Ndërlidhjet

Përfaqësues të pozitës dhe opozitës ndajnë mendime të ndryshme në lidhje me numrin e njohjeve të shtetit të Kosovës për këto pesë vjet pavarësi.

Ndonëse pesë vjet më parë, kryeministri Hashim Thaçi kishte paralajmëruar se Kosovën do ta njohin brenda muajit mbi 100 vende, kjo shifër ende nuk është përmbushur.

Mosnjohja e Kosovës nga Serbia, pengesat që Rusia mund t’i bëj asaj për anëtarësim në OKB në të ardhmen dhe mosnjohja nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, shihen si pengesat kryesore në rrumbullakimin e procesit të njohjeve dhe anëtarësimit të saj në organizata e mekanizma ndërkombëtar.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj i tha Radios Evropa e Lirë se aktualisht janë gjysma e shteteve anëtare të OKB-së që e kanë njohur Kosovën.

Dy vitet e fundit, ai thotë se është shënuar përparim në njohjet e reja, ndërkaq aktualisht po punohet në rrafshin diplomatik që të sigurohen njohje nga vendet e Azisë dhe Afrikës.

Gjatë këtij viti unë kam bërë përpjekje maksimale që përmes vizitave në vendet e Azisë, Lindjes së Mesme dhe Afrikës të rritet ky numër i njohjeve. Vitin e kaluar kemi pasur sukses të madh në anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim. Gjatë këtij viti ne planifikojmë të aplikojmë në disa organizata evropiane e globale për anëtarësim dhe jam më se i bindur që do të ketë suksese konkrete”, thotë ministri Hoxhaj.

Në anën tjetër ish- ministri i jashtëm dhe aktualisht deputeti i Lidhjes Demokratike, Skender Hyseni thotë se Kosova nuk mund të ndihet krenare me njohjet përderisa nuk ka arritur të siguroj ulësen në Kombet e Bashkuara.

Se procesi i njohjeve ndërkombëtare do të jetë i ndërlikuar, kjo është vërejtur qysh në kohën kur Këshilli i Sigurimit dështoi të arrijë konsensusin për statusin e Kosovës, thekson Hyseni.

Me vet faktin që Këshilli i Sigurimit pati dështuar të arrinte pajtim rreth propozimit të Marti Ahtisarit për pavarësinë e Kosovës e ka bërë këtë proces të ndërlikuar dhe në vend që Kosova të njihej “unblock” nga organizata e botës, nga të gjitha vendet e OKB-së, ne është dashur të përqendrohemi në lobim veç e veç te secili shtet për njohje veç e veç”, thekson Hyseni.

Qëndrimi kundërshtues i Rusisë në raport me shtetin e Kosovës, do të ishte pengesë për anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara edhe në rast se Kosova do të siguronte numrin e njohjeve për anëtarësim në këtë organizatë, thotë Skender Hyseni.

Kosovën nominalisht, ta zëmë se mund ta njohin të gjitha vendet anëtare të OKB-së, përveç Federatës Ruse dhe Republikës Popullore të Kinës, por prapë Kosova nuk bëhet anëtare e OKB-së pa një rekomandim të Këshillit të Sigurimit. Dhe ai rekomandim mund të vijë vetëm në rast se Rusia dhe Kina nuk e ushtrojnë të drejtën e vetos e në rastin më të mirë, nëse abstenojnë”, thekson Skender Hyseni.

Tejkalimi i numrit treshifror dhe gjeografia e shtrirjes së njohjeve ndërkombëtare e kanë rëndësinë e vet, thotë ministri Enver Hoxhaj.

Në momentin e duhur, ai thotë se autoritetet shtetërore të Kosovës në koordinim me miqtë ndërkombëtar do të vendosin për aplikim për anëtarësim edhe Kombet e Bashkuara.

Ne nuk do të marrim asnjë vendim pa e pasur një analizë të thelluar se cilat janë rrugët, cila është qasja dhe cilat janë mjetet që duhet përdorur me qëllim që Kosova të jetë anëtare e OKB-së dhe pa konsultim të ngushtë me partnerët tanë strategjik, disa prej të cilëve janë edhe vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Pa dyshim që Kosova synon të jetë anëtar i plotë i OKB-së sikurse të gjitha shtetet e krijuara nga shpërbërja e dhunshme e ish-Jugosllavisë”, thotë Hoxhaj.

Një pengesë tjetër në përmbylljen e njohjeve dhe krijimit të subjektivitetit ndërkombëtar si shtet, besohet se ka luajtur edhe qëndrimi i pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të cilat nuk e njohin shtetin e Kosovës.

Aktualisht Kosova është njohur nga mbi 90 shtete, kurse përfaqësimi i saj në rajon dhe konferenca ndërkombëtare bëhet përmes një fusnote e cila merr parasysh aktin e shpalljes së pavarësisë dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e këtij akti, por merr parasysh edhe qëndrimin refuzues të njohjes së Kosovës nga Serbia.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Është certifikuar nga University State of California në vitin 2000, pastaj nga programi trajnues i Institutit të Medias dhe Komisioni Evropian si gazetar ligjërues dhe trajner më 2010. Fitues i çmimit të parë në gazetari hulumtuese më 2002, të vlerësuar nga IREX.  

    Ka diplomuar në Administratën Publike - Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Integrime Evropiane. Është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG