Ndërlidhjet

Nuk ka rekomandime për UP-në, ndryshohet ligji


Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar rekomandimet e opozitës për tejkalimin e gjendjes në Universitetin e Prishtinës.

Nga 93 deputetët e pranishëm në sallë, për rekomandimet kanë votuar 53 deputet, 4 kanë abstenuar kurse pjesa tjetër e deputetëve, kryesisht nga radhët e partive në koalicionin qeverisës vetëm kanë qëndruar në sallë dhe nuk kanë votuar fare.

Sipas kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, rekomandimet është dashur të marrin të paktën 61 vota.

Rekomandimet për tejkalimin e gjendjes në UP janë prezantuar nga Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri.

Mes tjerash, Beqiri ka lexuar edhe pjesën që flet për ndryshimet statusore dhe vërtetimin e gradave akademike, si pjesë e kërkesave që kishin shprehur edhe studentët dhe organizatat tjera gjatë protestave që quan deri te dorëheqja e rektorit dhe struktutës udhëheqëse të Universitetit të Prishtinës.

“Të vlerësohet përgjegjësia e ministrit dhe Këshillit Drejtues të UP-së për mos përcjelljen me kohë të zhvillimeve në Universitetin e Prishtinës dhe mos marrjen e masave të duhura".

"Qeveria e Kosovës të ndërmerr hapa konkret dhe sa më shpejt të procedoj ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe të statutit të Universitetit të Prishtinës për të krijuar një bazë ligjore të qëndrueshme për depolitizimin e UP-së".

"Organet kompetente duke përfshi edhe prokurorinë të kërkojnë përgjegjësi dhe të vënë para drejtësisë pjesëmarrësit në veprimet e kundërligjshme të UP-së
”, ka lexuar disa nga rekomandimet, deputeti Beqiri.

Rekomand0imet e LDK-së janë mbështetur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Mirëpo, grupi më i madh parlamentar, ai i Partisë Demokratike të Kosovës nuk është pajtuar.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ka thënë se rekomandimet e propozuara duhet të ri-harmonizohen.

Mirëpo, ky propozim nuk është miratuar pasi që seanca ishte vazhdim i punimeve nga java e kaluar dhe se kishte mbetur vetëm proceduar e votimit e cila solli si rezultat mos miratimin e rekomandimeve.

Ndërkohë, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka propozuar që në mungese të rektorit dhe Këshillit Drejtues, deri në ndryshimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, kryesimin e Universitetit të Prishtinës ta merr përkohësisht kryesuesi i Senatit.

“Sugjeroj Senatin që ta zgjedh kryesuesin e Senatit si ushtrues detyre. Gjersa unë do të përcjelli më së largu të premten Ligjin për Arsimin e Lartë për t’u amandamentuar në qeveri dhe besoj se qeveria po atë ditë, apo të hënën ta përcjell atë në Kuvend dhe më pas duhet të përcjellim statutin e përplotësuar të cilin po ashtu e kemi gati si Ministri”, ka thënë Buja.

Gjendja në Universitetin e Prishtinës nga deputetët është vlerësuar si e rëndë dhe e jashtëzakonshme.

Deri te një situatë e tillë erdhi pas raportimeve për gradime dhe publikime të falsifikuara.

Kjo nxiti protesta të studentëve dhe organizatave tjera dhe qoi në dorëheqjen e rektorit, prorektorëve si dhe kryetarit dhe 3 anëtarëve të Këshillit Drejtues.

Tani pritjet janë se çfarë ndryshimesh ligjore dhe statusore do të propozoj qeveria dhe më pas të shkohet në zgjedhjet e reja në këtë institucion.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG