Ndërlidhjet

Thaçi: Në fund të bisedimeve, Kosova merr ulësen në OKB


Kabineti qeveritar i Kosovës
Kabineti qeveritar i Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar sot kabinetin qeveritar në lidhje me takimin e nesërm në Bruksel me homologun serb, Ivica Daçiq.

Thaçi ka përsëritur qëndrimin e tij se në takimin që do të ndërmjetësohet si zakonisht nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, ai do t’i përmbahet agjendës e cila do të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe Planin e presidentit Marti Ahtisaari.

Në asnjë mënyrë, sipas tij, pala kosovare nuk do të pranojë që në tavolinën e bisedimeve të shtrohen çështjet që prekin në sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

Ndërkaq duke iu referuar tashmë temës qendrore të dialogut, asaj për gjendjen në veri të Kosovës, Thaçi tha se synimi i palës kosovare është shuarja e strukturave paralele atje dhe vendosja e institucioneve demokratike që do të punojnë në kuadër të sistemit kushtetues e juridik të Kosovës.

Në asnjë mënyrë nuk do të bisedoj për statusin politik. Ai është zgjidhur njëherë e përgjithmonë. Pastaj për tërësinë territoriale që është e njohur e pranuar ndërkombëtarisht, për organizimin e brendshëm të Kosovës që është kodifikuar edhe me Propozimin Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari, Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës”.

Ne synojmë që brenda një periudhe të shkurtër kohore të arrijmë largimin e të gjitha strukturave të sigurisë së Serbisë nga veriu i Kosovës. Pastaj transformimin e strukturave ekzistuese në veri në fushën e arsimit, shëndetësisë, çështjeve sociale në struktura të qytetarëve të veriut të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa kryeministri serb Ivica Daçiq është cituar të ketë thënë se Qeveria e Serbisë mund të bisedojë me palën kosovare edhe në lidhje me ulësen e Kosovës në Kombet e Bashkuara, por si kundërshpërblim kishte kërkuar që edhe Kosova të jepte diçka.

Thaçi nuk ka komentuar këtë deklaratë, por ka shprehur bindjen e tij se në fund të procesit të bisedimeve palët do të nënshkruajnë një marrëveshje e cila do t’i siguronte Kosovës edhe ulësen e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Kosova me të drejtë pret që kjo marrëveshje e cila mund të arrihet në fund të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duhet patjetër që t’i mundësojë Kosovës anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe të gjithë mekanizmat tjerë ndërkombëtarë. Prandaj është e domosdoshme që Kosovës t’i sigurohet anëtarësimi në OKB, t’i hapet rrugë sa më e shpejtë për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian”, është shprehur Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha po ashtu se bisedimet me Serbinë duhet të sjellin si rezultat shuarjen dhe largimin e strukturave ilegale serbe nga veriu të cilat i ka financuar shteti serb.

Ndërkaq nuk i ka mohuar të drejtën Serbisë që të investojë në komunat me shumicë serbe në Kosovë në fusha të caktuara si arsim, kulturë e shëndetësi, por ka kërkuar që fondet të jenë transparente dhe të menaxhohen nga Qeveria dhe institucionet e Kosovës.

Kryeministrat Thaçi e Daçiq, pritet që nesër nën ndërmjetësimin e baroneshës Ashton të mbajnë takimin e katërt me radhë në Bruksel.

Risi e këtij takimi është paralajmërimi i Brukselit që të hapet për diskutim edhe tema e zhvillimeve në veri të Kosovës ku Prishtina zyrtare nuk ka qasje për shkak të pranisë dhe ndikimit të fuqishëm të strukturave paralele serbe të mbështetura nga Beogradi zyrtar.
XS
SM
MD
LG