Ndërlidhjet

logo-print
Rritja ekonomike për jo më shumë se 3 për qind, papunësia rreth 40 për qind, varfëria ekstreme 10 për qind si dhe deficiti i lartë tregtar, janë numra të cilat tregojnë se trendet ekonomike në Kosovë nuk janë pozitive dhe se Kosovës i duhen ende shumë punë për të bërë në uljen e këtyre shifrave, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Agron Demi, kryeshef ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara “ GAP” në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se arritjet ekonomike të cilat cilësohen nga autoritetet e Kosovës janë shumë të vogla në krahasim me atë se çfarë kërkohet.

“Ministri i financave dhe kryeministri sa herë falsin në përqindje të rritjes ekonomike, qoftë të GDP-së, qoftë inflacioni, qoftë për investimet e huaja, harrojnë të shikojnë gjendjen reale se këto rritje ekonomike të vogla nuk kanë sjell asnjë përftim për popullatën e Kosovës".

"Mjafton të shihet vetëm numri saktësisht i njëjtë i qytetarëve për tu larguar jashtë vendit për të gjetur një mundësi pune, numri i njëjtë në listat e asistencës sociale dhe pensioneve dhe shumë gjëra tjera”, thekson Demi.

Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës ditë më parë kanë vlerësuar se Kosova vazhdon të ketë rritje ekonomike më të lartën në rajon dhe më të qëndrueshme, si rezultat i investimeve publike, investimeve private, konsumit dhe eksportit.

Ministri i Financave, Besim Beqaj ka theksuar se gjatë tri viteve të kaluara Kosova ka arritur një rezultat shumë të mirë në aspekt të stabilitetit buxhetor dhe makro fiskal dhe kjo është arritur sipas tij, është rezultat i politikave të matura dhe përgjegjshmërisë në menaxhimin efikas të financave publike në vend.

Sidoqoftë, mjaft kritik për gjendjen ekonomik në Kosovë shprehet edhe profesori i ekonomisë Musa Limani.

Sipas tij, zhvillimi ekonomik nuk bëhet me deklarata por më masa dhe instrumente konkrete duke filluar prej anës profesionale.

“Nëse dëshirohet të ndryshohen trendet negative të evitohen problemet që ka vendi duhet të bëjmë reforma ekonomike, duhet të kihet parasysh në veçanti reformat adekuate në politikën fiskale dhe tregtinë e jashtëm. Ashtu si veprohet, ne vetëm po thellohemi në krizë ekonomike”, vlerëson profesor Limani.

Kosova në vitin 2013 kishte rritje ekonomike prej 3.2 për qind derisa sipas qeverisë së Kosovës në periudhën afatmesme, konform parametrave të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve është planifikuar rritja ekonomike prej 4.5 për qind.

Por, që njohësi i çështjeve ekonomike Agron Demi vlerëson se rritja ekonomike prej 3.2 për qind është aq e vogël, sa nuk arrin t’i sistemon as ata njerëz që hyjnë për herë të parë në tregun e punës.

Për të zbutur numrin e madh të papunësisë në vend vazhdimisht nga ekspertët e ekonomisë është vlerësuar se Kosova duhet të ketë rritje ekonomike 8 deri në 10 për qind, gjë e cila sipas Demit vështirë se mund të realizohet me trendët aktuale ekonomike.

“Ne për çdo ditë kemi kritika prej investitorëve të huaj, para dy ditëve kishim një kritikë të një kompanie eksportuese, e cila ankohej me politikat ekonomike të Kosovës që nuk po lejon që ata të veprojnë".

"Ky është gabimi që po bën qeveria, nuk është duke krijuar një klimë të favorshme për sektorin privat. Investimet e huaja janë duke rënë, në vitin e kaluar kanë qenë rreth 255 milion euro investime, ndërsa në vitin 2007 kanë qenë mbi 440 milionë euro”, tregon Demi.

Anëtarësimi i Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtarë, Banka Botërore dhe Banka Evropianë për Rindërtim dhe Zhvillim konsiderohen si e arritur e rëndësishme për ekonominë e Kosovës, por që sipas ekspertëve ky anëtarësim nuk po shfrytëzohet.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG