Ndërlidhjet

Gjendje e jashtëzakonshme në Egjipt


Forcat e sigurisë ndërhyjnë në kampet e protestuesve
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:51 0:00

Forcat e sigurisë ndërhyjnë në kampet e protestuesve

Brenda disa orësh kryeqyteti egjiptian është shndërruar në një zonë lufte mes forcave të rendit dhe përkrahësve të liderit islamik, Muhammed Morsi, i cili u hoq nga pushteti prej ushtrisë egjiptiane më 3 korrik.

Përfaqësuesit e Vëllazërisë Myslimane, organizatorë të kampeve protestuese, thonë se numri i viktimave nga ana e protestuesve ka arritur në 200 të vrarë dhe 2 mijë të lënduar, mirëpo kjo parti politike edhe më parë ka dhënë shifra të ekzagjeruara, të cilat më pas i ka përmirësuar.

Zyrtarisht, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në përleshjet që kanë ndodhur sot në tërë Egjiptin janë vrarë 149 persona dhe janë lënduar rreth 900 të tjerë, duke llogaritur këtu edhe pjesëtarët e forcave të rendit.

Të dyja palët kanë vazhduar të shfaqin pamje se si kundërshtarët po përdorin armë të zjarrit gjatë përleshjeve, të cilave nuk po ju duket askund fundi.

Për shkak të këtyre ngjarjeve, zëvendëspresidenti egjiptian, Muhamed ElBaradei, ka dhënë dorëheqje, pasi ai nuk është pajtuar për mënyrën se si u bë përpjekja për shpërndarjen e protestuesve islamistë.

Në orët e pasdites, Presidenca egjiptiane e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për një muaj, diçka që po kundërshtohet ashpër sidomos nga SHBA-ja.

Asistenti special i presidentit amerikan, Josh Earnest, në një deklarim para mediave ka thënë se SHBA-ja nuk pajtohet me atë vendim dhe me përdorimin e dhunës ndaj protestuesve.

“SHBA-ja e dënon fuqishëm përdorimin e dhunës ndaj protestuesve në Egjipt. Ne ju shprehim ngushëllimet tona familjeve të atyre që kanë humbur pjesëtarët e tyre dhe ata që janë lënduar. Ne rregullisht i kemi bërë thirrje ushtrisë egjiptiane dhe forcave të sigurisë që të përmbahen, ndërsa qeveria të respektojë të drejtat universale të qytetarëve, njëjtë siç ju kemi kërkuar protestuesve që të demonstrojnë paqësisht”, është shprehur Earnest.

Reagime të tjera kanë ardhur nga Gjermania, Bashkimi Evropian e vende të tjera perëndimore që kanë bërë thirrje për paqe.

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle ka thënë:

“Ne presim që Qeveria kalimtare dhe autoritetet e Egjiptit të lejojnë protestat paqësore dhe ne, gjithashtu, presim fuqitë e tjera politike që ta distancojnë veten qartë prej dhunës, të mos kërkojnë më shumë dhunë dhe të mos veprojnë dhunshëm”.

Përkrahje të hapur islamikëve në Egjipt ju ka dhënë Turqia, Irani e vende e liderë të tjerë islamikë.(a.haraçia)
XS
SM
MD
LG