Ndërlidhjet

logo-print

Arrihet marrëveshje për krizën në Ukrainë

  • RFE /RL

Gjenevë, 17 prill 2014.

Gjenevë, 17 prill 2014.

Ukraina, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë njoftuar se kanë arritur marrëveshje për masat që duhet ndërmarrë, për të qetësuar krizën në Ukrainë.

Pas bisedimeve të së enjtes në Gjenevë, palët kanë bërë thirrje që të gjitha grupet e armatosura ilegale në Ukrainë të shpërbëhen, të ndalojë uzurpimi i ndërtesave publike dhe të ketë përmbajtje nga dhuna.

Zyrtarët, po ashtu, thonë se autoritetet e Ukrainë janë pajtuar që të garantojnë amnisti për protestuesit që kanë pushtuar ilegalisht pronat gjatë trazirave në Ukrainë, duke përjashtuar ata që janë gjetur fajtorë për shkelje të mëdha.

Katër palët, gjithashtu, janë pajtuar për vendosjen e një misioni të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, për të mbikëqyrur shtensionimin e situatës në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se thirrja për shpërbërjen e grupeve të armatosura ilegale duhet të aplikohet për të gjitha grupet në Ukrainë, përfshirë edhe ato që kanë mbështetjen e autoriteteve të reja në Kiev.

Ai ka përmendur në veçanti grupin nacionalist ukrainas Sektori i Djathtë.

Lavrov, po ashtu, ka thënë se dokumenti i marrëveshjes thekson se ukrainasit vetë duhet të marrin përgjegjësinë për zgjidhjen e tensioneve në vendin e tyre.

Lavrov ka theksuar se Rusia nuk ka dëshirë të dërgojë trupa në Ukrainë.
Palët, gjithashtu, kanë dënuar aktivitetet në Ukrainë që diskriminojnë në bazë të përkatësive etnike ose fetare.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka përmendur një incident anti-hebre në lindje të Ukrainës dhe një kërcënim kundër Kishës Ortodokse Ruse.

Kerry ka thënë se nëse marrëveshja katërpalëshe bie, Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë zgjedhje tjetër, pos të ndërmarrin masa të mëtejshme për të ndëshkuar Rusinë.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka thënë se marrëveshja përmban “hapa konkretë që mund të zbatohen menjëherë”.

Në bisedime ka marrë pjesë edhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Andriy Deshchysta, i cili, para nisjes së procesit negociues, ka thënë se Rusia nuk ka të drejtë t’i diktojë Ukrainës se si të udhëheqë me vendin dhe se do të kërkojë nga Moska që të ndalojë mbështetjen për “aktivitetet terroriste” në vendin e tij.

Analistët thonë se marrëveshja mund të frenojë sanksionet ekonomike që Perëndimi ka nisur t’i përgatisë për Rusinë.

Ukraina është në krizë që nga përmbysja e presidentit të saj pro-rus, Viktor Yanukovych, në muajin shkurt.

Rusia më pas ka aneksuar Gadishullin e Krimesë – pjesë e Ukrainës por me shumicë të popullsisë rusishtfolëse – duke shkaktuar zemërim ndërkombëtar.

Ky veprim është pasuar me uzurpimin e ndërtesave qeveritare në lindje të Ukrainës nga separatistët pro-rusë, që kundërshtojnë Qeverinë e re të Kievit. (v.tela)
XS
SM
MD
LG