Ndërlidhjet

Vazhdon avazi i vjetër për çështjen e emrit


Ilustrim
Ilustrim
Ruajtja e rekomandimit për çeljen e negociatave me BE-në, që u konfirmua për të pestën herë me radhë në Raport progresin të Komisionit Evropian për Maqedoninë, nuk do të shënojë asnjë lëvizje në raport me zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve ndërkombëtare, sipas të cilëve, në samitin e dhjetorit të Këshillit të ministrave, Athina sërish do të bllokojë procesin euro-integrues.

Pos kësaj, ish-diplomati Risto Nikovski, nuk pret lëvizje as nga raundi i ri i bisedimeve mes dy vendeve i paralajmëruar nga ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic. Madje, ai misionin e Nimicit e sheh si të dështuar, ndërsa thekson nevojën për iniciativa tjera nga ana e Maqedonisë.

“Për fat të keq, nuk ka hapësirë për të pritur diçka të re nga takimi i thirrur nga Nimici. Është më se e qartë se misioni i tij është harxhuar dhe se nga ai nuk mund të pritet asnjë zhvillim në drejtim të zgjidhjes së kontestit. Ai bëri atë që mund të bënte, edhe pse gati 20 vjet nuk arriti thuajse asgjë në afrimin e qëndrimeve ndërmjet palëve, e lëre më të ketë ndonjë zgjidhje".

"Pra, mendoj se është koha e fundit që ky proces ndërmjetësimi të ndërpritet dhe Maqedonia të kërkojë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së që pranimi i saj në Kombet e Bashkuara të jetë me emrin kushtetues
”, thotë Nikovski.

Megjithatë, ai Nikovski shprehet i bindur se edhe kjo kërkesë do të refuzohej, meqë pesë anëtarët e përhershëm të KS-së, do të refuzonin diçka të tillë.

“Mbështetje nga ta nuk kemi dhe kjo është më se e qartë. Nuk mund të presim asgjë nga ata që hapën procesin me suspendimin e emrit kushtetues të Maqedonisë gjatë anëtarësimit të saj në OKB. Ne tani nuk kemi asnjë rrugë-dalje nga situata, që nuk premton asgjë për Maqedoninë, e cila ndodhet e nënçmuar për dallim nga pala tjetër që vazhdon të jetë komode në këtë kontest”.

Prandaj, ne duhet të ndërmarrim diçka ndryshe nga procesi i deritanishëm, pasi edhe takimi i radhës, edhe pse i koordinuar me Brukselin, nuk do të japë asnjë rezultat“, thotë Nikovski, duke shtuar se edhe vet ndërmjetësi Nimic është i vetëdijshëm se pritjet janë minimale.

Po, për këtë gjendje pa rrugëdalje, fajtor kryesor, sipas analistit Albert Musliu, është pala maqedonase, e në veçanti politika e udhëhequr nga kryeministri Nikolla Gruevski, i cili në asnjë moment nuk ka treguar gatishmëri për arritjen e një kompromisi me Greqinë.

Musliu thotë për Radion Evropa e Lirë se Gruevski duhet ta ketë të qartë se pa kompromis, apo pa ndryshuar emrin, Maqedonia do nuk do të lëvizë për asnjë centimetër nga vendi ku gjendet.

Megjithatë, ai edhe në periudhën në vazhdim, nuk pret ndonjë ndryshim të pozicionit të tanishëm të partisë së Nikolla Gruevskit.

“Unë besoj se avazi i vjetër vazhdon, domethënë do të insistohet në mbrojtjen e qëndrimit në çështjen emocionale të emrit. Kështu që, në dy muajt e ardhshëm deri në samitin e dhjetorit të Këshillit të ministrave të BE-së, nuk pres që të ketë ndonjë ndryshim radikal dhe këtë e mbështes në lëvizjet e ditëve të fundit“, vlerëson Musliu.

Ai nuk përjashton, madje, edhe mundësinë e përkeqësimit të raporteve brenda partive të koalicionit qeverisës, për shkak të aktivitetit intensiv të BDI-së, që kërkon me çdo kusht zgjidhjen e shpejtë të kontestit dhe zhbllokimit të procesit integrues.

Kjo situatë, sipas Musliut, mund të përfundojë me prishjen e koalicionit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat në fokus do të kenë çështjen e emrit.

“BDI-ja zhvillon aktivitet më të madh diplomatik dhe tenton që partnerit të saj të koalicionit t'ia imponojë zhbllokimin e procesit euro-integures, ndërsa partia më e madhe në pushte VMRO-DPMNE-ja, do të vazhdojë me teorinë e mbrojtjes së interesave kombëtare dhe kështu të mbulojë bllokimin e procesit integrues“, thotë Musliu, duke konstatuar se me pozicionet e tilla, dy partitë mund të edhe të fitojnë zgjedhjet tek elektoratet e tyre dhe kështu të vazhdojë edhe më shumë izolimi i Maqedonisë.

Vetë kryeministri Gruevski, një ditë pas publikimit të Raportit të progresit, tha se emri nuk do të ndërrohet me asnjë çmim, pasi, siç u shpreh, “maqedonasit kanë qenë dhe do të mbeten të tillë”.
XS
SM
MD
LG