Ndërlidhjet

Status-quo në kufirin me Maqedoninë


Vendkalimi kufitar në Bllacë mes Maqedonisë dhe Kosovës sot është tërësisht i mbyllur për automjetet, ndërsa shtetasit e Kosovës vazhdojnë të paguajnë taksat e vendosura nga Qeveria e Maqedonisë.

Këtë e konfirmojnë qytetarët të cilët përkundër motit me shi, lëviznin në këmbë nga të dyja anët e kufirit.

Ata thonë se prej mbrëmë nuk vlen as vendimi i transportuesve që në çdo dy orë të ketë lëvizje të lirë me automjete në kohëzgjatje prej 30 minutave.

Prej mbrëmë në ora 7 nuk janë duke lëshuar, vetëm ndonjë rast urgjent ka kaluar, përndryshe asnjë veturë tjetër nuk ka kaluar, kurse vazhdon edhe pagesa e taksave. Unë i thash se është hequr, ai më tha, jo dhe pagova 10 euro“, thotë Zimer Zimeri shtetas i Kosovës.

Nga ata që sot kaluan kufirin ishte edhe një grua rreth të 60-ve, Atije Muça.

Ajo tha se edhe pse në gjendje jo të mirë shëndetësore nuk është lejuar që të kalojë kufirin me veturë.

Në këmbë kalova sepse do të shkoj te mjeku të kontrollohem, se përndryshe nuk do vija sot se në këmbë nuk po mundem, por këndej më pret një veturë ta vazhdoj rrugën. Shpresoj që bëhet mirë se kjo nuk është mirë për asnjërën palë“, thotë Atije Muça.

Në mesin e atyre që sot janë ndaluar të kalojnë me veturë është edhe një student nga Shkupi, i cili shpresonte se vlen ende vendimi i transportuesve për kalimin me makina në çdo dy orë nga 30 minuta.

“I pyeta por më thanë se mos ta lë këtu veturën se nuk është e sigurt, se nuk e dinë pronë e kujt është. Sot e kam pasur provimin e fundit, ora 10 dhe prej orës 6 të mëngjesit ndodhem këtu, tash duhet të pres afatin tjetër“, shprehet studenti.

Nga shoqata e transportuese Makamtrnas thonë se kanë anuluar vendimin e një dite më parë për kalimin e kufirit me automjete nga 30 minuta në çdo dy orë, meqë nuk kanë dalë të sakta informacionet për normalizimin e situatës

“Ne dje tentuam që të bëhemi të civilizuar, të gjejmë gjuhë të përbashkët dhe të ulim tensionet, megjithatë edhe pse shumë media nga Kosova njoftuan se bllokadat do të hiqen në tërësi. Unë nuk dua që dikush të më bëjë budalla dhe të rri këtu kot tani pesë ditë të plota. Ne do të vazhdojmë me bllokadat dhe do të lëshojmë vetëm rastet urgjente“, thotë Biljana Muratovska.

Nga Qeveria e Maqedonisë nuk kanë komentuar zhvillimet e fundit në Bllacë, por thonë se po punojnë intensivisht për normalizimin gjendjen dhe se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Kosovës për shqyrtimin e mundësive për anulimin e vendimeve për taksat rrugore për shtetasit e Kosovës dhe për prodhimet maqedonase për tregun kosovar.

Qeveria në Shkup vlerëson se zgjidhja mund të arrihet me heqjen e njëkohshme të vendimeve nga të dyja shtetet.

Ndërkohë, lidhur me gjendjen e krijuar në raportet mes Maqedonisë dhe Kosovës, ka reaguar së fundi edhe kryetari i opozitës shqiptare, Menduh Thaçi duke akuzuar partinë shqiptare në qeveri, BDI-në.

Kryetari i PDSH-së, ka thënë se “situata e krijuar dëshmon pafuqinë e partisë shqiptare në pushtet, BDI, për të mbrojtur interesat kombëtare".
XS
SM
MD
LG