë për ne? Pse e ndalojnë zhvillimin e futbollit, kur ata janë për atë që ta zhvillojnë futbollin?”, thotë Vokrri.

Vizën për ndeshjet miqësore ndërkombëtare, Kosova pret që ta marrë më 14 dhjetor, kur do të mbahet mbledhja e Këshillit Ekzekutiv të FIFA-s.

Në anën tjetër, njohësit e zhvillimeve të sportit në Kosovë, vlerësojnë se kriteret politike për pranim në mekanizmat ndërkombëtarë të futbollit po e diskriminojnë futbollin kosovarë.

Gani Kosumi, redaktor i përgjegjës i sportit në radion publike të Kosovës, thotë se futbolli në Kosovë po zhvillohet, por vetëm përbrenda kufijve të vendit.

Futbollistët e Kosovës janë duke zhvilluar aktivitete të shumta në vend, por nuk kanë një dritë jeshile për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare. Në këtë drejtim, mendoj se lobi serb e ka bërë të veten dhe mund të themi se ky është problem politik. Shumëkush thotë se ‘sporti nuk përzihet me politikën’, por kjo nuk ka të bëj edhe me Kosovën, ku sporti është i ndërlidhur me politikë dhe kjo po u kushton sportistëve kosovarë”, bën të ditur Kosumi.

Megjithatë, ai shpreh mendimin se futbolli kosovar, do ta thyejë akullin në dhjetor të këtij viti.

Mendoj se do të ishte e logjikshme që UEFA t’i pranojë vendimet e FIFA-s, sepse ai është organ më i lartë. Ndoshta mund të pritet që futbolli i Kosovës do ta thyejë akullin në fund të dhjetorit, kur FIFA, siç thuhet, në mënyrë definitive, do të marrë vendim për zhvillimin, fillimisht, të ndeshjeve miqësore, e më pastaj, ndoshta, do të hapen rrugë për të zhvilluar aktivitete edhe evropiane dhe botërore”, thekson Kosumi.

Ndryshe, zyrtarët e Federatës Botërore të Futbollit edhe më parë kanë deklaruar se vendimi për lejimin e takimeve miqësore ndërkombëtare të klubeve të Federatës së Futbollit të Kosovës me ato të federatave që janë pjesë e federatës botërore, nuk do të tërhiqet prapa.

Por, ata gjithashtu kanë sqaruar se kjo nuk nënkupton edhe pranimin e Federatës kosovare të futbollit në Federatën Botërore

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG