Ndërlidhjet

Maqedoni: Dërgesa vetëm për mbijetesë, e jo për investime


Ilustrim

Ilustrim

Nga 1 janari deri më 31 mars, në buxhetin e Maqedonisë janë grumbulluar 525 milionë euro para nga tatimet dhe kontributet e tjera, ndërsa për të njëjtën periudhë janë harxhuar 705 milionë euro, që do të thotë se arkës shtetëror i mungojnë 180 milionë euro, të cilat parashihej të realizohen nga të ardhurat në buxhet.

Ekspertët vlerësojnë se Qeveriae Maqedonisë, mbulimin e këtij minusi në buxhet planifikon ta kompensojnë remitencat, si dhe ardhjen e mërgimtarëve për pushimet e verës në vendlindje, të cilët përmes harxhimeve që bëjnë për konsum të përgjithshëm, ndikojnë në përmirësimin e të hyrave në buxhet.

Arben Halili, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore për Radion Evropa e Lirë, thotë se diaspora në Maqedoni, veçanërisht ajo shqiptare akoma vazhdon të shihet si një burim kryesor që shërben për të vënë në lëvizje ekonominë e vendit.

“Të ardhurat që vijnë nga diaspora, janë leva kryesore lëvizëse e ekonomisë vendore dhe falë saj, shumë biznese arrijnë të sigurojnë mbijetesën. Në takimet që realizojmë me bizneset e vogla, shpeshherë ndodh që ata të na thonë se janë të detyruar të paguajnë me humbje qiranë në pritje të tre ose katër muajve të verës ku mund të jenë në gjendje të mbulojnë koston e qirasë dhe njëkohësisht të sigurojnë një fitim sado të vogël mbijetese”, thotë Halili.

Ai konsideron se është koha e fundit që shteti të ndërtojë politika të qëndrueshme për menaxhimin e mjeteve që sjellin mërgimtarët gjatë ardhjes në vendlindje, po edhe mjeteve që ata lënë për mbijetesën e të afërmve të tyre.

“E para, të gjejë mekanizma të tjerë stimulues zhvillimorë që të mos presin vetëm stinën e verës për të gjeneruar fitim, por të njëjtat të jenë fitimprurëse gjatë dymbëdhjetë muajve të vitit. Dhe, e dyta, qeveria duhet të bëjë të mundur që remitencat ekonomike, gjegjësisht të ardhurat e diasporës, të mos shihen vetëm si mjete mbijetese, por të gjendet një mekanizëm i qartë i cili do të bëjë ridestinimin e këtyre mjeteve nga mjete për konsum, në mjete për investime, në mënyrë që paratë e mërgimtarëve të paraqesin një impuls për lëvizjen pozitive të ekonomisë së vendit”, thekson Halili.

Në këtë mënyrë, sipas Halilit, kapitali i mërgimtarëve mund të konvertohet në vende të reja pune që do të rezultonte me mirëqenie sociale.

Por, siç thekson ai, hezitimi i mërgimtarëve është evident për derdhjen e kapitalit në vend.

“Ne, si Odë Ekonomike, tash një vit jemi në fazën e implementimit të një projekti, që kryekëput është destinuar për mjetet që vijnë nga mërgimtarët tanë. Ajo që del në pah është se fakti pse diaspora akoma hamendet për të investuar në Maqedoni, ka të bëjë me mossigurinë e biznesit të tyre”.

“Dhe, e dyta, por jo më pak e rëndësishme, janë procedurat e ndryshme përmes së cilave duhet të kalojnë investitorët potencialë, që siç janë shprehur, u merr shumë kohë dhe energji. Pra, është administrata doganore joefiçiente, pastaj janë procedurat ligjore, përmes së cilave duhet të kalojnë dhe pasiguria e kapitalit të tyre – këta janë faktorët kryesorë që vazhdojnë të hamenden mërgimtarët të investojnë në Maqedoni, duke sjellë vetëm para të gatshme, të cilat i shpenzojnë gjatë muajve të verës dhe një pjesë të tyre ua lënë për mbijetesë të afërmve”,
nënvizon Halili.

Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Popullore, në emër të remitencave vitin e kaluar ë Maqedoni janë derdhur mbi 1 miliard euro.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, këto mjete arrijnë të zvogëlojnë dallimet sociale dhe njëherësh arrijnë të amortizojnë thellimin e varfërisë.
XS
SM
MD
LG