Ndërlidhjet

Vetëm gjysma e bizneseve të regjistruara paguajnë tatim


Ilustrim

Ilustrim

Në Kosovë janë të regjistruara mbi 120 mijë biznese, por jo të gjitha nga to janë aktive, apo paguajnë obligimet tatimore në Administratën Tatimore të Kosovës, pasi në këtë të fundit figurojnë vetëm gjysma e tyre.

Në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thonë se në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve janë të regjistruara mbi 127, 000 biznese.

Por, një numër i këtyre bizneseve që janë të regjistruara nga periudha 2000 deri në mars të 2003-s, nuk e kanë bërë riregjistrimin e tyre, ndërkaq një pjesë e bizneseve që janë të regjistruara, konsiderohen se nuk e zhvillojnë aktivitetin e tyre për arsye të ndryshme.

Në anën tjetër, në Administratën Tatimore të Kosovës janë të regjistruara mbi 60 mijë biznese (përfshirë këtu edhe personat fizikë), që deklarojnë dhe paguajnë tatimet.

Sidoqoftë, ekspertë për çështje ekonomike, shprehen të shqetësuar lidhur me këtë fakt.

Pasojat e mospagesës së obligimeve të bizneseve që kanë ndaj shteti, janë jashtëzakonisht të mëdha, thotë Ymer Havolli, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke shtuar se në këtë mënyrë po legalizohet evazioni fiskal.

Së pari bëhet dëmi në buxhet, pastaj po krijohet një kulturë, krijohet një konkurrencë jo e shëndoshë, praktikisht po e legalizojmë evazionin fiskal. Ky evazion fiskal, i cili tashmë është brenda në kompani, përveçse e kemi evazionin fiskal mjaft të theksuar në kufi, ky evazion fiskal po na paraqitet te subjektet ekonomike, që në një mënyrë ose tjetër, do të kishin më shumë benificione se sa që kanë kursime nga ikja nga tatimet”, thotë Havolli.

Kompanitë, të cilat zhvillojnë aktivitete afariste dhe nuk paguajnë obligimet tatimore, e dëmtojnë buxhetin. Ato krijojnë një zhbalancim në treg për arsye se krijohet një ekonomi joformale dhe konkurrencë jolegale, thotë Naim Gashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. .

“Ne, në këtë mënyrë, kemi disa kompani, të cilat i paguajnë taksa shtetit dhe çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tyre, janë më të larta në treg. Dhe, disa kompania që nuk i paguajnë taksa shtetit ato në fakt kanë çmime më të ulëta në treg dhe i krijojnë vetes dhe prodhimeve të tyre, shërbime dhe favore duke shkelur rregullat e ekonomisë së tregut”, shprehet Gashi.

Ndërkaq, Ymer Havolli konsideron se autoritetet kompetente duhet të rrisin kapacitetet e tyre, në mënyrë që të gjitha bizneset aktive, të paguajnë obligimet tatimore dhe të krijohet një konkurrencë legale.

Administrata Tatimore me kapacitetet e veta, duhet të rrisë disiplinën fiskale te bizneset, në mënyrë që të krijohet një kulturë e përgjithshme për të siguruar një konkurrencë legale, të cilat duhet të operojnë në kushte të barabarta”, thekson Havolli.

Ndërkaq, Naim Gashi thotë se Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me institucionet tjera, duhet të ndëshkojë kompanitë që nuk përfundojnë obligimet shtetërore.

“Detyra kryesore këtu nuk bie mbi Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, por mbi Administratën Tatimore të Kosovës, e cila në bashkëpunim me institucionet tjera të drejtësisë, duhet ta intensifikojnë fushatën informuese dhe vetëdijesuese, por edhe ndëshkuese për të gjitha ato biznese, të cilat në fakt bëjnë shkelje të rregullave të ekonomisë së tregut, duke u ikur taksave dhe tatimeve”, vlerëson Gashi.

Ndryshe, në ueb-faqen zyrtare të Administratën Tatimore të Kosovës, si biznese pasive figurojnë 40, 405 sosh.

Sa i përket bizneseve joaktive, ATK-ja në bazë të ligjeve në fuqi, ka të drejtë të çregjistrojë nga regjistri i saj aktiv, çdo tatimpagues kur provohet se ai për çfarëdo arsye në vitin e fundit fiskal, nuk ka ushtruar veprimtari.

Në këtë rast, këta tatimpagues do të vihen në një regjistër të veçantë të tatimpagueseve joaktiv dhe ATK-ja do ta njoftojë Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit në lidhje me atë regjistër.

ATK-ja nuk ka të drejtë t’i shpallë të falimentuara këto biznese, por vetëm të njoftojë Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.

Por, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë pohojnë se deri në momentin e shuarjes së biznesit nga vetë pronari, në Agjencinë për Regjistrimin e Biznesit, kompania konsiderohet aktive, pasi ARBK-ja nuk është e autorizuar që të shuajë bizneset, të cilat nuk zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik.

Po ashtu, sipas Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, personat, të cilët nuk përfundojnë obligimet tatimore, ndëshkohen me gjoba prej 125 euro për secilën pasqyrë të pasaktë apo të pakompletuar.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG