Ndërlidhjet

Shqipëri: Fushata e shtrenjtë


Shqipëri...
Shqipëri...
Fushata zgjedhore e vitit 2013 rezulton të jetë një ndër më të shtrenjtat që partitë politike kanë zhvilluar ndonjëherë.

Lëvizja Mjaft që po bën një monitorim fokusuar te financat e partive, del natyrshëm në këtë konkluzion, pa përllogaritur ende çdo detaj të fushatës ku është hedhur para, nga spotet te posterat në rrugë.

Elton Kacidhja drejtues i kësaj organizate, merr shembullin e spoteve televizive. Monitorimi i takon periudhës 23 deri ne 31 maj.

”Fushata e vitit 2013 është një ndër fushatat më të shtrenjta, me çfarë të dhënash kemi deri tani, realizuar ndonjëherë në Shqipëri. Partitë më të mëdha politike kanë tejkaluar me 20 milionë lekë të reja ose 200 milionë lekë të vjetra totalin e dhënë nga KQZ-ja për këto parti. Pra atë buxhet që është akorduar nga KQZ-ja këta e kanë kaluar që javën e parë. Totali i parave të harxhuara deri tani për spote elektorale shkon në vlerën e 870 milionë lekëve të reja ose 870 mijë dollarë", thotë Kacidhja.

Është e qartë se partitë vazhdojnë të shpenzojnë pa u shqetësuar për detyrimin ligjor për të bërë transparencën e fondeve të fushatës.

Ato rezultojnë pak ose aspak bashkëpunuese për të deklaruar burimet e të ardhurave me të cilat kanë paguar një apo shumë shërbime në funksion të fitores. I tillë është rasti, sipas Kacidhes, edhe i shumës të padeklaruar nga dy partitë e mëdha me të cilën kanë paguar menaxherët e huaj të kontraktuar për fushatë.

"Ne dimë që për Partinë Demokratike është një staf amerikan që po menaxhon gjithë fushatën. Nuk kemi asnjë lloj kontrate, asnjë lloj shifre zyrtare. Dimë nga informacione të brendshme që shifrat janë goxha të mëdha por për sa kohë nuk kemi materiale faktike ne nuk mund ta themi këtë gjë. Gjithashtu edhe në Partinë Socialiste ka menaxher të huaj që po menaxhojnë fushatën që paguhen mijëra dollarë. Për sa kohë partitë vetë nuk deklarojnë këto shifra, ne nuk kemi si t’i themi dhe si t’i llogarisim”, shprehet ai.

Paratë hidhen kudo dhe fushata nuk është vetëm ajo që bëjnë liderët. Kjo sipas Kacidhes do të vështirësojë punën për të patur në fund të monitorimit një kosto reale të fushatës.

”Deputetët në mënyrë individuale në çdo zonë kanë buxhetin e tyre personal të cilin e venë në përdorim të fushatës. Kjo nuk mund të kapet për shkak se deputeti nuk lë gjurmë kur merr një shërbim të caktuar nga një operator”, thekson Kacidhja.

Edhe fushata më e fundit ajo vitit 2011 reflektoi të njëjtin shqetësim, sic thotë thotë drejtoresha ekzekutive e Open Data Albania, Aranita Brahaj. Kjo fushatë kushtoi 3.5 milionë dollarë, 98% e të cilave janë përdorur nga partitë parlamentare.

Për vitin 2011 raportet e auditimit janë dorëzuar shumë vonë, bashkë me listën zyrtare të donatorëve. Partitë politike ende vazhdojnë të marrin dhurata jo në llogari bankare, pra t’i marrin në CASH (para në dorë) megjithëse ato janë në vlera të palejueshme për t’u marrë ne CASH. Nga ana tjetër kemi parti që hezitojnë të bëjnë transparencën e raporteve, duke dorëzuar me vonesë raportet e tyre financiare ose duke i dorëzuar këto raporte të mangëta dhe jo të plota".

Brahaj e sheh KQZ me rol thelbësor në garantimin e asaj çka imponon ligji për transparencë.

"Ditën e parë të fushatës partitë politike duhet t’i venë në dispozicion publikut listën e donatorëve, për të pasur të qartë se cilat janë financimet për të cilat partitë kanë aftësi të shpenzojnë. Nga ana tjetër për të parë nëse donatorët e tyre janë në pozita të rregullta ligjore. Asnjë nga partitë politike nuk i është përgjigjur kësaj kërkese dhe jemi në një moment që shohim shpenzime të ekzagjeruara, nuk dimë se kush janë donatorët, pra kush janë ata që po paguajnë për të pasur fushata të kushtueshme dhe luksoze", thotë Brahaj.

Aspekti i financimit të fushatave zgjedhore ka qenë gjithnjë një gropë e zezë. Partitë nuk kanë deklaruar asnjëherë në kohë origjinën e donacioneve edhe kur ka ndodhur, shuma në letër me shpenzimet ne terren, kanë qenë dy realitete që s’janë përputhur asnjëherë.
XS
SM
MD
LG