Ndërlidhjet

Qeveria kërkon nga Kuvendi formimin e FAK-ut


Pjestarë të FSK-së

Pjestarë të FSK-së

Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Kuvendi t’i nisë edhe zyrtarisht procedurat e për ndryshimet kushtetuese për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Amandamentet kushtetuese të propozuara nga qeveria kanë marrë dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese dhe se tani i mbetet Kuvendit si instanca e fundit që të vendosë.

Kryeministri Hashim Thaçi i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që qysh në seancën e nesërme t’i merr parasysh amendamentet kushtetuese për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Qeveria është e gatshme qysh nesër që t’i jap të gjitha opinionet dhe sqarimet e veta në Kuvend dhe i ftojmë të gjitha grupet parlamentare që të marrin vendim sa më shpejt që është e mundur dhe eventualisht edhe nesër nëse ka disponim".

"Por, do të thotë të gjitha çështjet që ndërlidhen me Qeverinë e Kosovës dhe Gjykatën Kushtetuese tanimë janë të kryera dhe shpresojmë që edhe Kryesia dhe Parlamenti do të marrin vendimin për themelimin e ushtrisë së Kosovës – Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërkohë edhe ministri i FSK-së, Agim Çeku ka thënë se pas marrjes së vlerësimeve nga Gjykata Kushtetuese nuk ka më asnjë pengesë që të formohen Forcat e Armatosura.

Sipas tij, një pajtim të plotë për formimin e Forcave të Armatosura ka edhe faktori ndërkombëtar.

“Tanimë janë krijuar të gjitha kushtet, rrethanat që të procedohet me këto ndryshime e plotësime të Kushtetutës së Kosovës në Parlament. Kështu që mendoj se nuk ka arsye të pritet dhe ju informoj se edhe partnerët ndërkombëtar janë të pajtimit dhe të mendimit që mos të ketë vonesa të panevojshme me procedim në Parlament”, ka thënë Çeku.

Forcat e Armatosura të Kosovës, në bazë të asaj që deri më tani ka prezantuar Qeveria, do të zhvillohen në bashkëpunim me NATO-n.

Zhvillimi i tyre do të bëhet në tri faza dhe janë projektuar të përfshijnë 5 mijë pjesëtarë aktiv dhe 3 mijë rezervistë.

Për ngritjen dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura të Kosovës qeveria ka thënë se do të nevojiten 5 milionë euro shtesë për pesë vitet e ardhshme.

Ndërtimi i Forcave të Armatosura, do të bëhet në tri faza, duke filluar nga ky vit deri në vitin 2016.

Sidoqoftë, miratimi i ndryshimeve kushtetuese për shndërrimin e FSK-së në Forcat e Armatosura mund të sfidohet nga deputetët e partive të komuniteteve pakicë në Kuvend.

Subjektet politike nga minoritetet kanë paralajmëruar se mund t’i kushtëzojnë votat e tyre për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës me vazhdimin e ulëseve të rezervuara.

Ndryshimet kushtetuese në Kosovë mund të bëhen me dy të tretat e votave të deputetëve dhe shumicën e votave të komuniteteve pakicë.

Andaj, mbetet të shihet fillimisht se si do të procedohen këto ndryshime dhe më pas edhe do të mësohen pozicionet e partive parlamentare si nga shumica ashtu edhe komunitetet pakicë në lidhje me krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG