Ndërlidhjet

Pak protestues për papunësinë



Pensionistë, punëtorë e të papunë, por edhe të rinj kryesisht nga subjekti politik Vetëvendosje, kanë marrë pjesë në protestën, të cilën e ka organizuar Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, që është mbajtur në sheshin “Nëna Terezë”, në Prishtinë.

Protestuesit me flamuj sindikalë e kombëtarë dhe pankarta kanë brohoritur “Duam punë”, “Duam zhvillim”, “Duam respektim të kontrata kolektive”, si dhe “Posta dhe Trepça është e jona”.

Turmës jo shumë të madhe të protestuesve fillimisht u është drejtuar kryetari BSPK-së, Haxhi Arifi.

Ai ka kërkuar nga institucionet që t’i respektojnë ligjet dhe konventat ndërkombëtare të punës, në mënyrë që, siç është shprehur ai, punëtori ta ketë një jetë më dinjitoze.

Lidhur me të drejtat që u takojnë punëtorëve, BSPK-ja do të përpiqet t’i realizojë përmes të gjitha mjeteve të mundshme sindikale dhe asnjëherë nuk do të ndalet. Nëse kërkesat tona hasin në vesh të shurdhër, ne sigurisht do t’i ndërmarrim hapat e tjerë që asnjëherë nuk i kemi dëshiruar; që shtetit tonë t’i bëjmë dëm”, ka thënë Arifi.

Kurse, kryetari i Këshillit organizativ të protestës, Fehmi Pajaziti, ka përmendur disa nga kërkesat e sindikatës, si: zbatimin e ligjeve për të drejtat e punëtorëve në praktikë, nënshkrimin e marrëveshjes kolektive, zbatimin e marrëveshjes për pagën minimale prej 220 eurosh, miratimin e ligjit për pensionistët, pranimin e stazhit të punës për vitet 1990-1999, krijimin e fondit social për punëtorët dhe funksionimin e Odës së Veçantë të Gjykatës Supreme, për zgjidhjen e çështjes së 20 përqindëshit nga privatizimi i ndërmarrjeve.

“Jemi të vetëdijshëm, si BSPK dhe si klasë punëtore, që jemi në shtet-ndërtim e sipër, mirëpo le t’ua kujtojmë qeveritarëve tanë se duke i shkelur të drejtat e punëtorëve, nuk ka avancim të shtetit”, është shprehur Pajaziti.

Protesta ishte thirrur që të mbahet në orën 12 pa pesë, që do të thoshte se ka mbetur edhe pak durim i punëtorëve.

Naile Soba - Pertoshoni, pjesëmarrëse në protestë, e cila kishte ardhur nga Gjakova, ka shpjeguar arsyet se pse po protestonte.

​“Ja ku e kam kërkesën. Kam punuar në ndërmarrjen ‘Agimi’, për 37 vjet. Edhe kam kontribuar edhe më ka lënë shumë pa të drejtë të 20 përqindëshit”, tha ajo.

Kurse, Shaip Qorri, ka thënë se privatizimi i ndërmarrjeve po iu shkakton shumë probleme punëtorëve:

“Kemi dalë për ata që janë pa punë, të kthehen në vende të punës, faktikisht që kanë qenë më herët e nuk janë tani. Privatizimi po na shkakton shumë probleme. Faktikisht, nuk po i merr parasysh askush punëtorët - ata të cilët po mbesin jashtë marrëdhënies së punës mendoj se duhet të punojmë më shumë, por edhe ne duhet të kërkojmë më tepër. Kjo protestë është e vonuar, por më mirë vonë se kurrë”.

Të drejtat e punëtorëve në Kosovë për vite me radhe janë nëpërkëmbur dhe ato kryesisht janë në mëshirën e punëdhënësit.

Kjo ndodh për faktin se ata nuk kanë avokatë, nuk kanë mbrojtës në kuptimin e asaj se ata nuk e kanë një sindikatë, e cila do të qëndronte karshi kërkesave dhe të drejtave që i takojnë punëtorit, kanë vlerësuar përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe sociologët.

Hasan Krasniqi, pjesëmarrës po ashtu në protestë, është shprehur pakënaqur me punën që është duke e bërë BSPK-ja për punëtorët.

“Edhe sindikata, si sindikatë, po del se 200 veta nuk i ka tubuar, kjo është marri për punëtorët. Haxhi Arifi vetëm sa për të thënë dhe sa për sy e faqe, e ka organizuar se edhe ky është dorë e zgjatur e Qeverisë", ka theksuar Krasniqi.

Kurse, pas përfundimit të protestës, kryetari BSPK-së, Haxhi Arifi, për numrin e vogël të pjesëmarrësve në protestë, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë:

“Këtu është dashur të jenë 20-30 mijë punëtorë. Sot jemi këtu dhe unë besoj që ata, të cilët janë dhe është dashur të jenë, kanë ardhur. Të tjerët herëve të tjera, ndoshta mbushen mend dhe dalin për interesat e veta”.
XS
SM
MD
LG