Ndërlidhjet

KQZ e painformuar për fletë-aplikacionet në Serbi


Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), me stafin e vet nga Kosova, tashmë ka nisur shpërndarjen e fletë-aplikacioneve për regjistrimin e votuesve të mundshëm në Serbi.

Përfaqësuesit e OSBE-së i thanë Radios Evropa e Lirë përmes postës elektronike se zyrtarë të kësaj organizate që nga data 26 gusht janë duke qëndruar në Serbi.

“OSBE ka ofruar një mekanizëm lehtësues për të cilin palët janë dakorduar. Ai përfshin krijimin e një qendre të mbledhjes dhe të shpërndarjes në Nish dhe në Podgoricë, si dhe formimin e nëntë ekipeve mobile të cilat do t’u ofrojnë ndihmë personave të zhvendosur. Ekipet tona janë dërguar me 26 gusht”, është thënë në përgjigjen e OSBE-së, të pyetur se kur ka shkuar stafi i OSBE-së në Serbi për shpërndarjen e fletë-aplikacioneve.

Kurse, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, thonë se janë në dijeni për një punë të tillë, por nuk janë informuar zyrtarisht nga OSBE-je se çfarë është duke ndodhur në këtë drejtim.

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Florian Dushi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se në ditët në vijim presin njoftime zyrtare nga OSBE-ja.

“Nuk kemi ndonjë njoftim zyrtar. Ne presim që në ditët në vijim të kemi informata, nëse jo për numrin apo statistikat e këtij procesi, atëherë së paku të njoftohemi mbi mbarëvajtjen e këtij procesi. Ndërkohë, që në përmbyllje të këtij procesi ne sigurisht që do të kemi numrin e saktë të aplikantve që kanë aplikuar për t’u regjistruar si votues përkatësisht për të votuar në Serbi”, tha Dushi.

Dushi bëri të ditur se në shtetet në rajon dhe më gjerë ku jetojnë kosovarët, shpërndarja e fletë-regjistrimeve ka filluar më herët, kurse siç tha ai, ky proces në Serbi është i vonuar.

Unë mund të them se në të gjitha pjesët e tjera, flas sidomos për pjesët e shteteve për rreth dhe Evropës ku kemi edhe qytetarë shqiptarë të cilët janë të vendosur, ka filluar që më herët ky proces. Ndërkohë që në Serbi, për shkak të këtyre aranzhimeve dhe bisedimeve që kanë qenë në Bruksel, mund të them se është vonuar pak kjo çështje”, u shpreh Dushi.

Anëtari tjetër i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashi, nga Partia Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se OSBE-ja deri më tash nuk ka treguar se deri në çfarë nivel ka arritur me punë rreth shpërndarjes së fletë-aplikacioneve në Serbi për qytetarët që mund të kenë të drejtë vote në Kosovë.

OSBE-ja do të jetë ajo e cila do të vazhdojë dhe do t’i marrë fletë-aplikacionet edhe të gjitha ato që lidhen me procesin zgjedhor për qytetarët e Kosovës të komunitetit serb që jetojnë në Serbi. Ne akoma nuk kemi ndonjë raport lidhur me atë se deri në ç’masë ka shkuar niveli i realizimit të këtij procesi”, tha Gashi.

Gashi tha po ashtu se marrëveshja teknike që obligohet ta nënshkruajnë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe OSBE, për lehtësimin e zgjedhjeve në veri, ka nxitur disa reagime, pasi që, siç tha ai, OSBE-ja ka kërkuar disa kompetenca shtesë për zgjedhjet në veri.

Për shkak të gjendjes faktike në terren atje, OSBE-ja duke dashur të realizojë objektivat që i ka marrë nga marrëveshja e Brukselit në dukje, shihet se po kërkon diçka më tepër sesa ajo që përshkruhet në konkluzionet e Brukselit. Kështu që ne jemi duke e shqyrtuar atë sepse ne nuk mund të dalim jashtë konkluzioneve të Brukselit dhe jemi të obliguar t’i zbatojmë ato”, tha Gashi.

Sido që të jetë votuesi me të drejtë vote i cili përkohësisht mungon në Kosovë mund të votojë për zgjedhjet në Kosovë nëse ai ose ajo ka aplikuar suksesshëm për votim jashtë Kosovës dhe në përputhje me dispozitat ligjore dhe rregullat e KQZ-së.

Procesi i votimit nga jashtë Kosovës, realizohet përmes postës. Ky proces bazohet në dy periudha. Në periudhën e regjistrimit dhe periudhën e dërgimit të fletëvotimit.

Mirëpo, meqë posta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk funksionon, këtë detyrë përsipër e ka marrë Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG