Ndërlidhjet

Veriu brengos vëzhguesit e zgjedhjeve


Veri...
Veri...
Kërcënimet, frikësimet dhe pengimi i serbëve në veri për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme, janë brenga kryesore e vëzhguesve ndërkombëtarë për procesin zgjedhor në Kosovë

“Ne këtu po ua shpjegojmë njerëzve se nuk është në rregull që të votojnë në këto zgjedhje”, i shpjegonte një djalë i ri i veshur me rroba sportive një pensionisti që kishte shkuar për të votuar në veri të Mitrovicës, por nuk ia doli.

“Nuk jeni ju këtu për të shpjeguar gjë, por për të ushtruar presion ndaj qytetarëve. Prej jush njerëzit po frikësohen dhe nuk guxojnë të vijnë të votojnë”, ia ktheu zotëria që ndërpritet nga zhurma e një prej dhjetëra djemve që ishin mbledhur para kësaj qendre të votimit.

Bashkëshortja e tij që po e mbante për krahu, i kërkon atij që të largohen nga ky vend, sepse biseda mes tij dhe këtij grupi të djemve, po eskalonte.

“Eja të ikim, sepse e kam shtypjen e lartë, prej ditës së djeshme do të më eksplodojë koka”, këmbëngul ajo, derisa bashkë me të shoqin largohen nga kjo qendër votimi.

Frikësimi i votuesve në veri të Kosovës nga grupe të tilla njerëzish para qendrave të votimit, po del të jetë problemi kryesor që vëzhguesit ndërkombëtarë dhe ata lokalë kanë identifikuar në zgjedhjet e sotme.

“Mosbindja ndaj Beogradit po del të jetë po aq e madhe sot, sa mosbindja që serbët veriorë kanë ndaj Prishtinës".

Në këtë formë e shpjegon një vëzhgues ndërkombëtar që quhet Daniel Hamilton, vështrimin e tij për telashet që po ndodhin në veri të lumit Ibër në Mitrovicë.

Hamilton gjatë tërë ditës ka mbajtur gjallë punën e tij që po bënë në veri të Kosovës, në kuadër të 31 mijë vëzhguesve sa janë akredituar në përgjithësi në Kosovë.

Ai ka shkruar vazhdimisht për çdo zhvillim që ngjante në veri, bashkë me kolegët e tjerë evropian që të dielën janë dislokuar në katër komunat, të cilat për herë të parë po votojnë sipas ligjeve të Kosovës.

Vëzhgues të tillë si Hamilton janë plot në rrjetin social Twitter, të cilët po postojnë të dhëna dhe komente rreth asaj që po shohin dhe ndiejnë në këtë zonë.

Pascal Heyman, zëvendësdrejtori i Qendrës për Parandalimin e Konflikteve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë-OSBE, po ashtu është në një ekip vëzhgimi në veri.

“Sot kemi 240 persona të OSBE-së në 94 vendvotime, në 44 qendra votimi në 4 komunat veriore të Kosovës; nga 600 vëzhgues sa janë në vendvotime”, ka shkruar Heyman në Twitter.

OSBE-ja është lehtësuese e procesit zgjedhor në veri të Kosovës, i cili është i banuar me shumicë serbe.

Në këtë pjesë të territorit, pritet të udhëtojë edhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën, Samuel Zbogar.

Ai ka shfaqur shpresën se qytetarët në veri, do të votojnë si në pjesë të tjera të Kosovës, për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitimë.

Në anën tjetër, edhe diplomatët e akredituar në Prishtinë kanë përcjellë përvojën e tyre për procesin zgjedhor, në rrjetet sociale.

Kështu ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka shfaqur opinionin e saj, duke shpresuar se gjithçka do të ecën mbarë në ditën e zgjedhjeve.

“Po udhëtoj përreth Kosovës për të vëzhguar zgjedhjet. [Duke] shpresuar se ato do të jenë të qeta dhe fer, me një pjesëmarrje të mirë. Voto!”, ka shkruar diplomatja amerikane në Twitter.

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (BE MVZ), Roberto Gualtieri, i cili po inspektonte vendvotime dhe qendra të ndryshme të votimit në nivel vendi, tha për mediat se ky proces zgjedhor do të testojë marrëveshjen që Kosova dhe Serbia kanë pasur për këto zgjedhje.

“Jemi këtu si vëzhgues, për të marrë pjesë në këtë proces. Me metodologjinë tonë, ne do të jemi neutralë dhe të paanshëm. Të martën në mëngjes unë do të paraqes deklaratën tonë preliminare, ndërsa më vonë do të paraqesim raportin tonë të plotë, në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Gualtieri për mediat.

Sipas Gualtierit, misioni vëzhgues evropian ka pranuar informata për probleme në disa pjesë të Kosovës, të cilat pas verifikimit, do t’i paraqesë edhe në raportin përfundimtar.
XS
SM
MD
LG