Ndërlidhjet

Shumë vdekje, pak autopsi


QKUK
QKUK
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë vitit 2013 kanë vdekur 1, 211 persona, por vetëm 14 prej tyre u është kryer autopsia.

Pavarësisht shkaqeve të vdekjeve, zyrtarët shëndetësorë thonë se janë familjarët e viktimave, ata të cilët në të shumtën e rasteve nuk pranojnë t’i bëhet autopsia trupit pas vdekjes.

Profesoresha e patologjisë, në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Suzana Manxhuka – Kërliu, thotë se prej pas luftës, kur edhe është ndryshuar Ligji për autopsinë nga ndërkombëtarët, ka rënë ndjeshëm numri i autopsive.

Para ndryshimit të Ligjit për autopsitë, sipas Manxhuka- Kërliut, në vitin 1998 frekuenca e autopsive ka qenë 45. 11 për qind. Ndërsa, me ndryshimin e ligjit, atëherë kur edhe është bërë një hulumtim i numrit të autopsive në vitin 2009, statistika ka rënë në 2 për qind për shkak të këtij ligji.

Në vitin 2011 janë bërë 35 autopsi, në vitin 2012 janë bërë gjithsej 21, kurse në vitin 2013, gjithsej 14 raste të autopsive.

“Numri i autopsive ka rënë ndjeshëm. Para luftës ka qenë ligji që ka mundësuar që çdo personi që vdes në klinikë, duhet t’i bëhet autopsia. Në të ardhmen duhet bërë akreditimi i institucionit shëndetësor dhe për t’u akredituar një institucion shëndetësor, duhet të dihet cilat janë shkaqet e vdekjeve dhe sa është frekuenca e vdekshmërisë nga sëmundjet e ndryshme dhe të gjenden mënyrat e ngritjes së performancës së diagnostikimit”.

“Por, pas luftës, ndërkombëtarët e kanë ndryshuar këtë ligj dhe tash duhet të pyetet familjari për autopsinë e të vdekurit, pra familjarët vendosin për një gjë të tillë. Prej atij momenti ka rënë ndjeshëm numri i autopsive në Kosovë, meqë familjarët nuk shprehin dëshirë të bëjnë autopsinë e të vdekurit”
, bën të ditur Suzana Manxhuka – Kërliu.

Ndërkaq, Besim Kodra, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve thotë për Radion Evropa e Lirë, se familjarëve të pacientëve të vdekur në institucionet shëndetësore, nuk iu shpjegohet mirë për procesin e autopsive, ngase, sipas tij, këto institucione dhe pikërisht profesionistët shëndetësorë nuk kanë shumë interes të bëhen të ditura shkaqet e vdekjes.

“Ne e kemi përcjellë me shqetësim çështjen e autopsive. Ka një numër të madh të pacientëve që vdesin dhe nuk iu bëhet autopsia. Stafi mjekësor arsyetohet me faktin se familjarët nuk i lejojnë t’u bëhet autopsia. Unë nuk pajtohem me këtë konstatim, sepse mjekët vetë nuk janë shumë të interesuar t’u bëhet (autopsia), për shkak se ata do të diskreditonin stafin dhe institucionin shëndetësor”.

“Ne, si shoqatë, asnjëherë nuk jemi pajtuar. Gjatë vitit 2013 kanë vdekur 1,211 persona dhe ky numër mendoj se është alarmant, derisa vetëm 14 prej këtij numri u është bërë autopsia. Unë mendoj se duhet bërë sa më shumë autopsi, sa herë që ka vdekje të dyshimta, por edhe ata që vdesin pa dyshime, isha pajtuar që t’u bëhet autopsia”,
thotë Kodra.

Por, zëdhënësi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu, thekson se klinikat përkatëse kërkojnë t’u kryhet autopsia në mënyrë që të dihet saktë shkaku i vdekjes.

Mirëpo, në këtë drejtim, siç thotë ai, kanë hasur dhe vazhdojnë të hasin në pengesa nga ana e familjarëve që në të shumtën e rasteve nuk pranojnë që të vdekurve t’u bëhet autopsia.

“Moskryerja e autopsisë normalisht shkakton probleme dhe e pamundëson që të gjendet shkaktari i vdekjes. Në këto raste, familjarët nënshkruajnë që nuk dëshirojnë të bëhet autopsia për të afërmit e tyre që vdesin në QKUK”.

“Për rastet gjyqësore, me të cilat merren organet e drejtësisë si raste të dyshimta, autopsia kryhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore e që vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë”,
thekson Fazliu.

Ndryshe, autopsia është një metodë teknike mjekësore, shkencore dhe deontologjike, për verifikimin, analizën, studimin dhe dokumentimin e dëmtimeve morfologjike që shkaktojnë sëmundjet e ndryshme dhe për të përcaktuar shkakun e vdekjes së pacientit.

Sipas zonjës Mangjuka-Kërliu, roli i autopsisë është shumë kompleks, sepse përcakton incidencën e sëmundjeve dhe vdekshmërinë nga sëmundjet e ndryshme, ku Ministria e Shëndetësisë mund të bëjë politika për njohjen e faktorëve të rrezikut nga këto sëmundje.
XS
SM
MD
LG