Ndërlidhjet

FAK-u me standardet e NATO-s dhe vendim të Kosovës


Deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Komisioni për Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë i kanë rekomanduar Qeverisë që të mos negociojë me Serbinë për formimin e Forcave të Armatosura.

Shndërrimin e Forcës së Sigurisë në Forcat e Armatosura, ata e shohin si një proces që kalon në harmoni me standardet e NATO-s, andaj e përjashtojnë Serbinë si faktor në këtë mes.

Rrjedhimisht nuk shohin arsye që me një çështje të tillë të merret edhe Këshilli i Sigurimit, siç ka kërkuar Qeveria e Serbisë.

Kryetari i Komisionit për Siguri, Ahmet Isufi, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se Forcat e Armatosura të Kosovës do të formohen nga institucionet e Kosovës.

Kurse për reagimin e mundshëm të Këshillit të Sigurimit, sipas kërkesës së Beogradit, ai ka thënë se Kombet e Bashkuara tashmë e kanë bërë me dijë se nuk përzihen në këtë çështje.

Kurse deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka shprehur dyshime nëse qeveria e Kosovës do të përmbahet nga bisedimet me Serbinë edhe në lidhje me formimin e Forcave të Armatosura.

Sipas tij, bisedimet me Serbinë në Bruksel kanë ndikuar që në veri të ketë ndërhyrë në strukturën e Policisë së Kosovës. Andaj, ai ka shprehur dyshime se njësoj mund të veprohet edhe në rastin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Jam i sigurt shumë për këtë që po e them se Kosova, qeveria e saj nuk do të duhej të bisedonte me Serbinë për forcat e saj të armatosura. Jam shumë i sigurt që për asnjë zhvillim përbrenda Kosovës, qeveria nuk do të duhej të bisedonte me Serbinë. Por, sidoqoftë, ne veçanti për krijimin e institucioneve të sigurisë nuk do të duhej Kosova dhe qeveria e saj të bisedonin me Serbinë”, është shprehur Selimi.

Në anën tjetër, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në këtë Komisionin, Fatmir Xhelili ka mbrojtur pozicionin e qeverisë.

Sipas tij, me vetë faktin që Qeveria e Kosovës nuk ka përfillur kërkesat e Serbisë për të biseduar për forcat e ardhshme të armatosura, Beogradi tani është ankuar në Këshillin e Sigurimit dhe po kërkon seancë të jashtëzakonshme.

Sa u përket bisedimeve me Serbinë për çështjen e Forcave të Armatosura, po të ishin zhvilluar bisedime të tilla ata nuk ishin ankuar në Këshillin e Sigurimit, domethënë përjashtoni këtë mundësi që kryeministri ynë apo dikush ka marrë leje apo është dakordu prej qeverisë së Serbisë për marrjen e vendimit për Forcat e Armatosura. Vendimi ka rrjedhur nga analiza e rishikimit të sekretit të sigurisë dhe nuk rrjedh nga biseidmt me Serbinë”, ka deklaruar Xhelili.

Mirëpo, deputeti Goran Marinkoviq nga Partia Liberale e Pavarur ka thënë se për formimin e Forcave të Armatosura do të duhet të bisedohet edhe me Serbinë dhe të gjithë faktorët tjerë ndërkombëtarë.

“Duhet të bisedojmë me të gjithë. Duhet të japim kontributin e plotë e sidomos pas nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit dhe mendoj se me një punë të përbashkët mund të arrijmë qëllimet e caktuara. Në të ardhmen do të kemi edhe zhvillime të tjera globale dhe marrëdhëniet e mira me fqinjët duhet të jenë në nivel të lartë”, ka thënë Marinkoviq.

Sipas tij, përderisa NATO është në Kosovë, ajo mbetet garantuese e paqes në rajon.

Ndërkaq deputeti Anton Çuni nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se Forcat e Armatosura do të zhvillohen në përputhshmëri me standardet e NATO-s dhe si të tilla do të japin kontribut në stabilitetin dhe paqen në rajon.

Debatet rreth krijimit të Forcave të Armatosura po zhvillohen në kuadër të analizës së rishikimit të sektorit të sigurisë në Kosovë.

Aty rekomandohet që FSK-ja aktuale të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës. Ky rekomandim është miratuar nga Qeveria, por që të jetë i plotfuqishëm, duhet të bëhen edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe të miratohet ligji përkatës.

Gjithashtu, i gjithë procesi është thënë se do të koordinohet me NATO-n. Kurse pretendimet e Serbisë se krijimi i këtyre Forcave është në kundërshtim me Rezolutën 12 44 në Prishtinë po cilësohen si të pabaza, pasi që këto forca po krijohen në përputhje me standardet e NATO-s, përkatësisht KFOR-it i cili ka mandat të veprojë në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG