Ndërlidhjet

Maqedoni: Legjitimiteti i presidentit


Nga fushata në Maqedoni...

Nga fushata në Maqedoni...

Bojkoti i zgjedhjeve presidenciale nga shqiptarët e Maqedonisë ka ngritur çështjen e legjitimitetit të kreut të shtetit, pasi ai nuk do të ketë mbështetjen e së paku 25 për qind të popullatës.

Ekspertët për çështje juridike, thonë se zgjedhja e tij pa votat e shqiptarëve, në aspektin formalo-juridik është e qëndrueshme meqë Kushtetuta nuk përcakton që kreu i shtetit të zgjidhet me votat e të gjitha etniteteve, por për zgjedhjen e tij është e mjaftueshme që në raundin e dytë të dalin në votime së paku 40 për qind e trupit të përgjithshëm votues dhe njëri nga kandidatët të fitojë mbi 50 për qind të atyre që votojnë.

Megjithatë, mosdalja e shqiptarëve në votime, sipas ekspertëve, nuk do të mbetet pa pasoja, meqë shqiptarët asnjëherë nuk do ta njohin një president të tillë i cili do të jetë i anashkaluar nga ana e tyre dhe kjo vetvetiu do të shkaktojë tensione në vend.

Mersim Maskuti, ligjërues i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Tetovës, thotë se presidenti do të jetë legal, por jo edhe legjitim.

“Presidenti i zgjedhur në mënyrë të njëanshme nuk është demokratik. Ky president gjithë mandatin e tij do të jetë i kontestuar dhe kjo do të paraqes probleme shtesë, pra, ai nuk do të mund të luaj rolin e tij kushtetues, si garant i zbatimit të kushtetutës dhe i unitetit në këtë vend. Pra, shqiptarët nuk do ta njohin si president dhe kjo do të paraqes vështirësi pasi nuk do të mund të bashkoj të gjitha forcat politike për stabilizimin e situatës politike apo të çfarëdo forme që do të paraqitet“, thotë Maksuti.

Por, ndryshe nga ai, vlerëson Kire Vasilev, analist politik dhe ligjërues në Universitetin e Shkupit.

Ai thotë se zgjedhja e presidentit pa votat e shqiptarëve nuk do të paraqes problem të theksuar për shkak të kompetencave të pakta që ka ky institucion në Maqedoni.

Sipas tij, mandati i presidenti Ivanov, që pritet të zgjidhet do të kalojë pa ndonjë zhurmë të madhe.

“Nuk ka asnjë fuqi politike apo ndonjë rol të veçantë që shqiptarët të jenë xhelozë dhe të thonë se ju keni këtë institucion dhe se ne nuk jemi të përfaqësuar në të e kështu me radhë. Mendoj se mandati i ardhshëm pesë vjeçar i Ivanovit do të kalojë fare pa u vërejtur pasi është e qartë se ai do të zgjidhet për president. Ai nuk do të shkojë asnjëherë në Maqedoninë Perëndimore, përveç të ndonjë aktiviteti diplomatik, pra thjesht do të jetë i harruar“, thotë Kire Vasilev.

Bashkimi Demokratik për Integrim edhe pas raundit të parë të zgjedhjeve e përsëriti thirrjen për bojkot edhe të raundit të dytë të zgjedhjeve, meqë sipas saj, dy kandidatët që kaluan në Balotazh, Gjorgje Ivanov dhe Stevo Pendarovski nuk përmbushin kriteret e kandidatit konsensual.

Duke komentuar kërkesën e tillë të BDI-së, Vasilev nuk përjashton mundësinë që në lojë të jenë edhe opsione për pozicione më të fuqishme në pushtetin ekzekutivin, pasi ka institucione që kanë peshë shumë të mëdha se presidenti i shtetit, por nëse edhe kjo dështon atëherë siç shprehet ai, vendi do të gjendet para një tragjedie të vërtet.

“Unë e lexoj kërkesën e BDI-së si një metodë klasike diplomatike për negociata. Ndoshta ajo kërkon president që në fund të fitoj kreun e Kuvendit, apo ndonjë funksion tjetër pasi ka të tillë që janë shumë të fuqishëm se institucioni i Presidentit, si Ministria e Punëve të Brendshme apo Ministria e Punëve të Jashtme. Pra, nëse bëhet fjalë për lojë, në fund do të ketë ndonjë marrëveshje, por nëse ndodhë e kundërta, atëherë kjo farsë do të në kalon në tragjedi dhe vërtetë do të jetë e tmerrshme“, thotë Vasilev.

Nga ana tjetër, Mersim Maksuti, njohës i çështjeve kushtetuese thotë që të mos paraqiten tensione, çështja e presidentit duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Domosdo duhet të hapet çështja e zgjidhjes së problemit të presidentit që të jetë i pranueshëm edhe nga shqiptarët në këtë shtet. Pra, të nisin bisedimet për çështjet kushtetuese lidhur me mënyrën e zgjedhjen së tij“
, thotë Maksuti.

Ai konsideron se varianti më i mirë për kapërcimin e këtij problemi është që presidenti të zgjidhet në Kuvendin e Maqedonisë pas një marrëveshje paraprake që do të kishte mes partive kryesore politike maqedonase dhe shqiptare.
XS
SM
MD
LG