Ndërlidhjet

Hapja e vendeve të reja të punës ndal migrimin


Ilustrim
Ilustrim
Shumica e atyre kosovarëve, të cilët u kthyen ditë më parë nga Hungaria thanë se arsyeja kryesore se pse kishin kërkuar të migronin në shtetet perëndimore, ishte papunësia dhe pagat e ulëta ku ata ishin të punësuar.

Organizatat ekonomike në Kosovë e shohin si mjaft të vështirë hapjen e vendeve të reja të punës në Kosovë. Megjithatë, ata thonë se duhet të krijohen politika konkrete në mbështetje të zhvillimit të sektorit privat.

Drejtori ekzekutiv i Odës ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se përmes ndihmës që do t’u ofronin institucionet e Kosovës bizneseve private, do të mund të hapeshin vende te reja të punës dhe do të përmirësohej mirëqenia e qytetarëve.

“Gjithë politikat fiskale, të cilat ekzistojnë për momentin, në Kosovë, janë në dëm të fuqizimit të sektorit privat. Sikur ekziston gjithmonë përshtypja se është sektori publik, ai i cili duhet të sigurojë punësimin e njerëzve, derisa në anën tjetër e dimë se shumë nga institucionet financiare dhe ndërkombëtare, në mënyrë të vazhdueshme, tërheqin vërejtjen që sektori publik nuk guxon t’ia lejojë vetes të bëjë rritjen e shpenzimeve publike dhe në këtë aspekt nuk guxon të punësojë njerëz të rinj”, thotë Zeka.

Punësimi në sektorin publik në Kosovë vazhdon të mbetet i ngrirë deri në fund të vitit 2015. Korniza afatmesme e shpenzimeve 2013-2015, e miratuar nga Qeveria e Kosovës nuk parasheh punësim të ri deri në fund të vitit 2015.

Sipas kësaj, zëvendësime dhe pranime të punëtorëve të rinj do të bëhen vetëm atëherë kur kërkohet me ligj, ose kur punëtorët aktualë pensionohen, apo nuk janë të gatshëm për punë.

Ndërkohë, që krijimi i vendeve të reja të punës i mbetet sektorit privat.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thekson se për të ndalur migrimin, gjithsesi se duhet të ketë një zhvillim më të hovshëm ekonomik. Sektori privat, shton Shahini, po mundohet të bëjë gjithçka që të ulet shkalla e papunësisë, por e gjithë kjo varet edhe nga institucionet e Kosovës.

“Institucionet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshme ndaj integrimit të këtyre njerëzve të kthyer ndaj mundësisë për zhvillim dhe mundësisë për punësime të reja”, shprehet Shahini.

Sa i përket asaj se disa prej të kthyerve kishin pohuar se kanë pasur punë. Por, pagat kanë qenë minimale për të ekzistuar, Shahini thotë se mesatarja e pagës në sektorin privat është 320 euro, dhe rrjedhimisht, sipas tij, kjo mesatare krahasuar me vendet e rajonit, nuk është e vogël.

Sektori privat, ndërkaq sipas drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, do të rriste pagat, por që performanca financiare e atyre bizneseve ndikon në këtë nivel të pagave.

Arian Zeka
Arian Zeka
“Unë besoj që bizneset kosovare do të kishin dëshirë që ta paguanin fuqinë punëtore me paga më konkurruese, pasi që në fund të fundit kjo do t’i garantonte që të kishin fuqi më të shkathtë punëtore, por është niveli i performancës së tyre financiare që ndikon në këtë nivel të pagave”, thekson Zeka.

Ndryshe, shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare vazhdon të mbetet e lartë dhe e pandryshueshme.

Në rezultatet e regjistrimit të popullsisë, ku tregohen edhe shifrat e papunësinë, thuhet se prej 508.100 banorëve që janë të aftë për punë, 44.9 për qind janë të papunë. Kosova ka 227.646 banorë të papunë, përderisa të punësuar konsiderohen 280.454 persona.
XS
SM
MD
LG