Ndërlidhjet

SHBA-ja, partnere e Kosovës drejt integrimit


Foto nga hapja e Samitit Ndërkombëtar të Grave

Foto nga hapja e Samitit Ndërkombëtar të Grave

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë partnere të Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian, deklaroi të premten ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson.

Këto komente ajo i bëri në ditën e dytë të Samitit Ndërkombëtar të Grave “Partneriteti për Ndryshim: Fuqizimi i Grave”.




Jacobson tha se barazia gjinore është e domosdoshme dhe se asnjë vend nuk mund të ketë përparim pa e përmbushur këtë kriter, që arrihet përmes fuqizimit të rolit të gruas.

“Kosova ka ligje të fuqishme që të promovojë barazinë gjinore dhe fuqizimin e gruas dhe në këtë fushë, është para shumë shteteve tjera”, tha ambasadorja Jacobson. Sipas saj, praktika ka dëshmuar se përfaqësimi politik përmes gruas është treguar si shumë efikas dhe në dobi të shoqërisë.

Në fjalimin e saj, ambasadorja amerikane premtoi, jo vetëm angazhimin për përmirësimin e pozitës dhe fuqizimin e rolit të gruas në Kosovë, por rikujtoi edhe njëherë partneritetin amerikan në raport me shtetin e Kosovës.

Tracey Jacobson

Tracey Jacobson

“Qeveria amerikane është partnere e Kosovës në promovimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse të udhëhequr nga sektori privat, sigurimin se shoqëria dhe shteti i Kosovës udhëhiqet nga sundimi i rendit dhe ligjit, mbështetja e ndërtimit të institucioneve demokratike dhe duke punuar me aleatët tanë evropian për të arritur të ardhmen euro-atlantike të Kosovës”, theksoi Jacobson.

Ndërkaq presidentja Atifete Jahjaga tha se samitet e tilla janë një mundësi e mirë për vendet e rajonit që të bëjnë më shumë për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri.

“Kosova dhe rajoni kanë shumë për të ofruar, prandaj Samiti do të shërbejë si një mundësi unike për ta shndërruar Evropën Juglindore në një qendër të zhvillimeve pozitive. Kosovës dhe rajonit i është dhënë një mundësi për t’u bërë nismëtarë të nismave të reja që garantojnë avancimin e mëtejmë të gruas si faktor kyç për zhvillim” , theksoi Jahjaga, gjatë një adresimi në gjuhën angleze.

Samitit i është drejtuar edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek. Ajo tha se shumica në Parlamentin Evropian mbështet pavarësinë e Kosovës, integrimin e saj në BE dhe procesin e liberalizimit të vizave.

Kurse, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, Vesna Pushiç, përshëndeti nismën për këtë samit, duke vlerësuar se fuqizimi i pozitës së gruas ndihmon të gjithë në krijimin e një të ardhme më të mirë.

Vesna Pushiç

Vesna Pushiç

“Politikat vendore dhe ndërkombëtare që trajtojnë pozitën e gruas janë test serioziteti dhe parametër matës për orientimin drejt së ardhmes së një vendi të caktuar”, tha Pushiç.

Sa i përket Kosovës, konferenca ka nxjerrë në shesh shumë elemente në lidhje me pozitën dhe trajtimin e gruas. Përderisa përfaqësimi në politikë dhe institucione ruhet përmes kuotave të garantuara edhe me Kushtetutë, panelistët në vazhdimësi e kanë cilësuar si një nga të metat kryesore çështjen e gruas dhe pronës, marrë parasysh se traditat në Kosovë ende favorizojnë mashkullin si pronar e trashëgimtar para femrës.

Samiti i përmbyllë punimet të shtunën, kur pritet të nxirren edhe disa konkluzione.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG