Ndërlidhjet

Sa kushton Kontrata Kolektive?


Ilustrim
Ilustrim

Palët nënshkruese të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive kërkojnë nga ekzekutivi që ta nënshkruajë këtë dokument, pasi, sipas tyre, kjo marrëveshje , e cila vitin e kaluar është proceduar në Qeverinë e Kosovës, synon të rrisë më shumë të drejtat e punëtorëve.

Palët nënshkruese të kësaj kontrate janë Qeveria e Kosovës, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura dhe Oda Ekonomike e Kosovës. Kjo kontratë është një akt juridik, formal, i cili rregullon raportet ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit .

Përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Kosovës, theksojnë rëndësinë e nënshkrimit të kësaj kontrate, e cila ka qenë edhe një ndër kërkesat e kësaj organizate, në protestën e organizuar në fund të muajit maj.

Alush Sejdiu, nënkryetar në BSPK, thotë se kjo marrëveshje përmirëson raportet ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrëseve, ndërsa, sipas tij, Qeveria e Kosovës me qëllim po zvarrit nënshkrimin e saj.

“Kontrata Kolektive përmban të gjitha të drejtat dhe obligimet e punëtorëve që parashihen me Ligjin e Punës, me avancime të theksuara në disa çështje, në të cilat ekzistojnë mundësitë financiare nga ana e kompanive, siç është orari i punës, pushimi i lehonisë, është paga e 13-të, pra janë disa çështje që u sjellin benificione punëtorëve kur kompania punon me afarizëm pozitiv”, thotë Sejdiu për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale, thonë ata janë të obliguar që ta zbatojnë marrëveshjen nëse një gjë e tillë nënshkruhet nga ekzekutivi.

Fadil Racaj, nga kjo ministri, thotë se marrëveshja gjendet në Ministrinë e Financave, në mënyrë që të bëhet vlerësimi financiar.

Por, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Financave, draft-marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e dorëzuar nga MPMS-ja, ka kosto të lartë buxhetore për buxhetin e Kosovës. Kalkulimet që janë bërë në këtë dokument, janë të pa specifikuara mirë dhe të papërballueshme si kosto vjetore për buxhetin e Kosovës.

Muharrem Shahini, shef i zyrës për komunikim publik në këtë ministri, bën të ditur se nëse kalkulohet kostoja për rreth 80 mijë shërbyes civilë, atëherë del se kostoja financiare kap afërsisht shumën prej 60 milionë eurosh.

“Për këtë arsye, Ministria e Financave vlerëson se nuk mund të japë mendimin për koston e kësaj marrëveshjeje, pa u specifikuar në detaje nenet që kanë implikime financiare në buxhetin e Kosovës dhe plotësimin e formularit të ndikimit financiar nga MPMS”, shprehet Shahini.

Por, në bazë të vlerësimeve të bëra nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, zbatimi i kësaj marrëveshjeje kushton deri në 16 milionë euro në vit.

“Nuk është arsyetim i denjë. Buxheti i Kontratës Kolektive është i vogël, për arsye se pjesa dërmuese e marrëveshjes deri në 80 për qind mbulohet edhe ashtu nga Ligji i Punës. Prandaj, ne nuk shohim një arsye serioze për neglizhencën e nënshkrimin e Kontratës Kolektive", thekson ai.

Sidoqoftë, janë bërë një dekadë kur është përgatitur Kontrata e parë Kolektive, ndërkaq tashmë bëhen tetë vjet që kur ka hyrë në fuqi kjo kontratë, së cilës i ka skaduar afati pa u zbatuar asnjë ditë.

Në kohën kur ka hyrë në fuqi marrëveshja, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale ka qenë Ahmet Isufi. Ai vlerëson se Qeveria e Kosovës, as në atë periudhë, por as tash, nuk ka gatishmëri për zbatim të marrëveshjes së re kolektive.

“Në të vërtetë, nuk ka as nga ana e Qeverisë vullnet për të zbatuar, por gjithashtu mungon edhe një angazhim më i madh, i sindikatave të pavarura që mbrojnë të drejtat e punëtorëve. Dhe, duke qenë se ka një pajtim në mes palëve që mos të implementohet, atëherë këtë më së shtrenjti e paguajnë punëtorët dhe ata të cilët në fakt janë subjekt i Kontratës Kolektive”, konsideron Isufi.

Ndryshe, kontrata e përgjithshme kolektive përcakton themelimin e marrëdhënies së punës, të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e punëdhënësit dhe punëmarrësit, orarin e punës, punën e natës, pushimin vjetor, atë të lehonisë, sigurinë në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarit dhe mbrojtjen e ambientit të punës.
XS
SM
MD
LG