Ndërlidhjet

Maqedonia, e gatshme për zgjedhjet presidenciale


Mbledhje e Komisionit Shtetëror Zgjedhor të Maqedonisë

Mbledhje e Komisionit Shtetëror Zgjedhor të Maqedonisë

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në kuadër të kompetencave ligjore, si dhe obligimeve, pas shpalljes së zgjedhjeve për president të Republikës së Maqedonisë.

Ministrja Gordana Jankullovska ka thënë se në pajtim me dispozitat nga Kodi Zgjedhor, ministria që ajo drejton e deri te KSHZ-ja, në formë të kriptuar, i ka dorëzuar të dhënat, me të cilat disponon për përgatitjen e listës zgjedhore.

“Tashmë është formuar edhe Shtabi operativ, i cili duhet t'i planifikojë dhe realizojë të gjitha aktivitetet në kuadër të zgjedhjeve, të cilat aktivitete do të ndahen në tri faza: periudha parazgjedhore, që përfshin edhe fushatën, ditën e zgjedhjeve dhe periudhën pas mbylljes së vendvotimeve”, ka deklaruar Jankullovska.

Ajo ka shpjeguar se në periudhën e ardhshme do të formohen edhe shtabe rajonale, të cilat do të kenë për detyrë që në terren t'i përcjellin ndodhitë në periudhën parazgjedhore, të këmbejnë informata me Shtabin republikan dhe të ndërmarrin masa adekuate.

Ndërkohë, Komisioni Shtetëror Zgjedhor, të mërkurën ka shqyrtuar propozim-vendimin për konfirmimin e shpenzimeve për aktivitetet zgjedhore të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.

Si më problematik është cilësuar verifikimi i Listës zgjedhore, gjegjësisht spastrimi i saj nga votuesit fiktivë.

“Do theksuar se Lista Zgjedhore pas marrjes së të dhënave nga dikasteri i policisë, do të jetë në shqyrtim publik 20 ditë të plota nga ana e qytetarëve, gjegjësisht prej 16 shkurt deri më 7 mars, ku të gjithë shtetasit e Maqedonisë do të kenë qasje tek e njëjta dhe, eventualisht, nëse kanë ndonjë vërejtje, të bëjnë kërkesë deri tek institucioni ynë për t`i eliminuar ato”, ka shpjeguar nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.

Sipas tij, janë ndërmarrë të gjitha aktivitetet për të përmbushur rekomandimet nga ODIHR-i dhe OSBE-ja.

Duke komentuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare paralelisht me ato presidenciale, Jakupi ka thënë se konsideron që institucionet shtetërore, përgjegjëse për realizmin e zgjedhjeve, janë të gatshme t`i përgjigjen kësaj sfide, ashtu si edhe gjatë vitit 2009, kur dhe u realizuan zgjedhjet vendore me ato presidenciale. Megjithatë, ai ka shprehur drojën se mund të paraqiten një varg problemesh teknike.

“Është shumë normale që të themi se nëse mbahen paralelisht zgjedhjet e parakohshme parlamentare, me ato presidenciale, të hasim në vështirësi sa i përket aspektit teknik të organizimit. Më duhet të theksoj se kjo çështje nuk varet nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, por është kompetencë e kryetarit të Parlamentit, i cili bën edhe shpalljen e zgjedhjeve”.

“Nëse kjo ndodh, unë, me përgjegjësi e theksoj se do të kemi probleme teknike, por nuk mund të themi se nuk do të mund të jemi të gatshëm që të ballafaqohemi me këtë sfidë, gjegjësisht mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale eventualisht dhe me zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, ka theksuar Jakupi.

Ndryshe, ministrja Gordana Jankullovska ka theksuar se vëmendje të posaçme do t`i kushtohet respektimit dinjitoz të nenit 128 nga Ligji për punë të brendshme, sipas të cilit jashtë orarit të punës nëpunësit policorë nuk guxojnë të vendosen në funksion të partive politike, të mos e prishin rendin dhe qetësinë publike dhe prestigjin e Ministrisë dhe të përmbahen nga çfarëdo lloj provokimesh të aktiviteteve të partive politike.

Në këtë dimension nuk janë shprehur dhe aq optimistë analistët politikë si dhe përfaqësuesit e sektorit civil. Sipas tyre, veçanërisht punonjësit administrativë gjatë fushatave zgjedhore vihen në shërbim të partive në pushtet, si pasojë e presioneve të ndryshme që u bëhen nga drejtuesit e institucioneve shtetërore.
“Ende pa filluar fushata zgjedhore, ne shohim se kemi të bëjmë me një varg projektesh, të cilat promovohen nga pushteti, kushtimisht thënë me gjuhën e popullit ‘hapja e gropave për ndërtim’. Gjithashtu, janë evidente konkurset e shpallura nga institucionet shtetërore për punësim, gjegjësisht kemi të bëjmë me mbi 1000 vende të reja pune, andaj i bëjmë thirrje KSHZ-së që t’i ndjekë në këto veprime dhe të veprojë nëse ka shkelje të Ligjit për parandalimin e korrupsionit që nga shpallja e mbajtjes së zgjedhjeve”, ka theksuar Ana Janevska – Delleva, nga Organizata joqeveritare “Transparency International” për Maqedoninë.
XS
SM
MD
LG