Ndërlidhjet

Përderisa abuzimet me heroinën, si një prej narkotikëve më të dëmshëm, sipas ekspertëve që merren me personat që abuzojnë narkotikë, ka shënuar rënie në Kosovë, megjithatë, siç thonë ata, tashmë në vend janë duke u keqpërdorur drogat e reja të dizajnuara, të ashtuquajturat ‘legal high” apo “lartësia legale”.

Defektologu Safet Blakaj, drejtues i Qendrës mediko-psikoterapeutike “Labirint”, në Prishtinë, si dhe pjesëmarrës në përpilimin e Strategjisë kombëtare kundër drogave, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se drogat e reja të dizajnuara janë kombinim i substancave të ndryshme kimike që përdoren në industri, si dhe për mirëmbajtje sanitare.

Një prej tyre, thotë Blakaj, e cila është e pranishme tash e dy vjet në qarkullim dhe ka përhapje të shpejtë, është substanca GHB, që është akronim i formulës kimike Gama Hidro Glabulin.

“GHB është një lloj droge e kombinuar. Është tërësisht kimike. Në këtë drogë, ka edhe zbardhues, pastrues, aso elementesh kimike që përdoren për pastrimet e gjëra të ndryshme, si për shembull, për pastrimin e automjeteve. Një prej substancave që e përbën atë është edhe ajo. Kjo është një drogë që njihet edhe si droga e dhunimit, për arsye se i nxitë epshet seksuale, themi kushtimisht, sepse kjo nuk do të thotë se gjithmonë është ashtu. Mirëpo, ndodhin rastet e dhunimit nën ndikimin e kësaj droge. Çfarë është më e keqja, madje nuk e di se ka qenë dikush i dhunuar”, shpjegon Blakaj.

Ai shton se përveç substancave të ashtuquajtura GHB, në dy vitet e fundit abuzuesit e narkotikëve përdorin edhe substancat narkotike si Amfetamina dhe Meta-amfetamina, e njohur si “speed” apo “shpejtësia”, e cila sipas tij është jashtëzakonisht e rrezikshme.

Në anën tjetër, zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se janë në dijeni për rrezikshmërinë e këtyre drogave të reja.

Zëdhënësi i kësaj policie, Brahim Sadriu, thotë për Radion Evropa e Lirë se njësitë policore kundër drogës, trajnohen edhe për identifikimin e drogave të reja, por deri më tash, sipas tij, nuk ka pasur raste që janë kapur persona që posedojnë apo konsumojnë droga të tilla.

“Lidhur me drogat GHB dhe Amfimetamina, si dhe Meta-amfimetamina dhe drogat e reja, ne si polici kemi informacione për ekzistencën e këtyre drogave. Mirëpo, realisht, bazuar në punën tonë dhe në trajtimin e personave të varur nga droga ose me posedim të saj, nuk është se kemi pasur raste që kemi trajtuar persona që kanë qenë në posedim të këtyre drogave”,
thotë Sadriu.

Por, Safet Blakaj shpjegon dukjen fizike të GHB-së:

“Kjo është në formë të lëngshme, është pa ngjyrë, që i ngjan shumë ujit, por është pak më e dendur se uji. Kjo është dukja fizike e kësaj substance”.

Zëdhënësi i policisë, Sadriu, thotë se megjithatë, policia ka informacione për drogat e reja të dizajnuara.

“Policia ka informata se si duken këto, mirëpo, për shkak të përbërjes së tyre, është pak vështirë të identifikohen. Mirëpo, ne kemi informacione për këto lloj drogash, momentalisht, edhe pavarësisht faktit se nuk ka pasur raste që ne kemi trajtuar persona që kanë qenë në varësi të këtyre substancave narkotike. Por, nuk do të thotë se nuk mund të ndodhë”, bën të ditur Sadriu.

Blakaj në prononcimin për Radion Evropa e Lirë, thekson se rastet kanë ndodhur dhe se rreziqet nga drogat e reja të dizajnuara, janë tejet të mëdha.

“Rreziqet e saj janë po ashtu që ne kurrë nuk e dimë saktë fortësinë e saj dhe shpejt ka kolapse të ndryshme e që ne nuk e kuptojmë se dikush ka rënë në ndonjë bar ose në ndonjë disko. Dikush e quan ‘të fiktë’ (alivanosje), por këto raste janë që ndodhin. Në një rast ka pasur disa intervenime nga ndihma e shpejtë, brenda një nate, në pub-e të caktuara, ku ka pasur edhe rënie në komë nga përdorimi i kësaj droge”, potencon Blakaj.

Sadriu pranon se për policinë është problematik argumentimi i përdorimit të GHB-së pa konstatimin e ekspertëve shëndetësorë.

“Problemi është që edhe në kontakt me ekipet e mjekëve që merren me ta, neuropsikiatrit, kanë thënë se ‘nuk kemi pasur raste që kemi trajtuar persona të varur prej këtyre drogave’”, thotë Sadriu.

Edhe Blakaj vlerëson se për organet e rendit është mjaft i vështirë argumentimi i faktit të përdorimit të GHB-së tek abuzuesit e kësaj substance.

“Është tepër shumë e vështirë, sa i përket policisë dhe gjyqësisë, do të thotë, organeve të ndjekjes, për ta vërtetuar një gjë të tillë, për arsye se ajo shumë shpejt absorbohet dhe del prej organizmit. Është vështirë të argumentohet që dikush i ka dhënë dikujt drogë”, pohon Blakaj.

Ndryshe, sipas defektologut Blakaj, në Evropë aktualisht janë duke qarkulluar rreth 300 substanca të ngjashme, të cilat janë identifikuar se keqpërdoren.

Por, ashtu sikurse edhe në Kosovë, ekzistojnë probleme ligjore për parandalim, për shkak se përbërësit e tyre, veç e veç, përderisa nuk strukturohen për të krijuar substancë narkotike, nuk janë në listën e substancave të ndaluara ligjërisht.

Sipas tij, tashmë në Kosovë po përpilohet lista e këtyre substancave, të cilat do të futen nën kontroll ligjor, për t’ua mundësuar organeve të ndjekjes parandalimin e shitjes dhe keqpërdorimit të tyre.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG