Ndërlidhjet

Institucionet “harrojnë” liberalizimin e vizave


Angazhimi i institucioneve të Kosovës për plotësimin e kritereve të Komisionit Evropian për liberalizim të vizave, gjatë vitit 2014 ka stagnuar dukshëm, vlerësojnë njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane.

Ata thonë se, në veçanti, mos konstituimi i tërësishëm i institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit, ka ndikuar edhe më shumë në dëm të plotësimit të këtyre kritereve.

Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë, se gjatë vitit 2014, institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë disa hapa teknik, por nuk kanë shënuar ndonjë rezultat të prekshëm në disa prej kritereve që vlerësohen tejet të rëndësishme, siç janë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformimi i drejtësisë dhe ulja e numrit të azilkërkuesve.

Sipas tij, mungesa e institucioneve funksionale për shkak të ngërçit politik, e ka lënë në margjina angazhimin për plotësimin e kritereve të përcaktuara nga Komisioni Evropian, për liberalizmin të vizave.

“Ne i kemi pasur zgjedhjet, po ju e dini që shumë muaj para zgjedhjeve ka filluar fushata dhe nuk kemi pasur fokusim të qeverisë. Nuk kemi pasur luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit – luftë kualitative, si dhe nuk kemi mundur ta reformojmë drejtësinë në nivelin që kërkohet. Nuk kemi pasur fokus dhe investime në zhvillim ekonomik dhe gjenerim të punësimit, për t’i ndalë trendet e azilkërkuesve”, thotë Muharremi.

Muharremi ka shtuar se duke marrë parasysh ngërçin politik, si pasojë, Kosovës do t’i duhen së paku edhe 12 muaj efektiv për të dhënë sinjale se po i përmbushë kriteret që ka para vetes.

Emrush Ujkani, njohës i së drejtës së Bashkimit Evropian, duke folur për radion Evropa e Lirë, thekson se ngërçi politik ka shkaktuar dhe do të shkaktojë implikime shumë më të gjera për vendin, për shkak të mos adresimit të çështjeve të përcaktuara si kritere nga Komisioni Evropian, për liberalizim të vizave.

Kur ka mungesë të institucioneve, natyrisht që edhe përkushtimi është shumë më i vogël, për të mos thënë fare, për të luftuar këto dukuri. Pra, realisht, mund të themi se ndikimi i gjithë kësaj është shumë i madh dhe pasojat do të vërehen në muajt që do të vijnë, kur Kosova do ta sheh shumë të qartë ose qytetarët e Kosovës do të jenë të bindur se po të kishin vepruar me kohë dhe në mënyrë adekuate, ky proces do të arrihej më shpejt”, shprehet Ujkani.

Në anën tjetër, krerët e institucioneve të Kosovës janë kritikuar gjatë gjithë kohës, që nga fillimi i procesit në vitin 2009, për faktin se kishin dhënë afate se kriteret do të plotësoheshin shumë shpejt.

Në vitin 2010, kreu i ekzekutivit të vendit, Hashim Thaçi kishte theksuar se liberalizimi i vizave do të arrihet për 6 muaj.

Ngjashëm kishte theksuar edhe në vitin 2013, duke e cilësuar atë vit, si vit i liberalizimit të vizave.

Ne prill të vitit 2014, ish zëvendës ministri i Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli, tashmë ushtrues detyre i ministrit në resorin përkatës, pati shprehur besimin se Kosova i ka plotësuar kushtet dhe se “Komisioni Evropian padyshim se duhet të jap vlerësimin e vet”.

Kasapolli, gjithashtu pati thënë se “tash kemi ardhur në fazën e një vendimi politik më shumë sesa vendimi teknik”.

Ndryshe, Shenoll Muharremi thekson se Komisioni Evropian, gjatë muajve të verës, ka bërë një raport teknik për Kosovën.

“Sipas informatave që i kemi, do të ketë edhe një mision të ekspertëve të BE-së, në fillim të vitit të ardhshëm, në janar dhe shkurt. Ata do t’i japin rekomandimet finale, sipas të gjitha gjasave. Më pas, ju mbetet institucioneve të Kosovës, që në muajt e ardhshëm të vitit 2015, t’i përmbushin ato. Por pa dhënë sinjale në luftë kundër korrupsionit, në funksionalizim të drejtësisë dhe sidomos, ndalje të azilkërkuesve, Kosova nuk mund të hyj në ‘listë të bardhë’”, thotë ai.

Muharremi ka shtuar se nuk pret që Kosova të arrij liberalizimin e vizave më herët se në vitin 2016.

Mendim të ngjashëm ka edhe Ujkani...

“Personalisht nuk mendoj se kjo mund të ndodh në vitin 2015, për arsye se ka një ngecje vërtetë të madhe më këtë drejtim. Po që se këtë e arrijmë në vitin 2016, atëherë kjo do të ishte një arritje e madhe për të gjithë qytetarët dhe për shtetin e Kosovës, në përgjithësi”.

Ndryshe, të dy këta njohës të integrimeve evropiane, thonë se në tetor të këtij viti, pritet raporti i progresit të Komisionit Evropian, për përmbushjen e kritereve evropiane nga ana e Kosovës.

Por, ata nuk presin ndryshime të mëdha në krahasim me ato që janë thënë në raportet e mëhershme, lidhur me përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG