Ndërlidhjet

BE: Thirrje për dialog në Ukrainë


Ukrainë...
Ukrainë...
Komisionari i Bashkimit Evropian për zgjerim, Stefan Fyle, mbrëmë vonë u ka bërë thirrje zyrtarëve të lartë të Ukrainës dhe liderëve opozitarë që të ndërmarrin “hapa urgjentë” për formimin e qeverisë së koalicionit, për ta ndalur krizën politike, e cila po zgjatë tash e tre muaj.

Zoti Fyle u tha reporterëve në kryeqytetin Kiev se ka kërkuar që të dy palët të pajtohen për reformën kushtetuese, e cila do t’i kufizoj autoritetet e presidentit dhe do ta forcoj atë të parlamentit.

“Nga bisedimet e mia këtu fitova bindjen se këtu është nevoja për ndërmarrjen e hapave urgjentë në reformat kushtetuese, formimin e qeverisë së re gjithëpërfshirëse, dhe sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe korrekte”, tha Fyle.

Fyle, po ashtu, u ka tërhequr vërejtjen autoriteteve që të mos i keqtrajtojnë protestuesit, meqë sipas tij, është vështirë të fitohet besimi i demonstruesve nëse vazhdojnë “arrestimet, frikësimi, keqtrajtimi i protestuesve dhe i aktivistëve”.

“Jam shprehur, po ashtu, se Ukrainës i duhet më tepër siguri dhe jo mosndëshkim. Duhet të respektohet mbrojtja për të drejtat dhe liritë dhe të përfundoj keqtrajtimi dhe frikësimi, të ndërmerren hetime të shpejta dhe transparente për aktet e dhunës. Është e çuditshme, që gjatë vizitës sime në spital, njerëzit e plagosur në sillen nga policia e jo nga autoambulancat dhe kjo është e papranueshme”, tha Stefan Fyle.

Gjatë qëndrimit të tij në Kiev prej të martës, Stefan Fyle, është takuar me presidentin, Viktor Yanukovich, liderët opozitarë dhe pjesëtarët e shoqërisë civile.

Ai po përpiqet t’i ulë tensionet ndërmjet autoriteteve dhe protestuesve anti-qeveri në Ukrainë.

Liderët opozitarë, në një konferencë për shtyp, e kanë përsëritur qëndrimin e tyre se nuk do të marrin pjesë në asnjë qeveri, në rast se Yanukovich mbetet në presidencë. Yanukovich, në kuadër të kompromisit, kishte ofruar që lideri opozitar, Arseniy Yatsenyuk, të bëhet kryeministër.

Por Yatesenyuk e ka refuzuar këtë ofertë, duke e përsëritur qëndrimin e vet.

“Sa i përket postit të kryeministrit, nuk ka nevojë për përpjekje për t’i dhënë mito opozitës me poste në qeveri. Qëndrimi ynë është se ne nuk do ta pranojmë postin e kryeministrit, ne do ta pranojmë vetëm përgjegjësinë e plotë për shtetin në këtë vend, që nënkupton formimin e kabinetit të plotë të ministrave”, tha Yatsenhyuk.

Njëherësh, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, në të përditshmen moskovite Kommersant ka shkruar se përpjekjet për ndikime nga jashtë në Ukrainë do “të dështojnë”.

Protestuesit në Ukrainë po demonstrojnë kundër qeverisë së presidentit, Viktor Yanukovich, prej se ai nuk e finalizoi një marrëveshje për afrim me Bashkimin Evropian, por ndërmori hapa për forcimin e lidhjeve me Rusinë. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG