Ndërlidhjet

Në Kosovë, 7 për qind e popullsisë së përgjithshme është e përbërë nga persona të moshës mbi 65 vjeçare.

Në sezonin e verës, pensionistët thonë se kanë shumë dëshirë dhe nevojë t'i kalojnë disa ditë në bregdet, por mundësitë për ta janë të vogla, për shkak të pensioneve shumë të ulëta që i marrin.

Ata vazhdojnë të kërkojnë nga autoritetet përgjegjëse që të rrisin pensionet për të gjitha kategoritë, duke përfshirë edhe pensionet e pleqërisë, meqë në muaj, pensionistët paguhen rreth 100 euro.

Hasan Rexha, pensionist, ka punuar për 40 vjet si jurist.

Ai thotë se në sezonin e verës, ka organizime nga shoqata e pensionistëve të Kosovës, që grupe pensionistësh të shkojnë në bregdetin shqiptarë, qoftë në Durrës, Velipojë, etj.

Por, zoti Rexha thotë se ai personalisht nuk ka mundësi të shkojë.

"Duhet të jepet një pension e gjysmë për të shkuar në pushime 10 ditë. Me 150 euro në mënyrë të organizuar mund të shkosh 10 ditë, por nuk mjaftojnë. As që po diskuton kush për pensionet. Po thonë që do të aprovohet Ligji për pensionet, do të bëhet kategorizimi, por vetëm fjalë boshe. Unë jam jurist i diplomuar dhe kam punuar 40 vjet".

"Por, në pushime ka plus edhe shpenzime tjera. Ata që bazohen në pension nuk është e mundur të shkojnë, e ata që kanë dikë që ju ndihmon financiarisht mund të shkojnë në pushime. Unë nuk do të shkoj", thotë Rexha për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, njëra nga punëtoret e shoqatës së pensionistëve të Kosovës, Hajrije Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se interesimi i pensionistëve për të shkuar në pushime është shumë i madh, derisa mundësit për ta janë të pakta.

"Vetëm ata që kanë fëmijë jashtë. Pensionisti që ka punuar 40 vjet, me 112 euro as barnat e veta nuk mund t'i blejë. E ata që kanë fëmijë jashtë Kosovës, shkojnë. Me 127 euro në qershor ke mundur të shkosh në Durrës".

"Çdo vit organizojnë pensionistët. Ne Durrës, në Velipojë. Por me pension nuk munden. Më shumë vajzat ju dërgojnë të holla, ato janë më të kujdesshme, dhe prindërit e tyre shkojnë në pushim, relaksohen, kanë nevojë shumë", thekson Gashi.

Por ka edhe të tillë që gjatë gjithë vitit kursejnë nga pak para për t'i kaluar shtatë ditë në bregdet. Njëra nga to është Raba Ajeti.

"Do të shkoj. I kam mbledhur tërë vitin të hollat me social. Thanë që kushton 110 euro për 7 ditë. E do të shkoj me shoqe".

Por jo edhe Sylejman Hajdini, pensionist, ka mundësi të shkojë në pushime. Ai thotë se prej kur ka dalë në pension në vitin 2009 nuk ka qenë në pushime.

"Interesimi është i madh. Kanë shumë dëshirë të shkojnë në pushime se edhe kanë nevojë. Por mundësitë janë të vogla, pensioni nuk i mbulon as harxhimet elementare të një personi, se jo për të shkuar në pushim".

"Unë prej se kam dalë në pension, nuk kam qenë në pushim. Por i falënderohem Zotit se e kam shëndetin e mirë. Ata që dëshirojnë të shkojnë në pushime, munden vetëm nëse ju ndihmon dikush që ju punon jashtë Kosovës"
.

Sidoqoftë dhe hulumtimet e fundit të bëra nga vetë institucionet lidhur me gjendjen socio-ekonomike të pensionistëve, tregon se kjo kategori e shoqërisë përballet me shkallë të lartë e varfërisë.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG