Ndërlidhjet

Maqedoni: Kontrata edhe për punë me honorar


Ilustrim

Ilustrim

Në bazë të propozim-ndryshimeve në Ligjin për kontribute për sigurim të detyrueshëm social dhe në Ligjin për marrëdhënie pune, parashihet që punëdhënësit që do të angazhojnë punëtorë me kontratë në vepër ose me kontratë autoriale, do të duhet të paguajnë sigurim të detyrueshëm social. Kjo vlen nëse vlera e kontratës është më e lartë se rroga minimale në vend, gjegjësisht mbi 8.050,00 denarë apo rreth 135 euro.

Miratimi i këtij ligji do t`i hapë rrugë Agjencisë për Punësim, që t`i largojë nga lista e të papunëve të gjithë personat që marrin honorar dhe ata që punojnë me kontratë në vepër ose kontratë autoriale, lartësia e të ardhura vjetore e të cilëve është më shumë se 12 paga minimale.

Ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se në këtë formë nuk ulet papunësia, e aq më pak mbrohen interesat e atyre që punojnë me honorare, por nuk kanë sigurim pensional.

Ligji i fundit nuk është aspak në favor të qytetarëve për dy arsye. E para është se fshihet në formë artificiale numri i të papunëve, do të thotë të gjithë ata persona që janë të papunë dhe kanë siguruar ndonjë të ardhur në bazë të honorarit, tani me këto ndryshime, u privohet e drejta e kontributeve dhe asistencës mjekësore dhe honorari do të ndahet edhe për pjesën e pagesës për kontribute sociale”.

“Dhe, e dyta, që është akoma më e rëndësishme, fondet shëndetësore, qoftë ai pensional apo shëndetësor, tashmë është sekret publik se janë në një kondicion të keq financiar dhe me këtë tentohet t’i jepet një impuls gjegjësisht impakt i ri, duke hedhur pagesa nëpër këto fonde”, vlerëson Visar Ademi, njohës i çështjeve ekonomike.

Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, thotë se vendimi për ndryshimet ligjore vjen pas shumë ankesave nga ana e qytetarëve të punësuar me honorar, për të cilët nuk paguhen kontribute për sigurim shëndetësor dhe pensional.

“Kontrolluam në vendet e tjera në Evropë dhe konstatuam se 90 deri në 95 për qind të këtyre vendeve paguhen kontributet për honorarët. Ne erdhëm në konstatimin se në këtë mënyrë do të barazohemi me vendet më të mëdha në Evropë dhe njëkohësisht do të shkurtojmë mundësinë që shumë qytetarë të angazhuar si honoraristë, të mos mund të marrin kontratë për kohë të caktuar të punësimit vetëm pse punëdhënësit e tyre duan të shmangin pagesën e kontributeve”, deklaron Gruevski.

Por me këtë nuk pajtohet eksperti Visar Ademi, duke theksuar se në bazë të këtyre ndryshimeve ligjore, do të goditen edhe ata, të cilët punojnë punë shtesë, edhe pse janë të siguruar në një vend pune.

“Në asnjë vend të botës qytetarët nuk janë të obliguar të paguajnë kontribute sociale shtesë, duke qenë i regjistruar vetëm në një vend pune dhe më pas mund të kesh angazhime shtesë ‘part time’. Por, kjo nuk do të thotë se je i detyruar të paguash kontribute sociale dy herë”.

“Me vetë faktin se kjo kategori e re i tangon jo vetëm ata që janë të papunë, por edhe të punësuarit, honorari i të cilëve është më i lartë se gjashtë rroga mesatare siç qëndron në këtë propozim ligj. Kjo tregon se qëllimi kryesor është mbushja e fondit pensional dhe atij shëndetësor”, thekson Ademi.

Ai shton se arka e boshatisur e fondit pensional de atij shëndetësor është si rrjedhojë e politikave të gabuara të qeverisë, të cilat ishin fokusuar në investime populiste jokapitale siç është realizimi i projektit “Shkupit 2014”.

XS
SM
MD
LG