Ndërlidhjet

logo-print

KQZ-ja do t’i verifikojë të regjistruarit nga OSBE-ja


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Procesi i regjistrimit të votuesve, të cilët jetojnë në Serbi dhe Mal të Zi dhe që kanë të drejtën e votimit në zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 3 nëntor në Kosovë, është në zhvillim e sipër, deklarojnë zyrtarët e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë.

Zëdhënësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Nikola Gaon, duke folur për Radion Evropa e Lirë, nuk ka dhënë ende shifra për numrin e të regjistruarve, por ka deklaruar se stafi i këtij misioni është duke punuar pandërprerë në procesin e regjistrimit të këtyre votuesve.

“Në harmoni me marrëveshjen e Brukselit dhe kërkesave të Prishtinës dhe Beogradit, OSBE-ja është duke e lehtësuar regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, përmes mbledhjes dhe shpërndarjes në dy qendra, Nish dhe Podgoricë. KQZ-ja e ka shtyrë afatin për regjistrim jashtë Kosovës deri më 17 shtator dhe stafi po punon pandërprerë. Kjo punë është në vazhdim e sipër. Një numër i stafit lokal dhe ndërkombëtar është i përfshirë në operacion”, ka thënë Gaon.

Në anën tjetër, zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë deklaruar se OSBE-ja, përmes procesit të regjistrimit të votuesve, të cilët jetojnë në Serbi dhe Mal të Zi, po ia lehtëson KQZ-së qasjen në aplikacione.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se megjithatë ky komision do ta ketë fjalën e fundit rreth asaj se janë ose jo të vlefshme materialet që do t’ia sjellë OSBE-ja.

“OSBE-ja i lehtëson procedurat. Pra, vetëm i bart aplikacionet, në mënyrë që Komisionit Qendror të Zgjedhjeve t’ia lehtësojë qasjen në aplikacionet e votuesve që janë në Serbi dhe Mal të Zi. Ndërsa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i kryejë të gjitha procedurat e verifikimit dhe, po ashtu, të gjitha procedurat ligjore”, ka theksuar Elezi.

Zëdhënësi i misionit të OSBE-së, Gaon, ka pohuar se KQZ-ja do të jetë ajo që do t’i verifikojë materialet, por ai nuk ka dhënë ndonjë numër se sa votues janë regjistruar deri më tash.

“Siç e thashë, punët janë në zhvillim e sipër dhe nuk do të flasë për numra. Por, është e rëndësishme të thuhet se OSBE-ja do ta mbledhë të gjithë materialin dhe do t’ia dorëzojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe më pas ajo do ta vërtetojë se a janë ato materiale të vlefshme”, ka theksuar zëdhënësi i OSBE-së Gaon.

Edhe zëdhënësi i KQZ-së, Elezi, ka pohuar se shifrat e votuesve të mundshëm, të cilët i ka regjistruar stafi i misionit të OSBE-së, do të publikohen pas përfundimit të procesit të regjistrimit, afati i cilit skadon më 17 shtator.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të japë raportin e plotë për çdo vend, veç e veç, se ku kanë aplikuar të interesuarit për të votuar. Për numrin e saktë do t’ju njoftojmë pas përfundimit të këtij procesi, pra, i cili përfundon më 17 shtator”, ka pohuar Elezi.

Ndryshe, mekanizmi lehtësues për regjistrimin e votuesve në Serbi dhe Mal të Zi, të cilin e ka ofruar OSB-ja, siç patën thënë më herët zyrtarët e këtij misioni, përveç qendrave në Nish dhe në Podgoricë, ka formuar edhe nëntë ekipe mobile, të cilat do t’u ofrojnë ndihmë personave të zhvendosur. Këto ekipe janë dërguar më 26 gusht.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG