Ndërlidhjet

logo-print

Varroset Ariel Sharon

  • RFE /RL

Varrimi i Ariel Sharon

Varrimi i Ariel Sharon

Ish-kryeministri izraelit, Ariel Sharon, është varrosur në fermën e familjes së tij në jug të Izraelit.

Sharon ka vdekur të shtunën në moshën 85-vjeçare, pas tetë vjetësh në komë.

Personalitete nga 21 vende, kryesisht nga Evropa, kanë marrë pjesë në funeral.

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se Sharon ka qenë një njeri, “ylli udhëzues” i të cilit ishte siguria dhe mbijetesa e shtetit izraelit.

Presidenti i Izraelit, Shimon Peres, ka thënë se Sharon nuk ka pushuar kurrë në mbrojtjen e vendit të tij.

“Po e shoqërojmë për në banesën e fundit një ushtar, një ushtar të jashtëzakonshëm, një komandant, i cili ka ditur se si të fitojë; një udhëheqës i cili ka ëndërruar; një njeri që na ka magjepsur edhe gjatë orëve më të vështira”, ka thënë Peres.

Sipas kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, “kontributi unik i Sharonit në sigurinë e Izraelit është gdhendur në faqet e historisë së popullit izraelit”.

“Ariel e ka ditur se në çështjet e ekzistencës dhe të sigurisë sonë, ne duhet të qëndrojmë të fortë. Ne u jemi ngjitur këtyre parimeve. Izraeli do të vazhdojë të luftojë terrorizmin. Izraeli do të vazhdojë të luftojë për paqe, duke mbrojtur sigurinë tonë. Izraeli do të veprojë në çdo mënyrë për të ndaluar Iranin nga armatosja me armë bërthamore”, ka thënë Netanyahu.

I dërguari ndërkombëtar për Lindjen e Mesme, Tony Blair, e ka përshkruar Sharonin si njeri “të guximshëm dhe të palëkundur”.

Askush nga bota arabe, Afrika apo Amerika Latine nuk ka marrë pjesë në ceremoninë e sotme.

Roli aktiv i Sharonit në katër luftëra, nga pavarësia e Izraelit më 1948 deri më 1973, dhe më pastaj në qeveri si njeriu që ka urdhëruar pushtimin e Libanit më 1982, ka bërë që të mos pëlqehet në gjithë botën arabe.

Palestinezët e kanë parë atë si kriminel lufte, për shkak të masakrës së vitit 1982 që ka kryer milicia e krishterë në kampet e refugjatëve Sabra dhe Shatila.

Një hetim i izraelitëve ka konstatuar se Sharon ka qenë përgjegjës për dështimin e parandalimit të vrasjeve.

Sharon është varrosur në një vend rreth 10 kilometra larg Gazës. Ai do të qëndrojë pranë gruas së tij Lili, e cila ka vdekur në vitin 2000.(v.tela)
XS
SM
MD
LG