Ndërlidhjet

BE dhe MTI ndihmojnë bizneset


Ilustrim
Ilustrim
Në shtator të këtij viti do të ndahen 4 milionë euro fonde në mbështetje të sektorit privat, konkretisht industrisë së prodhimit dhe atyre të shërbimeve.

Tre milionë euro do t'i ndajë zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe një milion euro të tjera i ndan Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Arta Istrefi, këshilltare politike për media në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo skemë e garantimit të fondeve bëhet për të ndihmuar sektorin privat edhe në aspektin financiar.

“Duke marrë parasysh faktin se qasja në financa është një ndër problemet kryesore të sektorit privat, ne kemi zhvilluar skemën e garantimit të kredive, që nga shtatori do të ndahen 4 milionë euro grante për biznese, që gjithashtu fokusi kryesor do të jetë i bizneseve prodhuese me qëllim të ndihmës së tyre që të vazhdojnë edhe më tutje në prodhim", tha Istrefi.

Për bizneset mikro do të ndahen nga 10 -25 mijë euro, sqaron Istrefi, duke shtuar se kriteret që duhet të plotësohen janë që biznesi prodhues apo shërbyes, të ketë potencial për eksport, të ketë rritje të numrit të të punësuarve nga viti në vit.

Krahas kësaj kësaj, përparësi do të kenë bizneset me pronare femra. Njëzet për qind të pikëve të llogaritjes për marrjen e granteve do të kenë përparësi gratë pronare të bizneseve.

Ndërkaq, grantet për bizneset e vogla dhe të mesme, do të jenë nga 25-200 mijë euro. Kriteret bazë, shpjegoi Istrefi, do të jenë eksporti në tre vjetët e fundit, rritja e numrit të punësuarve.

“Do të jenë vetëm për ndërmarrjet ekzistuese, jo për bizneset që dëshirojnë të fillojnë biznese të reja. Shtesë kësaj kemi edhe skemën baucher, e cila ka për qëllim ofrimin e këshillimeve dhe trajnimit falas për bizneset prodhuese, biznese e mëdha, të cilat gjenden në Kosovë, me qëllim që ato të jenë sa më të forta dhe të vazhdojnë me prodhimin e tyre", shpjegoi Istrefi.

Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit, mirëpresin çdo mbështetje financiare për sektorin privat, por, sipas tyre, shuma e ndarë është e pamjaftueshme.

Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, konsideron se fondet e Bashkimit Evropian, janë shumë të vogla në krahasim fonde që në ndanë në vendet e rajonit.

“Kjo bën që bizneset në Kosovë të kalojnë momente të vështira me konkurrencën, por edhe Qeveria e Kosovës nuk është duke zhvilluar aktivitete, që do të tërheqin më shumë investime nga Komisioni Evropian për t’i shpërndarë te bizneset dhe kjo krejt e bën që biznesi vendor të jetë i pabarabartë në treg. Dhe, të gjitha këto mbështetje që do të vijnë nga Bashkimi Evropian, do të fuqizojnë biznesin dhe ekonominë vendore, por nuk janë të mjaftueshme”, vlerëson Shahini.

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, tashmë sa herë kanë deklaruar se janë në përkrahje të sektorit privat për të përmirësuar klimën e të bërit biznes dhe për të mundësuar qasje të lehtë dhe thjeshtëzim të procedurave për fillimin e biznesit.
XS
SM
MD
LG