Ndërlidhjet

OSBE-ja: Siguria është çarë në veri


Policia pranë shkollës "Sveti Sava"
Policia pranë shkollës "Sveti Sava"
Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë është duke analizuar situatën që çoi në tërheqjen e vëzhguesve të saj nga qendrat e votimit në veri të Kosovës.

Rreziku për jetën e nëpunësve të OSBE-së, ka ndikuar që nga tri vendvotime në veri të Mitrovicës të evakuohen urgjent nga kjo pjesë, dhe ato qendra të mbesin pa mbikëqyrjen e këtyre të fundit.

Në selinë e këtij misioni në Prishtinë, pas mbylljes së vendvotimeve refuzojnë të komentojnë apo japin detaje për atë që ka ngjarë pas largimit të personelit të tyre nga tri qendrat e votimit në veri të Mitrovicës.

Persona të maskuar kanë hyrë rreth orës 17.00 në qendrat e votimit në shkollën “Shën Sava”, “Shkollën Teknike” dhe “Shkollën e Mesme të Mjekësisë”.

Në xhirimet e postuara nga mediet beogradase, shihen kuti të demoluara të votuesve, ndërsa raportohet edhe se listat e votuesve janë marr nga agresorët që sulmuan këto vendvotime.

“Personali i OSBE-së është larguar nga 3 qendra të votimit në veri të Mitrovicës. Ato janë qendra e votimit ‘Sveti Sava’, qendra e votimit ‘Shkolla teknike’ dhe qendra e votimit ‘Shkolla e mesme e mjekësisë’. Siguria e tyre ka qenë e rrezikuar dhe ne kemi vendosur që t’i tërheqim ata”, ka thënë Nikola Gaon për Radion Evropa e Lirë menjëherë pas këtij incidenti në veri.

Por pas mbylljes së vendvotimeve, ky mision thotë të mos ketë mundësi për të dhënë më shumë detaje për këtë incident.

I kontaktuar prapë, zëdhënësi i OSBE-së Nikolla Gaon përpos evakuimit të personelit të këtij mision, nuk jep detaje të tjera.

“Nuk kam ndonjë informatë shtesë tani, pasi po i konsolidojmë të dhënat”, thotë ai.

“Ne jemi në mes të një situate ku siguria është çarë. Tani po merremi me situatën, dhe kur të kemi të gjitha informatat do të japim detajet”, shton Gaon.

OSBE-ja është lehtësuese e procesit zgjedhor në veri të Kosovës, i cili është i banuar me shumicë serbe.

Këtë organizatë e ka akredituar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si pjesë e një kompromisi që ishte arritur në Bruksel, ndërmjet të kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në katër komunat veriore.

Sipas vëzhguesve të huaj, të cilët kanë qenë të pranishëm gjatë ditës së zgjedhjeve në veri, e gjithë ngjarja rreth incidentit po nxjerr në pah dobësinë që kishin forcat e rendit.

Daniel Hamilton ka shkruar në rrjetin social Twitter se është i befasuar me reagimin që ka parë për incidentin që shkaktuar ekstremistët në veri.

“Befasi qesharake. Një sulmues ndaj qendrës së votimit në veri të Kosovës është arrestuar jashtë shkollës Shën Sava, dhe është liruar pas 10 minutash”, ka shkruar Hamilton.

Në anën tjetër, raportet e medieve flasin për një dislokim të madh të forcave paqeruajtëse të NATO-së në Kosovë në drejtim të Mitrovicës.
XS
SM
MD
LG