Ndërlidhjet

Obama i jep mundësi propozimit rus për Sirinë

  • RFE /RL

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë se Washingtoni dhe aleatët do t’i japin një mundësi propozimit të Rusisë për të siguruar armët kimike, derisa e mban ushtrinë të gatshme për sulm ushtarak.

Duke ju drejtuar popullit amerikan drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë, Obama ka thënë se është “ende herët për të thënë” nëse plani i Moskës për të vendosur armatimin kimik të Sirisë në kontroll ndërkombëtar do të ketë sukses.

Ai ka thënë se aleatët e SHBA-ve, Franca dhe Britania do të punojnë me Rusinë dhe Kinën për këtë propozim.

Mirëpo Obama ka vazhduar ta mbrojë para popullit amerikan idenë e një intervenimi ushtarak të kufizuar duke thënë se një veprim i tillë do të ishte i nevojshëm nëse plani i Moskës nuk do të kishte sukses.

"Nëse ne dështojmë që të reagojmë, regjimi i Assadit nuk ka arsye që të ndalojë në përdorimin e armëve kimike. Derisa ndalimi i këtij lloji të armatimit injorohet, tiranë të tjerë nuk do kenë arsye që të mendohen dy herë në marrjen e gazit helmues dhe përdorimit të tij. Me kohë, trupat tanë do të përballen me prospektin e armëve kimike në beteja. Dhe, do të ishte më e lehtë për organizatat terroriste që të marrin këtë lloj armatimi dhe ta përdorin atë kundër civilëve”, ka thënë Obama.

Reagimi i Obamës është bërë vetëm pak orë pasi qeveria e Sirisë ka thënë se është pajtuar me propozimin për t’i vënë armët e saj kimike nën kontroll ndërkombëtar. Më herët, Rusia ka thënë se është duke punuar për një “plan të qartë dhe konkret”.

Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, ka thënë se Moska është duke diskutuar detajet me Damaskun dhe se plani do t’iu prezantohet edhe shteteve të tjera së shpejti.

“Rusia është duke punuar aktualisht në përgatitjen e një plani funksional, të qartë dhe konkret. Tani për tani, jemi në kontakt me palën siriane. Do të vazhdojmë të punojmë me të dhe me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike dhe me pjesëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë Lavrov.

Presidenti amerikan, gjatë fjalimit të tij drejtuar popullit amerikan gjatë gjithë kohës është munduar të bind amerikanët që janë skeptik ndaj një sulmi mbi Sirinë se në rast të dështimit të këtij plani, nëse nuk do të veprohet do të vendosej një precedent i rrezikshëm për përdorimin e armëve kimike, do të kërcënonte interesat dhe aleatët e SHBA-ve dhe do e forconte Iranin.

Obama ka thënë se ai e ka udhëzuar ushtrinë që të jetë gati për veprim si dhe i ka kërkuar Kongresit që ta shtyjë votimin për sulm që t’i jap një mundësi diplomacisë.

"Përgjigja ime është e thjeshtë: Unë nuk do të dërgojë trupa tokësore amerikane në Siri. Unë nuk do e ndjek një aksion pa një fund të caktuar si në Irak apo Afganistan. Nuk do e ndjek një fushatë ajrore si në Libi apo Kosovë. Ky do të ishte një sulm me cak për t’ia arritur një objektiv të qartë: për të frenuar përdorimin e armëve kimike dhe degradimin e fuqisë së Assadit”, ka thënë Obama

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të bindura se regjimi i presidentit sirian, Bashar al Assad është përgjegjës për sulmin me armë kimike që raportohet se është krye më 21 gusht, në periferi të Damaskut.(a.haraqija)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG