Ndërlidhjet

Maqedoni: Politikanët që nxisin gjuhën e urrejtjes, s’ndëshkohen


Ilustrim

Ilustrim

Përmes gjuhës së urrejtjes, jo rrallë tentohet të shpërqendrohet vëmendja e opinionit nga problemet e vërteta, me të cilat ballafaqohet Maqedonia, vlerësojnë komunikologët. Sipas tyre, më e keqja është se politikë-bërësit arijnë t`u shmangen tërësisht dënimeve ose të shkojnë me gjoba minimale po e njëjta gjë nuk vlen edhe për qytetarët.

Mirjana Najçevska, ish-kryetare e Komitetit të Helsinkit në Shkup, thekson se në Maqedoni, edhe kundrejt angazhimit deklarativ, në asnjë mënyrë nuk zbatohet praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila parasheh sanksione më të larta për bartësit e funksioneve publike, si dhe politikë-bërësit, që nxisin gjuhën e urrejtjes.

“Ajo që tashmë një kohë të gjatë e thekson sektori civil, dhe assesi nuk vjen në rend dite për shqyrtim, ka të bëjë me atë se deklarimet e funksionarëve të ndryshëm, përkatësisht politikanëve, duhet të cilësohen në mënyrë shumë më rigoroze kundrejt deklarimeve të qytetarëve”.

”Por, te ne ndodh e kundërta, janë qytetarët ata që dënohen për çdo mënyrë të shprehjes, ndërkohë gjuha e urrejtjes nga ana e politikanëve arsyetohet me luftën politike, ose shikohet përmes gishtërinjve kur bëhet fjalë për shkeljen e ligjit nga ana e zyrtarëve të lartë politikë”, thotë Najçevska.

Ndryshe, sipas sondazhit të fundit të publikuar nga IRI, pothuajse gjysma e qytetarëve të Maqedonisë, përkatësisht 49% e të anketuarve konsiderojnë se në Maqedoni, liria e të folurit dhe shprehja e lirë e ideve nuk ekziston.

Nazim Rashiti, ligjërues në Fakultetin e Gazetarisë në kuadër të Universitetit Shtetëror të Tetovës, thekson se qytetarët e Maqedonisë nuk kanë perceptim të qartë lidhur me lirinë e të shprehurit, sepse kjo komponentë e rëndësishme për zhvillimin e shtetit demokratik qëllimisht është devalvuar nga strukturat politike.

“Në shoqëritë demokratike idetë artikulohen në mënyrë publike, qoftë në të shkruar, qoftë duke i shprehur ato në tubime apo përmes protestave të ndryshme. Në momentin kur këtë element bazë e kemi të cenuar, siç është rasti në Maqedoni, atëherë unë do të thosha se është shumë pak të themi vetëm se ‘është ndezur alarmi’ për atë që mund t`i ndodhë një shoqërie.
Prandaj, ne vazhdimisht këtu në Maqedoni kemi një problem dhe problemi ka të bëjë me të kuptuarit e demokracisë dhe me të kuptuarit e këtyre lirive, mbi të cilat ndërtohet shteti demokratik”
, vlerëson Rashiti.

Ai thekson se institucionet përkatëse nuk e bëjnë si duhet punën sa i përket promovimit të lirisë së shprehjes si një shtyllë shumë e rëndësishme për zhvillimin e shtetit demokratik. Në këtë situatë, i mbetet sektorit civil dhe veçanërisht intelektualëve të pavarur që të informojnë, përkatësisht punojnë në drejtim të asaj që ata të mund të identifikojnë rastet kur u shkelet e drejta e shprehjes së lirë.

“Shoqëria, autoritetet, mediat madje dhe të gjithë personat publi që kanë autoritet në opinion, duhet vazhdimisht të flasin për rëndësinë e këtij elementi të demokracisë, që është liria e shprehjes, në qoftë se ne nuk e kemi kuptuar drejt implementimin e këtij komponenti në shoqëri, atëherë as ligjet dhe asgjë tjetër nuk do të ndihmojnë për realizimin e kësaj të drejte, ngase vazhdimisht do të shfaqen elemente në shoqëri, të cilat do të duan të cenojnë lirinë e shprehjes me këtë dhe vetë lirinë ” , shton Rashiti.

Ndërsa për Mirjana Najçevskan më shqetësues është fakti se akoma ka 42 për qind të qytetarëve, sipas sondazhit të IRI-it, që mendojnë se në Maqedoni është funksionale liria e shprehjes.

“Po më duhet të theksoj se tashmë një kohë të gjatë në mesin e qytetarëve ekziston një frikë të shprehin qëndrimin e tyre për çështje të caktuara, sepse praktika ka dëshmuar se gjykatat kanë shqiptuar dënime shumë më të larta për punonjësit e mediave ose thjesht qytetarët, sesa në rastet kur bëhet fjalë për politikanët”, thekson Najçevska.

XS
SM
MD
LG