Ndërlidhjet

logo-print

(Nuk) subvencionohet bujqësia


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë, viteve të fundit po konsiderohet si sektori që mund të ndikojë në zhvillimin e ekonomisë dhe njëherësh në rritjen e numrit të të punësuarve në vend.

Edhe Qeveria e Kosovës ka thënë se vazhdimisht është angazhuar që të krijojë kushte sa më të volitshme për zhvillimin e bujqësisë dhe industrisë agro-përpunuese.

Por, përfaqësues të bujqve thonë se angazhimet e institucioneve qeveritare janë vetëm në formë deklarative, kurse në terren situata është krejt ndryshe.

Sektori i bujqësisë radhitet në një nga sektorët me më së shumti prioritet, thotë edhe Jusuf Cikaqi nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Kosovë, duke shtuar se kjo dëshmohet nga buxheti që për çdo vit rritet për këtë sektor.

“Kjo mundëson Ministrinë e Bujqësisë për zgjerimin e programit mbështetës për grante dhe subvencione, të cilat pastaj shkojnë në mënyrë të drejtpërdrejt te fermerët. Dhe kjo pa dyshim ndikon në zgjerimin e sipërfaqeve të reja të mbjella me kultura të ndryshme bujqësore, po ashtu edhe me rritjen e sasisë së përgjithshme të prodhimit dhe në mënyrë indirekte ndikon në cilësinë e prodhimeve bujqësore”, thotë Cikaqi.

Ai thotë se 27 milionë euro janë ndarë për grante dhe subvencione gjatë këtij viti.

Ndryshe, Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), vazhdimisht ka përkrahur zhvillimin e bujqësisë në Kosovë.

Përmes një projekti të quajtur "Mundësitë e Reja për Bujqësi”, kjo agjenci në vitin 2011 ka ndarë një fond për katër vjet, në vlerë prej 15.9 milionë dollarë.

Fatmir Selimi, zëvendësdrejtor i këtij programi, për Radion Evropa e Lirë thotë se qëllimi i programit nuk ka qenë vetëm për grante, por edhe ndryshimi i qasjes së fermerëve në bujqësi.

"Qëllimi i programit nuk është vetëm grantet, por është edhe asistenca teknike dhe ndryshimi i qasjes, që t'i nxisë të ndryshojnë në teknologji, në mënyrën e tregtimit, varietetet prodhuese dhe të marrin guximin që të fillojnë me kultura të reja”, shprehet Selimi.

Në anën tjetër, përfaqësues të bujqve thonë se sektori i bujqësisë në Kosovë është anashkaluar, dhe kjo sipas tyre është arsye e keqmenaxhimit të këtij sektori nga Ministria e Bujqësisë.

Tahir Tahiri, kryetar i Shoqatës së Bujqve të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se gjendja gjatë këtij viti është vështirësuar më tepër për shkak të premtimeve të ministrisë për dhënie të subvencioneve dhe granteve, të cilat sipas tij nuk janë shpërndarë.

Tahiri thotë se toka në Kosovë punohet vetëm sa për mbulimin e nevojave familjare.

“Bujqësia është në pozitë të vështirë për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike të bujqve; për shkak të konkurrencës që vjen nga importi, por edhe mungesës së tregut dhe kualitetit të dobët të repro-materialit".

"Një numër i konsiderueshëm i bujqve që punojnë tokën, punojnë vetëm sa për të mbijetuar, për shkak se pjesa dërmuese e bujqve nuk kanë bazë ekonomike dhe kushte për t’u marr me bujqësi”, thekson Tahiri.

Zhvillimi i sektorit të bujqësisë ishte paraparë të jetë një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës, në kuadër të planit të zhvillimit ekonomik për periudhën 2011-2014.

Ndryshe, sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, 53% e tokës së Kosovës është bujqësore, 41% tokë pyjore, kurse sipërfaqja tjetër është ujore, hapësirë trafiku, urbane dhe të tjera.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG