Ndërlidhjet

Simbolet krijojnë përplasje në veri


Mitrovicë, foto nga arkivi
Mitrovicë, foto nga arkivi
Mbledhja konstituive e Kuvendit të komunës së Mitrovicës së veriut, do të mbahet më 24 dhjetor.

Kuvendi i ardhshëm komunal i Mitrovicës së veriut do t'i ketë 19 këshilltarë komunalë. Nga 6 këshilltarë komunalë do t'i kenë Iniciativa qytetare Serbe, si dhe Iniciativa qytetare "Serbia, demokracia, drejtësia, e Oliveri Ivanoviqit.

Tre këshilltarë komunal do t'i ketë Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq nga një do t'i kenë Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe Partia e Aksionit Demokratik e Boshnjakëve.

Por, fletë-ftesa, të cilën kryetari i zgjedhur i komunës së Mitrovicës së veriut, Krstimir Pantiq, tashmë ua ka dërguar këshilltarëve komunalë, përfshirë edhe ata shqiptarë, ka ngjallur reagime dhe polemika.

Fletë-ftesa, ndër elementet tjera, përmban foton e Shën Dimitrit, figurë kjo që nga serbët konsiderohet si mbrojtës i pjesës veriore të Mitrovicës, pastaj, emërtimi Kosovo me fusnotë, në të cilën sqarohet, siç thuhet, "emërtimi pa prejudikim të statusit dhe në përputhje me Rezolutën 11244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe mendimin e Gjykatës ndërkombëtare të së drejtës për deklaratën e pavarësisë së Kosovës".

Këshilltarët komunalë shqiptarë të Mitrovicës së veriut, kanë paralajmëruar se do ta shqyrtojnë mundësinë që të mos marrin pjesë në inaugurim, në qoftë se nuk marrin fletë-ftesa të tjera.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, këtë e ka pohuar Agim Deva nga Partia Demokratike e Kosovës. Ai e ka vlerësuar si të pamatur veprimin e Pantiqit, duke thënë se veprimet e tilla nxisin mosbesim.

"Në të vërtetë, është i pakuptueshëm lajmërimi i këtyre pamfleteve, thirrjeve të themi, të cilat nuk kanë kuptim. Në momentin e duhur, kur bashkësia ndërkombëtare dhe ne shqiptarët, me të vërtetë mendojmë të jetojmë së bashku, të krijojmë një atmosferë të besimit - na vijnë këto thirrje, të cilat nuk i përkasin, besoj, as pjesës më të madhe të popullatës serbe që është në veri. Nëse këto mbesin edhe më tutje, atëherë shqiptarët nuk do të marrin pjesë (në mbledhjen konstituive), sepse nuk dëshirojmë të bëhen pjesë e një spekulimi dhe mosbesimi ndaj njëri- tjetrit”, ka deklaruar Deva.

Në anën tjetër, Milan Ivanoviq, kryetar i Iniciativës qytetare "Serbia, demokracia, drejtësia", i ka thënë Radios Evropa e Lirë se e ka marrë fletëthirrjen dhe sa i përket përmbajtjes, ajo është korrekte në kuptimin politik. Megjithatë, sipas tij, në këtë moment është dashur të shmangen simbolikat e tilla.

"Unë e kam marrë fletë-ftesën dhe kam vërejtur vetëm se Kosova është me yll apo fusnotë, gjë që në kuptimin politik është në mënyrë absolute korrekte. Kosova për ne nuk është republikë, e sidomos nuk është shtet i pavarur, sepse Kosova me yll, gjithsesi është sipas Rezolutës 1244 të KS të KB”.

“Unë, megjithatë, angazhohem që ta shmangim këtë simbolikë, e cila në anën tjetër, mund të jetë arsye për përplasje ose ndonjë mosmarrëveshje. Do t'i sugjeroj zotit Pantiq që mbledhjen solemne ta organizojmë në atë mënyrë që në të, të jenë të pranishëm të gjithë deputetët, e jo vetëm serbët"
, ka theksuar Ivanoviq.

Ai gjithashtu ka theksuar se janë në vazhdim e sipër bisedimet me Iniciativën qytetare Serbe për formimin e pushtetit komunal në Mitrovicën e veriut.

Sipas tij, mundësia që pas konstituimit të Kuvendit komunal të Mitrovicës së veriut, nënkryetar të jetë një shqiptar, mbetet krejtësisht e hapur.

“Fillimisht, duhet ta kenë të gjithë të qartë se ne kemi dalë në zgjedhje sipas rregullave të Kosovës, të cilat parashohin që nga pakica, e cila përbën 10 për qind ose më shumë, e në këtë rast shqiptarët përbëjnë më shumë se 10 për qind, do të zgjidhet zëvendëskryetari. Për mua kjo është krejtësisht logjike, sepse nëse po dëshirojmë të ndërtojmë ura të mirëbesimit, atëherë duhet filluar me atë që njeriut nga mjedisi i tyre, t’i japim pozicion që do t’i mundësonte që të veprojë në mënyrë aktive për zgjidhjen e problemeve të asaj pakice”, është shprehur Ivanoviq.

Ndërkaq, Agim Deva ka theksuar se dëshiron që Mitrovica e veriut edhe më tutje të jetë shumetnike dhe, siç ka theksuar ai, të mbretërojë arsyeja, të punohet për ndërtimin e mirëbesimit dhe që qytetarët të jetojnë në harmoni.

“Pasi që jam qytetar i vjetër i pjesës veriore, e njoh mentalitetin e trevës dhe të kaluarën e Mitrovicës veriore. Unë i thërras qytetarët e pjesës veriore, sidomos kombësinë serbe, që ta pranojnë realitetin e krijuar. Krejt Evropa është e kthyer kah ne që të jetojmë së bashku, të jetojmë në harmoni, të mundësojmë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe besoj që Mitrovica ka me qenë ajo që ka qenë para 20 apo 30 vjetësh. Vetëm kështu mund të jetojmë bashkë dhe të krijojmë një harmoni”, ka potencuar Deva.

E, Oliver Ivanoviq i ka porositur qytetarët e Mitrovicës së veriut që të bëjnë përpjekje serioze që të jenë pjesë e procesit politik, i cili aktualisht po zhvillohet në këtë pjesë të Kosovës.

“Nuk mjafton bojkoti dhe ‘shmangia në një anë’. Thjesht, kjo nuk mjafton dhe nuk ka mjaftuar kurrë. Në anën tjetër, ne duhet të kërkojmë nga Qeveria e Serbisë, të cilën e kemi adresë të vetme për t’iu drejtuar, që të na japë sqarime shtesë dhe garanci të caktuara. Qytetarët sërish duhet të kenë më tepër besim në vete”.

“Ata duhet të organizohen, sepse partitë politike ekzistojnë për këtë qëllim, jo për të fituar apo humbur zgjedhjet, por që nëpërmjet partive politike dhe institucioneve të sistemit të veprohet, në mënyrë që Qeveria e Serbisë ta kthejë vëmendjen drejt nesh. Ne jemi elementë të marrëveshjes së Brukselit dhe ky është elementi kyç. Për gjithçka që është bërë marrëveshje në Bruksel, duhet të zbatohet edhe këtu. Për këtë arsye, mendoj se qytetarët duhet të orientohen kah një qasje më aktive dhe jo të presin që dikush këtë t’ua kumtojë përmes medieve”,
ka thënë Ivanoviq.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG