Ndërlidhjet

logo-print
Në Klinikën gjinekologjike obstetrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, çdo ditë lindin deri në 50 foshnje.

Këtë e thotë Mynavere Hoxha, shefe e njësisë së kujdesit intensiv neonatal.

Sipas zonjës Hoxha, çdo vit në njësinë e kujdesit intensiv trajtohen nga rreth 3 mijë fëmijë, derisa 1,100 fëmijë lindin para kohe, e që kanë nevojë për kujdes.

Ndërkaq, shkalla e vdekshmërisë se foshnjave në Kosovë në vitin 2000 ka qenë 29 vdekje në 1 mijë lindje, derisa 11 vjet pas, vdekshmëria ka rënë në 17 vdekje në 1 mijë lindje, bëjnë të ditur zyrtarët shëndetësorë.

Merita Vuthaj, zyrtare për shëndetin e nënës dhe fëmijës në Ministrinë e Shëndetësisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në vitin 2012 nga institucionet shëndetësore të Kosovës, përfshire edhe ato publike dhe private, janë raportuar rreth 29 mijë lindje.

"Me rreth 29 mijë të porsalindur, të gjallë janë 28 mijë e 664 derisa vdekje fatale kanë qenë 284 për vitin 2012 dhe vdekje të hershme neonatale janë raportuar 218 me gjithsej 8.61 promil. Gjithsej janë regjistruar 502 vdekje dhe për vitin 2012, vdekshmëria perinatale është 17. 34 promil. Vdekshmëria perinatale tregon një trend të rënies krahasuar me vitet paraprake, p.sh. në vitin 2000 ka qenë 29.1 promil, në vitin 2012 ka qenë 17.34 promil", shpjegon Vuthaj.

Sipas zonjës Vuthaj, nëse krahasohet vdekshmëria e foshnjave me vendet e Bashkimit Evropian, në Kosovë mbetet e lartë.

"Ne konsiderojmë se ende ballafaqohemi me problemin e vdekshmërisë së lartë të foshnjave, me që jemi larg standardeve që e kanë shtetet e Evropës".

Ndërkaq zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se që nga viti 2000, në Kosovë janë bërë investime në ngritjen e shkathtësive dhe njohurive të punëtorëve shëndetësorë, në mënyrë që të bie sa më shumë vdekshmëria e foshnjave.

Sami Uka, zyrtar nga kjo organizatë jep hollësi të tjera.

"Organizata Botërore e Shëndetësisë që nga viti 2000 ka filluar me investimet në ngritjen e shkathtësive dhe njohurive të punëtorëve shëndetësorë për menaxhimin e nënave shtatzëna, shtatzënisë dhe lindjeve si dhe fëmijëve të porsalindur dhe kjo ka ndikuar në uljen e vdekshmërisë së foshnjave dhe nënave, e që reflektohet në raportet perinatale në Kosovë", bën të ditur Uka.

Sipas tij, vdekshmëria e hershme neonaltale ka pësuar rënie ndër vite, e që nga kjo organizatë konsiderohet si sukses.

"Një ulje e tillë mendojmë që nuk është meritë vetëm e OBSH-së por është arritur me kontributin tonë, me angazhimin maksimal të punëtorëve shëndetësorë, të cilët i kanë pranuar praktikat e rekomanduara të OBSH-së dhe organizmave tjerë relevantë shëndetësorë, ndryshimin e praktikave të panevojshme apo jo plotësisht të bazuara në dëshmi, në praktika më të mira, të bazuara në praktika shkencore", thotë Uka.

Sidoqoftë ministri i Shëndetësisë Ferid Agani është zotuar se synimi i Ministrisë së Shëndetësisë është që të bie koeficienti i mortalitetit nën 10, apo 10 të vdekur në 1 mijë foshnje të lindura.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG