Ndërlidhjet

Fondi i Kursimeve Pensionale: 71 milionë euro kthim nga investimet


Ilustrim
Ilustrim
Aksionet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, gjatë vitit 2013 kanë shënuar rritje për 8.5 për qind, shprehur në vlerë monetare, kthimi nga investimet gjatë vitit që lëmë pas, është 71 milion euro.

Në një konferencë për media, përfaqësues të Fondit të Kursimeve Pensionale, bëjnë të ditur, se në vlerë nominale kthimi në investim prej 71 milionë euro gjatë vitit 2013 është rezultati më i mirë që ky fond ka arritur ndonjëherë.

Pjesa më e madhe e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës është investuara në tregjet ndërkombëtare dhe atë në kompani të njohura botërore siç janë Apple, Microsoft, General Electric, Johnson & Johnson, Google, Chevron, Nestle, Toyota, Coca-Cola dhe në shumë kompani tjera të njohura botërore.

Ky fond, gjatë vitit 2013 ishte investuar edhe në Kosovë dhe atë ne letrat me Vlerë të Qeverisë së Kosovës.

Kryesuesi i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale, Ymer Havolli bënë të ditur se pjesa më e madhe e kthimit nga investimet u arrit nga tregu i aksioneve në tregjet e zhvilluara, që kishin rreth 35 për qind të portofolit investues.

“Në fushën e investimeve, fondi i kursimeve pensionale të Kosovës, mund të thuhet se pati një vit të suksesshëm. Viti 2013 u mbyll më një kthim bruto nga investimet prej rreth 71 milion euro, ose një rritje neto prej 8.5 për qind të çmimit të aksionit. Në vlerë nominale ky është rezultati më i mirë në fushën e investimeve që fondi e ka arritur ndonjëherë. Vetëm për dy vjetët e fundit, kthimi bruto nga investimet e fondit është rreth 125 milion euro”, tregon Havolli.

Investimi në masë më të madhe i këtyre mjeteve në tregjet ndërkombëtare dhe jo në Kosovë, kishte pasur kritika nga disa ekspert të çështjeve ekonomike.

Ata kishin konsideruara që futja e këtyre mjeteve në ekonominë e Kosovës do të në ndikonte në zhvillimin e proceseve ekonomike.

Por, sipas Havollit investimi i këtyre mjeteve bëhet sipas parimit të sigurisë së mjeteve, parimit të interesit të kontribuueseve dhe kthimi.

“Ne në të gjitha vendimet që kemi marrë për investim jemi përpjekur ta balancojmë rrezikun me fitimin, çfarë rreziku po ndërmarrim për mjetet që po investojmë për një kthim i cili do të jetë i kënaqshëm për ne dhe kontribuuesve. Nëse ne do të merrnim rrezik më të madh ndoshta do të realizonim më shumë, por rreziku në kushtet e funksionimit të tregjeve financiare është i paparaparë”, sqaron Havolli.

Në anën tjetër, krahasuar me vendet e rajonit, pensionet në Kosovë janë më të ulëtat.

Mesatarja e një pensioni në Kosovë është rreth 85 euro, derisa Maqedonia ka një pension mesatar prej mbi 200 euro, Shqipëria 175 euro, Mali i Zi 270 euro derisa ne Serbi mesatarja e një pensioni është 190 euro.

Drejtori i menaxhmentit të Trustit Pensional të Kosovës, Ardian Zalli thotë se pensionet në Kosovës janë më të ulëtat në rajon për faktin se kontributet nuk janë të larta.

“Ndoshta do të duhej të kishte më shumë kontribut apo më shumë ndalje nga paga e punëtorit dhe punëdhënësi dhe të paguhet më shumë. Mos të harrojmë se në Kosovë sa i përket kësaj skeme paguhet më së paku si përqindje në krahasim me rajon. Ka vende tjera ku paguajnë deri në 20 për qind kontribut”, shton Zalli.

Lidhur me këtë, Ruzhdi Morina anëtarë i Bordit të Kursimeve Pensione, thotë se çështja e pagesave është e lidhur edhe me standardin e përgjithshëm të kosovarëve.

“Me ligj 5 për qind kontribut për pension është minimumi. Secili nga ne mund të paguajmë më shumë nga paga jonë, apo punëdhënësi të paguaj më shumë. Ne mundemi me rrit përqindjen deri në 15 për qind, pra ka nivel të tolerancës, Por, sigurisht që niveli i përgjithshëm i pagave në Kosovë nuk na mundëson të paguajmë më shumë”, shton Morina.

Trusti i Kursimeve Pensionale aktualisht menaxhon 913 milionë euro me mbi 400 mijë llogari të kontribuuesve.
XS
SM
MD
LG