Ndërlidhjet

Egjipt: Ushtria hyn në xhaminë e mbushur me protestues


Egjipt: E premtja plot gjak e zjarr
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:02 0:00

Egjipt: E premtja plot gjak e zjarr

Forcat e sigurisë së Egjiptit kanë hyrë në një xhami në kryeqytetin Kajro, e cila gjatë natës ishte mbushur përplot me protestues islamistë.

Sipas raporteve, mbrëmë vonë forcat e sigurisë depërtuan në xhaminë Al-Fateh, ku po qëndronin qindra mbështetës të Vëllazërisë Myslimane, pas përleshjeve vdekjeprurëse ditën e premte, ku mbetën të vrarë më se 80 njerëz.

Ja se si ia përshkroi situatën në xhami agjencisë Reuters, mjeku Mohammad Hilali:

“Situata brenda në xhami me të plagosurit është se ne jemi marrë me ta dhe u kemi dhënë atyre kujdes të plotë mjekësor. Ne e kemi vetëm një trup që ka mbetur në xhami tash për tash, pasi familja po refuzon që të lejojë nxjerrjen jashtë xhamisë. Sa i përket trupit të dytë, të një femre, ajo është evakuuar në spitalin Sidawi”.

Trupat po përpiqeshin t’i bindin protestuesit që të dorëzohen. Ato, po ashtu, po i parandalojnë mbështetësit e qeverisë së përkrahur nga ushtria, që të hyjnë në xhami.

Por, në Egjipt duket se do të ketë edhe më tepër dhunë, pasi gjatë javës së fundit, në përleshjet ndërmjet policisë dhe mbështetësve të presidentit të përmbysur Muhammad Morsi, u vranë më se 700 njerëz.

AFP raporton se Ministria e Brendshme e Egjiptit ka njoftuar se më se një mijë mbështetës të Vëllazërisë Myslimane ishin arrestuar ditën e premte, përfshirë 558 persona në kryeqytetin Kajro.

Ja se si e përshkruan një banor gjendjen në Kajro...

“Ndiej se unë nuk kam vend në shtetin tim. Ku duhet të shkoj, çka duhet të bëj? Jam i kërcënuar kur eci rrugëve. Jam i frikësuar të eci rrugëve. Njerëzit thonë mos ec andej, shko këndej, se atje do të jesh i arrestuar. Ka njerëz që bëjnë pika kontrolli civile, që unë nuk e kuptoj. Unë nuk pranoj asgjë që po ndodh tash, është e çuditshme, nuk e kuptoj këtë. Unë isha ushtar në armatë, por asnjëherë nuk e kam imagjinuar këtë”, thotë Ahmed, banor i Kajros.

Trazirat e fundit ndodhën në protestën e ashtuquajtur “zemërimi i së premtes”, që ishte shpallur nga Vëllazëria Myslimane, në shenjë reagimi për vdekjen e më se 600 njerëzve ditën e mërkurë, derisa forcat e sigurisë i kishin shkatërruar dy kampe protestuese të mbështetësve të Morsit.

Vëllazëria Myslimane ka shprehur përkushtimin për vazhdimin e protestave, me gjithë gjakderdhjen.

Goditja e forcave të sigurisë ka bërë që pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar ta dënojë ushtrinë e Egjiptit, e cila e ka përmbysur Morsin nga Presidenca më 3 korrik, dhe ka instaluar një qeveri të përkohshme.

Grupi për të drejtat e njeriut, Amnesty International, ka bërë thirrje për hetime të plota dhe të paanshme të gjakderdhjes së kësaj jave, duke i akuzuar forcat e sigurisë se kanë ndërmarrë “aksion të madh jopërkatës” kundër protestuesve.

Në një deklaratë të re, ky grup me seli në Londër, tha se “bazuar në dëshmitë fillestare dhe dëshmitë e tjera që janë tubuar, duket se ka pak dyshim se forcat e sigurisë kishin vepruar pa pasur kujdes ndaj jetës njerëzore, prandaj hetime të plota, që janë të paanshme dhe të pavarura, janë urgjentisht të nevojshme”.

Më tutje Amnesty International tha se “forcat e sigurisë e përdorën forcën vdekjeprurëse kur nuk ishte në mënyrë strikte e domosdoshme për t’i mbrojtur jetët ose parandaluar plagosje serioze dhe kjo është shkelje e pastër e së drejtës ndërkombëtare dhe e standardeve ndërkombëtare”.

Vendet e Bashkimit Evropian kanë premtuar që të bëjnë përgjigje të koordinuar të BE-së ndaj dhunës në Egjipt.

Vendet anëtare të bllokut perëndimor tashmë kanë dënuar dhunën dhe gjakderdhjen në Egjipt.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian pritet të takohen për këtë krizë gjatë javës së ardhshme.

Pas një bisede telefonike me presidentin e Francës, Francois Hollande, qeveria gjermane tha se kancelarja Angela Merkel, ishte e gatshme për t’i rivlerësuar raportet e Gjermanisë me Egjiptin.

Gjermania është njëri nga partnerët më të mëdhenj tregtar të Egjiptit.

Por, përgjigjja ndërkombëtare nuk ishte në tërësi kritike ndaj autoriteteve ushtarake egjiptiane.

Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite, tha se mbretëria e tij e mbështet Egjiptin në luftën e vet kundër asaj që ai e cilësoi si “terrorizëm”.

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania kanë shprehur mbështetje për përpjekjet e ushtrisë së Egjiptit.

Shtetet e Bashkuara, të enjten, e kanë anuluar ushtrimin e përbashkët me forcat e Egjiptit dhe u kanë bërë thirrje amerikanëve që të largohen nga Egjipti.

Uashingtoni, që i jep ndihmë vjetore Egjiptit, në shumë prej më tepër se një miliard dollarë, tha se po shqyrton ndërmarrjen e masave shtesë. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG