Ndërlidhjet

Rrëfim pozitiv për zemrën


Sabit Neziri është baba i vajzës 12 vjeçare, e cila nga mosha 5 vjeçare kishte pasur probleme në zemër.

Ajo sapo është operuar, dhe ka pasur fatin që të operohet nga neurokirurgët kosovarë dhe ata turq, të cilët janë duke bashkëpunuar për një javë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Zoti Neziri flet për kushtet dhe kujdesin e vajzës së saj nga ana e mjekëve.

"Në moshën 5 vjeçare e kemi hetuar që ka një zhurmë në zemër. Me ndihmën e doktor Ramush Beiqit, kirurg i fëmijëve, me ndihmën e tij dhe të kolegëve të tij vajza është operuar. Ajo është në gjendje të mirë. Kushtet janë në nivelin e duhur, pastërtia, çdo gjë. I falënderoj shumë të gjithë për atë që kanë bërë për vajzën", thotë Neziri për Radion Evropa e Lirë.

Shërbimi i Kardiokirurgjisë është hapur këtë vit dhe kërkesat e pacientëve për operacione të hapura në zemër, janë të mëdha.

Bekim Dula, kardiokirurg, pohon se kardiokirurgjia po funksionon shumë mirë dhe operacionet e zemrës po vazhdojnë të kryhen aty.

Në Shërbimin e Kardiokirurgjisë po punohet në zemër të hapur me teknikën e re, pa asistim të aparatit të qarkullimit jashtë trupor, pra pa e ndalur punën e zemrës.

"Ky është fillimi i punës tonë, dalëngadalë do të vazhdojmë aktivitetin kardiokirurgjik. Këtë javë janë operuar 2 fëmijë, në bashkëpunim me ekipin nga Turqia. Do të vazhdojmë me operacione, kemi pacientë mjaft, dhe varësisht prej situatës do të bëjmë operacione. Do të vazhdojmë me operime edhe pas bashkëpunimit. Stafi dhe kushtet janë në nivel", shprehet Dula për Radion Evropa e Lirë.

Drejtori mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Nexhmedin Shala ka thënë se për një javë janë planifikuar 20 operacione të hapura në zemër, në kohën kur ekipi mjekësor nga Turqia po i ndihmon mjekët kosovarë.

"Është java e bashkëpunimit të ekipit mjekësor turk dhe atyre të QKUK-së. Të gjitha përgatitjet janë bërë me kohë. Sa i përket operacioneve në klinikën e kardiokirurgjisë, janë planifikuar 20 operacione për një javë, dhe do të realizohen sipas planit paraprak. Ekipet janë duke punuar me dy orare dhe janë mbështetur nga ekipet tjera, si reanimatologët", bën të ditur Shala.

Sipas zotit Shala, pritet që një grup mjekësh nga QKUK-ja ta vizitojë njërin nga spitalet e Turqisë, në mënyrë që të vazhdohet bashkëpunimi.

Derisa për bashkëpunimin mes mjekëve kosovarë dhe atyre turq, zoti Shala jep hollësi të tjera.

"QKUK i kryen gjitha këto operacione edhe vetë, por ideja me mjekët turq është qëllimi i përfitimit të përvojave të reja më bashkëkohore e që mundësitë financiare i lejojnë në Turqi, e jo tek ne. Stafi nga Turqia ka ardhur i përgatitur me pajisje që ne nuk i kemi të kompletuara. Stafi i QKUK-së ka operuar në zemër të hapur, dhe vazhdon, por edhe do të vazhdojë të kryejë intervenime të njëjta
", thekson Shala.

Sidoqoftë, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë kanë pohuar faktin se përveç anëve tjera pozitive që operacionet e hapura në zemër të kryhen brenda QKUK-së, kursehet edhe buxheti i këtij institucioni, duke mos pasur nevojë t’i dërgojnë pacientët për intervenime jashtë Kosovës.
XS
SM
MD
LG