Ndërlidhjet

Maqedoni: Zgjidhja e imponuar çon kah kompromisi për emrin


Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi

Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se vetëm përmes një angazhimi të drejtpërdrejtë të faktorit ndërkombëtar, Maqedonia dhe Greqia do të mund të arrijnë një kompromis rreth kontesti disa vjeçar për çështjen e emrit.

Ylber Sela nga Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare vlerëson se pavarësisht qëndrimeve të ngurta të shprehura nga ana e autoriteteve maqedonase, gjatë vizitës së ndërmjetësuesit të OKB-së, Metju Nimic, se çelësi për zgjidhjen e kontestit në fjalë qëndron te pala greke, megjithatë sipas tij, larg syve të opinionit intensivisht bisedohet rreth tri propozimeve.

“Po, tani në tavolinë diskutohet rreth tri propozimeve, po si propozim më i pranueshëm shihet emri me referencën Maqedonia e Epërme, ndërkohë që diskutohet edhe për propozimet Maqedonia e Vardarit ose Maqedonia e Re, propozime këto që mbahen anash opinionit publik”.

Duke pasur parasysh deklarimet e kohëpaskohshme të liderëve amerikanë dhe atyre evropianë, së fundmi dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të kancelares gjermane Angela Merkel, lë të besohet se do të gjendet një formulë që do të çonte kah kompromisi, meqë dhe situata e krijuar brenda në Maqedoni, dirigjon një klimë të atillë që kryeministri i Maqedonisë të lëshojë pe, për arritjen e kompromisit duke gjetur një model që më në fund të zgjidhet kjo çështje”, thotë Sela.

Ndryshe nga ai, ish-diplomati maqedonas Nano Ruzhin konsideron se nga deklarimet e kreut të shtetit rreth çështjes së emrit mund të nxirret konkluzë se Maqedonia është shumë larg kompromisit me Greqinë.

“Nëse bëjmë një analizë se cila është pozita e kryeministrit Nikolla Gruevski dhe njerëzit rreth tij, mund vetëm të konstatojmë se jemi larg një formulimi të caktuar që do të çonte kah zgjidhja e kontestit, ngase për këtë përbërje qeveritare shumë më e rëndësishme është të mbetet në pushtet, sesa të gjejë një zgjidhje, e cila Maqedoninë do ta shpinte në NATO dhe BE”, vlerëson Ruzhin.

Ndërkohë, Ylber Sela vlerëson se zgjidhja e kontestit për çështjen e emrit do të imponohet nga qendrat vendosëse.

“Kancelarja gjermane Angela Merkel është më se e qartë se e ka marrë shumë seriozisht që disa çështjeve të hapura në Ballkan, e veçanërisht në Maqedoni, t`u jepet fundi, sepse rajoni duhet të ecë përpara. Besoj se edhe administrata amerikane ka bërë disa lëvizje konkrete pozitive në këtë drejtim dhe nëse kësaj i shtojmë situatën e brendshme në Maqedoni, lë të shpresohet se mund të konkretizohet me sukses arritja e një kompromisi për çështjen e emrit”, konsideron Sela, ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Sipas Selës, nëse kësaj radhe nuk gjendet një kompromis për çështjen e emrit, dhe me këtë të zhbllokohet dhe procesi integrues për vendin, Maqedonia rrezikon të futet në një kizë të thellë ekonomike, e cila do të jetë vështirë e menaxhueshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG