Ndërlidhjet

Vakuumi institucional sfidon themelimin e Gjykatës Speciale


Ilustrim

Ilustrim

Kriza rreth formimit të institucioneve të reja të Kosovës, po vonon edhe themelimin e Gjykatës Speciale për krime në Kosovë.

Njohësit e zhvillimeve politike konsiderojnë se vonesa në konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë, do të shtyjë themelimin e kësaj gjykate, por sipas tyre pavarësisht vonesave kjo çështje nuk do të lejohet që t’i kalojë Këshillit të Sigurimit.

Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politikë, thotë se Gjykata Speciale dhe e tërë task-forca për hetimin e krimeve të mundshme është mandat i BE-së, në kuadër të misionit EULEX.

Rashiti parashikon se pavarësisht vonesave rreth formimit të institucioneve të Kosovës çështja e formimit të gjykatës speciale nuk do të largohet përtej marrëdhënies BE-Kosovë.

“Do të jetë e dëmshme dhe e vështirë se do të ndodhë edhe pse ka kërkesa. Do të ishte e tmerrshme nëse Kosova dhe miqtë e saj nuk lejojnë që kjo çështje të shkojë në Këshillin e Sigurimit. Natyrisht, nëse Kosova me të vërtet nuk e përfundon këtë çështje në muajt në vijim, presioni politik mbi Prishtinën dhe miqtë e saj do të rritet”, tha Rashiti.

Rusia dhe Serbia si shtete anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kanë insistuar në hetimin e krimeve të mundshme në Kosovë.

Analisti tjetër i çështjeve politike Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike, shpreh besimin e tij se vet Kosova dhe aleatët e saj nuk do të rrezikojnë që Gjykatën Speciale ta formoj Këshilli i Sigurimit.

“Shtetet aleate të Kosovës në veçanti SHBA-të, do të insistojnë deri në fund që sado që të vonohet themelimi i gjykatës, pasi që lidershipi i Kosovës i ka thënë në mënyrë të plotë po themelimit të një gjykate të tillë; SHBA-ja do të insistonte që asesi një gjë e tillë të mos vihet në agjendën e Këshillit të Sigurimit. Përmes vendosjes së një gjykate të tillë në agjendën e KS më ajo nuk do të ishte thjeshtë një çështje gjyqësore, por të do të shndërrohej në një bombë të kurdisur kundër shtetësisë së Kosovës”, tha Korenica.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki- moon, kohë më parë pati thënë se institucionet e Kosovës duhet të punojnë, që më së largu deri në janar të vitit 2015 të funksionalizohet Gjykata Speciale për krime lufte.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë thënë poashtu se Kosova ka kapacitete të plota për t’u ballafaquar me cilindo rast të drejtësisë edhe me pretendimet që mund të jenë në lidhje me krimet e kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Analisti Rashiti konsideron se institucionet e vendit kanë marrë përgjegjësinë për krijimin e Gjykatës Speciale, kështu që Kosova do t’i përgjigjet obligimeve të veta.

“Marrëveshja pothuajse është gati ndërmjet Holandës dhe Kosovës. Duhet të nënshkruhet vetëm një memorandum mirëkuptimi dhe e gjithë procedura tjetër mbetet në kudër të EULEX-it, që si bërthamë administrative do ta krijoj gjykatën në Holandë”, tha Rashiti.

Korenica konsideron se edhe po të ketë tani një marrëveshje për tejkalimin e krizës aktuale politike në vend, deri tek themelimi i gjykatës mund të kalojnë tre deri në katër muaj.

Sipas tij, janë disa faktorë të rëndësishëm që duhet të zbatohen deri tek themelimi i kësaj gjykate. Ndryshimi i ligjeve mbi gjykatat dhe lidhja e një marrëveshje më një shtet të BE-se, si dhe eventualisht ndryshimi i Kushtetutës janë të rëndësishme për këtë çështje, thotë ai.

Themelimi i Gjykatës Speciale për krimet e luftës ka pasuar raportin e zviceranit Dick Marty, i miratuar edhe nga Këshilli i Evropës mbi dyshimet për trafik organesh të serbëve nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në rastin e ashtuquajtur “Shtëpia e verdhë”.

Kjo gjykatë pritet të ketë dy dhoma, një në Kosovë dhe tjetrën në Holandë. Kjo e fundit pritet të merret me provat e dëshmitarëve të mbrojtur për disa raste që kanë mbetur të pa zbardhura nga periudha e konfliktit të armatosur.

Kuvendi i Kosovës me 23 mars të këtij viti, ka miratuar themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës dhe ka vendosur t’i vazhdojë mandatin misionit të EULEX-it edhe për dy vjet të tjera.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG