Ndërlidhjet

Shkup: Padi për përmendoren e Car Dushanit


Përmendorja e Car Dushanit
Përmendorja e Car Dushanit
Këshilli organizativ për zhvendosjen e përmendores së Car Dushanit i iniciuar nga Shoqata Kulturore e Shqiptarëve të Maqedonisë, në bashkëpunim me Institutin për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë dhe disa shoqata të tjera shqiptare, të martën, në Prokurorinë e Maqedonisë kanë dorëzuar padi për hetimin e vendosjes së përmendores në fjalë në urën e civilizimeve - "Syri".

Kryetari i Shoqatës Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, Daim Hiseni ka sqaruar se me këtë padi, këshilli organizativ kërkon zbulimin e institucionit që ka vendosur përmendoren, dhe hetimin e ligjshmërisë dhe rregullsisë së procedurës për vendosjen e saj.

“I propozojmë Prokurorisë Publike që pasi të pranojë fletëparaqitjen penale, t'i grumbullojë të gjitha dëshmitë e shkruara dhe ato gojore, pastaj t'i detyrojë dhe obligojë organet kompetente për gjetjen dhe zbulimin e atyre që e kanë kryer këtë vepër. Nëse ka mbetur pak ndërgjegje e pastër tek institucionet shtetërore dhe sado pak i respektojnë dispozitat pozitive të ligjeve në fuqi, kërkojmë që në një afat sa më të shkurtër lëndën ta procedojnë në gjyq dhe në fund drejtësia për këtë padrejtësi të bërë, të thotë fjalën e vet”, ka deklaruar Daim Hiseni.

Ai shtoi se është e pakuptimtë që përderisa të gjitha institucionet shtetërore u distancuan nga përgjegjësia për vendosjen e përmendores në fjalë, pjesëtarët e policisë e mbrojnë të njëjtën.

“Ja ku i shihni vetë organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në krye me ministren Gordana Jankullovka, që të mbrohen monumente e egra siç është përmendorja në fjalë dhe e gjithë kjo që të provokojë dhe nxit urrejtje ndëretnike në mesin e popullatës këtu në Maqedoni”, është shprehur Hiseni.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme edhe më tej nuk ka marrë përgjegjësi për zbulimin dhe përndjekjen e personave që kanë vendosur, përmendoren e Car Dushanit, duke nënvizuar se nuk janë kompetentë për zbulimin e autorëve të këtij ndërtimi.

Autoritetet e komunës qendër kanë deklaruar se bëhet fjalë për ndërtim të egër dhe vendosja e përmendores është në kundërshtim me planet urbanistike dhe e njëjta është vendosur pa asnjë vendim zyrtar.

Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Çairit, njëherësh dhe nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, Izet Mexhiti, për Radion Evropa e Lirë ka konfirmuar se ka qenë i pranishëm bashkë me disa ministra dhe deputetë nga Shkupi në tentimin për të rrënuar përmendoren e Car Dushanit tre net më parë.

“Po, kemi qenë atë natë kur u tentua rrënimi i përmendores së Car Dushanit, por njëherësh duhet të zbardhet kush e vendosi përmendoren në fjalë dhe pastaj ne jemi të gatshëm të flasim për pasojat".

"Ne këtë çështje do ta sqarojmë në detaje, por e përsëris, presim të zbulohet se cili institucion ka vendosur këtë përmendore, kush e ka porositur, kush ka paguar për të, pra njëherë presim kjo të zbardhet tërësisht dhe më pas jemi të gatshëm të ballafaqohemi me pasojat me të cilat do të përballemi të gjithë ne që ishim të përfshirë në natën ku u tentua rrënimi i saj", tha Mexhiti.

Por, këtij qëndrimi i është kundërvënë sërish kryetari i Partisë Demokratike Serbe në Maqedoni, Ivan Stoillkoviq, duke theksuar se përmendorja e Car Dushanit në asnjë mënyrë nuk paraqet “ndërtim të egër” por është pjesë përbërëse e projektit Shkupi 2014 .

“Nëse projekti Shkupi 2014 është projekt shtetëror, atëherë si mund të jetë një përmendore, e cila është pjesë përbërëse e projektit në fjalë, të jetë ndërtim i egër. Pra këtu nuk ka asgjë kontestuese, kontestuese është ajo se bëhet një fushatë kundër kësaj përmendoreje se gjoja është ndërtim i egër, që të provokohen disa forca të caktuara që të bëjnë probleme”, ka theksuar Stoillkoviq.

Ai tha se pse nuk ngrihet procedurë për të verifikuar se kush i ka ndërtuar gjithë ato përmendore të cilat janë të vendosua në urën e civilizimeve të quajtur “Syri”.

Ndryshe, vendosja e përmendores së Car Dushanit ka nxitur reagime të shumta në vend, ndërkohë që ajo vazhdon të qëndrojë në vendin e caktuar, e siguruar nga forca policisë së rregullt si dhe pjesëtarëve të njësive për ndërhyrje të shpejtë, të cilët patrullojnë pranë urës së civilizimeve në pjesën qendrore të Shkupit, aty ku është vendosur edhe përmendorja në fjalë.
XS
SM
MD
LG