Ndërlidhjet

logo-print

Erion Zena kthehet nga Siria në Kosovë


Pranvera Abazi, e ribashkuar me të birin, Erion Zena.

Pranvera Abazi, e ribashkuar me të birin, Erion Zena.

Pas disa muajve në Siri, i mituri Erion Zena, është kthyer në Kosovë.

Nëna e 8-vjeçarit, Pranvera Abazi, ka thënë se babai i tij, Arben Zena, e ka dërguar Erionin në luftë, pa lejen e saj. Zoti Zena thuhet t'i jetë bashkuar militantëve të Shtetit Islamik në Siri.

Zonja Abazi ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë të mërkurën në mbrëmje së është takuar me të birin.

Kthimi në Kosovë është mundësuar nga një operacion i realizuar nga Agjencia Kosovare të Inteligjencës.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka falënderuar këtë institucion për “devotshmërinë dhe profesionalizimin”, për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Zonja Jahjaga ka thënë se "në bazë të kompetencave të saj kushtetuese dhe në bashkërendim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, e kanë autorizuar operacionin e AKI-së për të gjetur dhe sjellur në Kosovë 8 vjeçarin Zena, i cili para 5 muajsh pa lejen e nënës ishte marrë nga babai i tij drejt Sirisë, për t’iu bashkangjitur grupeve terroriste që po luftojnë në territorin e Sirisë dhe Irakut".

“Puna dhe përkushtimi i tyre për të mbrojtur sigurinë e secilit qytetar dhe sigurinë tonë kombëtare në përgjithësi na bën krenarë”, ka thënë Jahjaga.

Ajo ka theksuar gjithashtu, përmes një komunikate për opinion, se "qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj janë të përkushtuara të ndërtojnë një Kosovë tolerante dhe demokratike dhe nuk do të lejojnë që vendi ynë të shndërrohet në strehë të grupeve dhe individëve të caktuar që janë rreshtuar përkrahë grupeve ekstremiste dhe terroriste".

Edhe kryeministri i Kosovës në largim, Hashim Thaçi, ka falënderuar në rrjetin social Facebook, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, duke thënë se misioni për ta lokalizuar, për ta gjetur dhe organizuar kthimin e Erionit është përmbushur me sukses.

"Dhe, edhe një herë, ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës të mos bashkëngjiten në luftërat mashtruese", ka shkruar zoti Thaci.

Në një intervistë ekskluzive për Radion Evropa e Lirë, më 28 gusht, nëna e Erionit, Pranvera, ka treguar se është njoftuar më 10 korrik për vendndodhjen e djalit.

Ajo ka thënë se ka marrë mesazh nga bashkëshorti i saj, i cili, kur është larguar nga shtëpia me Erionin, i ka thënë do të shkojnë në Rugovë.

Në Siri po zhvillohet luftë civile qysh në mars të vitit 2011. Forcat rebele atje janë duke luftuar për rrëzimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Muajve të fundit është theksuar në masë të madhe lufta që po bën grupi ekstremist i Shtetit Islamik.

Thuhet se dhjetëra kosovarë u janë bashkuar po ashtu këtyre grupeve kryengritëse.(v.tela)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG