Ndërlidhjet

Maqedoni: Vendime selektive gjyqësore ndaj mediave


Ilusrim
Ilusrim
Një vit pas miratimit të Ligjit për përgjegjësi qytetare, mediat thonë se ai jo vetëm që nuk ka arritur qëllimin, por ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen e lirisë së shprehjes, për shkak të gjobave të larta nga vendimet selektive të gjykatave.

“Qendra për zhvillimin e mediave gjatë 13 muajve të kaluar, ka ndjekur zbatimin e Ligjit për përgjegjësi qytetare për shpifje dhe fyerje pranë organeve gjyqësore në Shkup dhe, me këtë rast, kemi konstatuar shkelje të shumte dhe gjykime selektive”.

“Në rastet kur paditë ndaj mediave vijnë nga funksionarët shtetërorë, dënimet janë shumë të larta nga ana e gjykatës, që bën shkelje të praktikës evropiane, e cila kur bëhet fjalë për zyrtarët ka tolerancë më të madhe ndaj mediave. E gjithë kjo çon në vetëcensurën e mediave për shkak të gjobave të larta që rrezikojnë edhe veprimtarinë e tyre”
, thotë Vlladimir Medarski nga Qendra për Zhvillimin e Mediave.

Edhe Jadranka Kostova, kryeredaktore e javores “Fokus” thotë se problemi lidhur me zbatimin e Ligjit për përgjegjësi qytetare, qëndron te gjykatat, të cilat kanë qasje selektive, që është dëshmuar thuajse në të gjitha proceset gjyqësore, kur palët në gjykim ka qenë ndonjë zyrtarë shtetërorë.

“Problemi më i madh qëndron te gjykatat. Nuk ka gjasa as minimale që të fitohet gjyqi nëse paditeni nga zyrtarët apo e kundërta, nëse gazetari padit zyrtarët, proceset gjyqësore nuk fillojnë asnjëherë. Ne, si gazetë, kemi pasur rastin me zëdhënësin e partisë në pushtet, i cili edhe pse shëtit lirshëm tani disa vjet është i pakapshëm për institucionet për nisjen e procesit ndaj tij”, thotë Kostova, e cila dënimin e fundit prej 10 mijë eurosh e ka marrë në procesin gjyqësor të ngritur ndaj këtij mediumi, kreu i drejtorisë së zbulimit dhe kundërzbulimit, Sasho Mijallkov.

Sefer Tahiri, profesor i gazetarisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se Ligji për përgjegjësi qytetare apo dekriminalizimi i shpifjes, kishte për synim largimin e ndikimeve politike ndaj mediave dhe ruajtjen e pavarësisë së tyre, por fatkeqësisht thotë ai, ka ndodhur e kundërtën për shkak të mosfunksionimit të institucioneve apo vendosjes së tyre në shërbim të politikave qeverisëse.

“Konsideroj se dekriminalizimi i shpifjes ishte një hap drejt zhvillimit të një gazetarie, e cila nuk do të jetë pre e presionit politik dhe presionit nga gjyqësori, megjithatë vendimet e fundit që janë dhënë nga gjykatat për gazetarët që kritikojnë ashpër pushtetin, flasin qartë se Gjyqësia në Maqedoni, nuk është aspak e pjekur që të vlerësojë në mënyrë objektive dhe vazhdon të jetë një dorë e zgjatur e pushtetit”, vlerëson Tahiri.

Ligji për përgjegjësi qytetare për dekriminalizimin e shpifjes, ishte miratuar pas negociatave ndërmjet Qeverisë dhe Shoqatës së Gazetarëve. Kjo e fundit është kritikuar nga shoqatat tjera të mediave për lëshim pe ndaj presioneve të pushtetit pasi ligji në formën e tanishme, duhet të refuzohet.

Në rast se ndonjë media paditet për shpifje nga kushdoqoftë, gjobat mund të arrijnë deri në 10 mijë euro. Gazetarët thonë se ligji ka zbrazëti të shumta që lënë hapësirë për interpretime të ndryshme, e që rrjedhimisht çojnë në marrjen e vendimeve jo të drejta nga gjykatat, por edhe në apelimin e vetëcensurën nga ana e mediave.
XS
SM
MD
LG