Ndërlidhjet

Kontrata kolektive shkurton vendet e punës


Fotografi nga arkivi

Fotografi nga arkivi

Kontrata e përgjithshme kolektive, e cila pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit 2015, do të rrisë koston financiare të kompanive dhe, rrjedhimisht, mund të shkaktojë shkurtime të vendeve të punës në sektorin privat, thonë përfaqësues të bizneseve në Kosovë.

Kjo kontratë kolektive ishte nënshkruar në mars të këtij viti nga Qeveria e Kosovës, përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Aleancës Kosovare të Biznesit, Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Këshillit Ekonomik Social.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në atë kohë kishte kundërshtuar nënshkrimin e kësaj kontrate, për shkak se, siç thonë ata, ishte bërë në kohë të fushatës zgjedhore, dhe si e tillë iu kishte shërbyer synimeve populsite.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se si e tillë, kjo kontratë kolektive ndikon në rëndimin e barrës financiare te bizneset.

“Duke e ditur se sa vit i vështirë ekonomikisht ka qenë viti 2014, për shkak të ngërçit politik dhe ndikimeve që ai ka pasur në sektorin privat dhe në rritjen e përgjithshme ekonomike, atëherë natyrisht se hyrja në fuqi e kësaj kontrate tani në këtë kohë, në këtë periudhë të vështirë, do të ketë pasoja të mëdha”, thotë Zeka.

Ai dyshon në atë se sektori privat do të mund të arrijë t’i zbatojë të gjitha dispozitat që dalin nga kjo kontratë kolektive dhe në rrethana të tilla, siç thekson ai, shumë kompani do të detyrohen t’i shkurtojnë vendet e punës.

“Do të ketë rritje të ngarkesës financiare mbi bizneset, për shkak se shumë detyrime që dalin nga kjo kontratë krijojnë kosto financiare. Dhe, në rrethana të tilla, kur bizneset nuk kanë pasur mundësi të rriten për shkak të rënies së aktivitetit afarist, atëherë natyrisht për të përmbushur dispozitat e tilla, duhet t’i shkurtojnë vendet e punës, në mënyrë që të ruajnë performancën e mirë financiare”, shpjegon Zeka.

Kontrata e përgjithshme kolektive përcakton themelimin e marrëdhënies së punës, të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e punëdhënësit dhe punëmarrësit, orarin e punës, punën e natës, pushimin vjetor, atë të lehonisë, sigurinë në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarit dhe mbrojtjen e ambientit të punës.

Në anën tjetër, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, konsideron se kontrata kolektive duhet të zbatohet.

Sa i përket kostos financiare që mund të ketë kjo kontratë për bizneset, ai thotë se për këtë kanë qenë të vetëdijshëm përfaqësuesit e bizneseve kur kanë bërë nënshkrimin e saj.

“Për implikime buxhetore sindikata dëshiron që pronarët e firmave të kenë fitim solid, por jo fitim marramendës. Për këto është dashur dhe besoj se vetë asociacionet e punëdhënësve kanë menduar se mund t’ia dalin në përmbushjen e kësaj kontrate, pasi që edhe vetë Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Biznesit e kanë paraparë që nuk e ngarkon buxhetin e kompanive dhe edhe ata janë nënshkrues të kësaj marrëveshjeje të përgjithshme”, thekson Jusufi.

Në kohën kur është bërë nënshkrimi i kësaj kontrate, pronarë të disa kompanive kishin deklaruar për Radion Evropa e Lirë se kontrata kolektive, do të sjellë implikime buxhetore për kompanitë e tyre, megjithatë ishin zotuar për zbatimin e saj.

Derisa, përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës kishin theksuar se do të jenë garantues të zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe se do të sigurojnë përmbushjen e të drejtave, që iu takojnë punëtorëve.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG