Ndërlidhjet

Kaukazi Verior dyshon në fajësinë e vëllezërve Tsarnaev


Derisa amerikanët bëjnë përpjekje të zbardhin plotësisht sulmet në Maratonën e Bostonit, shumë në Kaukazin Verior, ku të dyshuarit kanë rrënjët, besojnë se hetuesit e SHBA-së po e trajtojnë gabimisht çështjen.

Autoritetet amerikane kanë siguruar “dëshmi bindëse” se Tamerlan dhe Dzhokhar Tsarnaev kanë kryer sulmet e 15 prillit, të cilat kanë lënë tre njerëz të vrarë dhe mbi 260 të plagosur.

Por, vëllezërit çeçenë duket se gëzojnë mbështetje të gjerë në Kaukazin Verior.

Në Dagestan, ku Tsarnaevët kanë familjen dhe kanë jetuar për kohë të shkurtër, akuzat kundër tyre shihen me mosbesim.

“Të them të drejtën, nuk besoj. Nuk jam i sigurt se ata kanë qenë ekstremistë”, thotë një qytetar i Makaçkalës me emrin Bagaudin, i cili punon në një kompani ndërtimi.

Tamerlan Tsarnaev, 26 vjeç, është vrarë në të shtënat me policinë.

Vëllai i tij Dzhokhar, 19 vjeç, është arrestuar pas një kërkimi masiv në Boston dhe është shtruar në spital me plagë në qafë – të shkaktuar po ashtu nga përplasja me policinë.

Në fillim të kësaj jave, ai është akuzuar formalisht për sulmin dhe, nëse shpallet fajtor, mund të dënohet me vdekje.

Babai i tyre, i cili jeton në Makaçkala, ka thënë se të bijtë e tij janë të pafajshëm dhe ka akuzuar FBI-në për inkuadrimin e tyre – një teori kjo që mbështetet nga shumë banorë lokalë.

Natyrisht, ajo që ka ndodhur në Boston, ka qenë një situatë tragjike, e keqe, por është e pakëndshme që këta njerëz lidhen me Dagestanin. Unë nuk kam ndonjë informatë të detajuar nëse ata kanë kryer sulmin apo kjo është një farsë”, thotë Magomed Magomedov, 26 vjeç.

Një tjetër qytetar, i pyetur për vëllezërit Tsarnaev, i përshkrun ata si “persona të lezetshëm”.

Në Çeçeninë fqinje, mbështetësit janë mbledhur po ashtu në mbrojtje të Dzhokhar Tsarnaevit.

Fletë të ndryshme, që proklamojnë pafajësinë e tij, janë ngjitur në muret e ndërtesave.

“Ki durim vëlla”, shkruan në njërën prej tyre.

“Dzhokhar Tsarnaev është plotësisht i pafajshëm”, shkruan tjetra.

Mbi 3,000 persona i janë bashkuar grupit mbështetës, të krijuar për Tsarnaevin në vKontakte – rrjetin më të madh social të Rusisë.

Në ndërkohë, grupi kryesor militant i Çeçenisë, Emirati Kaukaz, ka mohuar përfshirjen në sulmet e Bostonit. Ai ka sugjeruar se shërbimet sekrete të Rusisë mund të kenë dorë në këtë krim. (v.tela)
XS
SM
MD
LG