Ndërlidhjet

Maqedoni: Shqetësime nga niveli i ndotjes së ajrit


Pamje nga Maqedonia
Pamje nga Maqedonia
Ndotja e ajrit ka ngritur sërish në këmbë organizatat joqeveritare në Maqedoni, të cilat kërkojnë veprime konkrete nga institucionet shtetërore, për siç thonë, parandalimin e një katastrofe ekologjike në vend.

Tani protestat janë zhvendosur në Tetovë, ku situata vlerësohet alarmante, pasi matjet e fundit të ndotjes kanë rezultuar me prani të madhe të grimcave të ngurta helmuese, MP10.

Në protestën e së dielës me moto “Stop ndotjes kancerogjene të Tetovës”, u tha se ndotja e ajrit në këtë rajon është 17 herë mbi normat e lejuara. Këshilli i organizativ i protestës, kërkoi nga qeveria veprime konkrete, e jo masa, të cilat janë miratuar, por që ende nuk po zbatohen në praktikë.

Para së gjithash kërkohet mbyllja e një kombinati metalurgjik që vlerësohet të jetë edhe ndotësi më i madh në këtë zonë.

“Kërkesat tona janë të qarta; qeveria t'i mbyllë të gjithë kapacitetet industriale që paraqiten si ndotës më të mëdhenj, derisa t'i implementojnë standardet e nevojshme ekologjike nëpërmjet vënies së filtrave në oxhaqet e tyre; urgjentisht të zgjidhet çështja e deponive të egra në rajonin e Pollogut. Inspektoratet qeveritare dhe komunale të mbrojtjes së mjedisit të ndëshkojnë konform ligjeve në fuqi të gjithë ata persona që ilegalisht ndezin goma dhe materiale tjera në komunën e Tetovës dhe rreth saj“, tha Ngadhënjim Mehmeti, nga këshilli organizativ.

Ai theksoi se protesta e së dielës nuk ka ngjyrime politike, ideologjike, fetare apo etnike, por se të gjithë qytetarët janë bashkuar që në mënyrë energjike të reagojnë për sigurimin e një ambient normal për jetesë.

Nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor thanë se po ndjekin situatën me ndotjet e ajrit. Ministri Abdilaqim Ademi tha se afati i fundit për plotësimin e kushteve ekologjike është muaji prill dhe pas kësaj, të gjitha kompanitë apo fabrikat që nuk përmbushin kriteret, do të mbyllen.

“Ne nuk mund të sillemi me standarde të dyfishta, ndaj atyre që kanë investuar dhe atyre që nuk kanë investuar. Një prilli do të jetë fundi kur ato do të funksionojnë pa standarde ekologjike. Unë e di se në këto kombinate ka shumë të punësuar, mund të jenë me disa mijëra, por për ne më me rëndësi është ambienti dhe shëndeti i qytetarëve, pasi ne nuk mund të tolerojmë që një kombinat metalurgjik të helmojë qindra mijëra qytetarë për shkak se aty ka 1 mijë qytetarë që sigurojnë kafshatën e bukës për 1 mijë familje“, tha ministri Ademi.

Ai theksoi se gishti nuk duhet drejtuar vetëm nga ministria që ai drejton, por edhe nga institucionet tjera, të cilat janë të obliguara që të zbatojnë masat që miratohen nga qeveria. Sipas tij, ndotja e ajrit nuk vjen vetëm nga kombinatet metalurgjike siç pretendojnë organizatat joqeveritare:

“Duke filluar nga industria, komunikacioni, aktivitetet ndërtimore dhe amvisëritë, andaj nuk e di se në çka bazohen organizatat joqeveritare kur thonë se 99 për qind ndotja vjen industria. Pra, them se kjo është e ndarë në mënyrë proporcionale, 25-30 për qind ndotja vjen nga industritë pastaj nga komunikacioni, ndërtimtaria dhe amvisëritë”.

Si pasojë e ndotjes së ajrit është rritur edhe numri i vizitave te mjeku. Nga spitali i Tetovës kanë bërë të ditur se periudhën e fundit është rritur për rreth 30 për qind më shumë numri i pacientëve që kryesisht ankohen për pengesa në organet e frymëmarrjes.

Me qëllim mbrojtjen e qytetarëve, shumë institucione kanë filluar të aplikojnë edhe vendimin për lirimin nga puna të personave të moshuar, grave shtatzëna, si dhe atyre me sëmundje të zemra, ndërkohë që janë duke u shqyrtuar edhe masa të tjera, përfshirë edhe reduktimin e lëvizjes së makinave në komunikacion.
XS
SM
MD
LG