Ndërlidhjet

logo-print
Prej fillimit të këtij viti e deri më tani, në Kosovë janë shuar 897 biznese, kurse gjatë periudhës se njëjtë vitit të kaluar, numri i bizneseve të shuara ka qenë 587, thonë zyrtarë qeveritarë.

Shuarja e këtyre bizneseve vazhdon të mbetet shqetësuese për disa ekspertë të ekonomisë, ndërsa disa të tjetë e konsiderojnë normale.

Eksperti i ekonomisë, Milazim Abazi, konsideron se rënia e investimeve, remitancat e pamjaftueshme, si dhe niveli i lartë i korrupsionit në administratë po pengojnë zhvillimin e bizneseve në vend, që në disa raste detyrohen edhe të çregjistrohen.

Ai shpreh shqetësimin, se me shuarjen e bizneseve, po shuhen shumë vende të punës, çka rrjedhimisht ndikon edhe në rritjen e shkallës së varfërisë në vend.

“Unë mendoj se përmirësimi i klimës se biznesit është sipërfaqësore. Administrata nuk është efikase në lëshimin e dokumenteve të nevojshme. Kështu që edhe në këtë aspekt mund të them se përmirësimet janë fare të lehta".

"Duhet shumë më tepër të punohet në përmirësimin e administratës, në mënyrë që të kuptojë biznesin, në mënyrë që mos të jetë e korruptuar, dhe nuk e shikojnë se çfarë biznesi po i ofron”, thotë Abazi për Radion Evropa e Lirë.

Falimentimi i bizneseve nuk është diçka tragjike, vlerëson eksperti tjetër i ekonomisë, Naim Gashi. Ai shprehet se në çdo vend të botës falimentojnë dhe regjistrohen biznese të reja.

"Ekonomia e tregut është e tillë, se për çdo ditë lindin biznese të reja dhe për çdo ditë falimentojnë biznese. Është tepër pozitive nëse në vendet e botës duke përfshirë edhe Kosovën shumë më tepër regjistrohen biznese të reja, sesa falimentojnë".

"Për arsye se falimentimi i biznesit nënkupton mbylljen e disa vendeve të punës më pak taksa për shtetin dhe më pak gjenerim të zhvillimit ekonomik dhe rritjes GDP nacionale”
, shprehet Gashi.

Megjithatë, Gashi numëron disa nga shkaqet që ndikojnë në shuarjen e bizneseve.

Statusi politik i Kosovës, rënia e investimeve të huaja, furnizimi më shërbime publike, mungesa e lidhjeve hekurudhore, paraqesin vështirësi në zhvillimin e bizneseve.

“Statusi politik të cilin e gëzon Kosova në raport më rajonin por edhe më vendet e Bashkimit Evropian. Kosova është vendi i vetëm i mbyllur në Bashkimin Evropian, ku biznesmenët dhe pronarët e bizneseve nuk kanë mundësi të qarkullojnë dhe të avancojnë biznesin e tyre më vendet e BE-së".

"Kurse arsye tjetër është mungesa e pamjaftueshme e investimeve të huaja, për arsye se investimet e jashtme gjenerojnë vende të punës, gjenerojnë nën-kontraktorë më të vegjël dhe efekti i regjistrimit të bizneseve është zinxhiror”, shprehet Gashi.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, numri i bizneseve të shuara është më i madh, por për shkak të procedurave për shuarjen e tyre, pronarët hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë.

Sidoqoftë, sipas autoriteteve komente gjatë këtij viti janë regjistruar 6,245 biznese të reja, ndërkaq në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar numri i bizneseve të regjistruara ka qenë 5,618.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG